
Adela Danaj
1- Duke (mos) punuar për ndërtuar Shqipërinë!
Gjatë këtij muaji Z. Panariti ka zhvilluar një takim me peshkatarët tek Porti i Ri në Durrës. Falë këtij takimi u kujtuam për ekzistencën e këtij profesioni duke qenë se kjo kategori, rrallë herë është bëre pjesë e axhendës së qeverive ne pushtet ndër vite. Ministri i siguroi peshkatarët për mbështetjen e qeverisë për sa i përket plotësimit të kërkesave të tyre dhe për të siguruar kushte të favorshme të punës duke e cilësuar peshkimin si një nga sektorët më potencial madh për zhvillimin e ekonomisë.
Duke marrë shkas nga kjo deklaratë e ministrit, duhet pohuar se do të ishte shumë naive të besonim se peshkimi në Shqipëri është një nga sektorët që do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë në Shqipëri.
Në fakt, peshkimi nuk ka qenë asnjë herë një nga hallkat e prosperitetit ekonomik në Shqipëri, por sigurisht kjo nuk do të thotë se nuk mund të jetë në të ardhmen. Kështu që, nëse ministria në fjalë ka një plan konkret mbi një politikë të caktuar në lidhje me zhvillimin e peshkimit, do të ishte mirë që gjatë takimit të prezantonte këtë plan. Në të kundërt kjo vizitë lexohet si një “qokë” e bërë në kuadër të plotësimit së axhendës ministrore.
Ndërkohë, gjatë takimit, kryetari i Shoqatës së Investitorëve në Sektorin e Peshkimit, ka prezantuar kërkesën e peshkatarëve për uljen e barrës fiskale për peshkatarët, por nuk mori asnjë përgjigje konkrete nga ana e ministrit. Kjo ka qenë një tjetër ditë (pa) pune për ministrin, paguar me paratë tona.
2- Shqipëri-FAO: Do të marrim sërish para?
Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti, është takuar në Romë me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, z. Da Silva. Ky takim erdhi në kuadër të bashkëpunimit midis kësaj ministrie dhe Food and Agricultural Organization of the United Nations (FAO).
Sipas asaj çka raporton ministria, në takim është diskutuar mbi disa projekte mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri dhe së shpejti Z. Panariti do të presë Drejtorin e FAO-s, në një takim në Tiranë. Ne fakt, FAO është një organizatë e njohur në lidhje me promovimin e bujqësisë dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me sigurinë ushqimore, ndaj ky bashkëpunim ndoshta do të sillte disa para më shumë për të çuar përpara zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.
Duke qenë se ky takim tërhoqi vëmendjen e APPA-s, ne bëmë një kërkim të imtësishëm për të zbuluar atë që është thënë e premtuar në këtë takim, por gjatë kërkimit tonë, arritëm të mbledhim ekzaktësisht të njëjtin lajm që ka publikuar dhe ministria në faqen e saj zyrtare, të shoqëruar vetëm me disa foto, asnjë video, asnjë pjesë nga biseda konkrete. Kjo nuk është hera e parë që ne “bombardohemi” me lajme të kësaj natyre. Thuajse çdo muaj shkruajmë për takime, premtime parash, fonde me shifra marramendëse, por ende asgjë konkrete.
Kjo do të thotë se ne, ose po vazhdojmë të dezinformohemi çdo ditë e më shumë, pra lajmet janë false dhe nuk tregojnë realisht atë që është diskutuar nëpër takime të këtij lloji, ose fonde janë marrë e do të merren, por adresa e vendndodhjes së tyre nuk dihet. Në të dyja rastet jemi përballë të njëjtin rrezik, mashtrim dhe vjedhje!
Referenca:
Ministria e Bujqësisë, Tetor 2015, Ministri Panariti, ka patur sot një takim me peshkatarët tek Porti i Ri në Durrës: http://www.bujqesia.gov.al/al/lajme/njoftime-per-shtyp/ministri-panariti-ka-patur-sot-nje-takim-me-peshkataret-tek-porti-i-ri-ne-durres&page=1
Ministria e Bujqësisë, Tetor 2015, Ministri i Bujqësisë, Z. Edmond Panariti, u takua në Romë me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, z. Da Silva:
Faqia zyrtare online FAO: http://www.fao.org/about/en/
Top Chanel, Tetor 2015, Panariti në Romë, takon kreun e FAO:
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=311489