![Rezearta Caushaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/11042072_10152755179952098_1617951722_n-211x300.jpg)
Rezearta Caushaj
1- Inspektimi i Ministrit
Znj. Gjermeni, Ministrisë se Zhvillimit Urban ka kryer inspektimin e zbatimit të 4 projekteve në qytetin e Elbasanit këtë muaj së bashku me Kryetarin e Bashkisë së qytetit. Nga faqja e Ministrisë mësojmë se projektet e sipërpërmendura janë:
- Sistemim i rrugës « Marie Dhama » dhe sheshet e pallateve;
- Suvatim dhe lyerje fasadash në rrugët kryesore për 100 banesa kolektive;
- Sistemim asfaltim i rrugës te pallati i sportit;
- Sistemim asfaltim bllokut të banimit, sheshet e pallateve 60, 61, 62, 63/1, 64, 64/2, 64/3, rruga « Nusret Kokobobo ».
Më tej aty nxjerrim përfundimin se projektet e mësipërme janë zbatuar me suksese sepse “Ministri vlerësoi punën e bërë dhe angazhimin e të gjithë stafit të Bashkisë Elbasan, në zbatimin me cilësi dhe brenda afateve, të projekteve të financuara nga Qeveria Shqiptar”. Na vjen mirë që projektet kanë mbaruar, sidomos rehabilitimi i ndërtesave ku banon komuniteti i lënë pas dore rom në Elbasan, por nga ana tjetër do na interesonte publikimi zyrtar i raporteve inspektuese për secilin projekt, i hapur ndaj qytetarëve, sic kemi insistuar në çdo raport paraardhës, në mënyrë që edhe publiku të bëj “inspektimin” e tij.
2- Hartimi i planeve urbanistike vendore
Ministria e Zhvillimit Urban do t’u ofrojë asistencë financiare dhe teknike për hartimin e planeve vendore 26 bashkive, qëllim për të cilin në fillim të muajit u zhvillua takim me krerët e këtyre Bashkive. Sipas vetë ministries, fondi total i vënë në dispozicion nga Qeveria për hartimin e planeve vendore për të 26 bashkitë është në vlerën 658,164,960 lekë (gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) me TVSH dhe do të kontraktohen edhe zyra ndërkombëtare për ofrimin e projekteve më të mira. Në të njëjtën kohë ministri deklaroi se bashkitë e reja në të gjithë vendin duhet të punojnë fort për të hartuar plane vendore dhe vetëm pas tyre mund të japin sërish leje ndërtimi. Një deklaratë kjo evazive sepse, nga njëra anë fakti që ndërtimet do ndjekin një plan të caktuar zhvillimi është padyshim pozitiv, por ata që penalizohen natyrisht nga ky vendim janë qytetarët dhe sidomos bizneset, sepse nuk është specifkuar periudha kohore gjatë së cilës do jetë në fuqi ky rregull? A ka një afat të caktuar mbi prezantimin e këtyre planevenga Bashkitë përkatëse?
Ndërkohë, në seancën plenare të dt.14 shtator Znj.Gjermeni lajmëroi se më në fund do të fitojë funksion të plotë Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e cila do të monitorojë dhënien e lejeve nga ana e autoriteteve vendore. Nuk është e qartë se si do munden këto të fundit të kontrollojnë zbatimin e paanshëm të procedurave nga ana e ministrisë së Zhvillimit Urban dhe institucioneve në varësinë e saj, duke qënë se shumë bashki janë ankuar për trajtime preferenciale, me baza partiake, në përfitimin e projekteve, asistencës dhe alokimin e buxhetit për zhvillimin e qyteteve.
3- Legalizmi dhe kompensimi i pronave
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Z. Artan Lame ka dhënë një deklaratë për shtyp mbi të ardhurat që ka mbledhur për periudhën janar – gusht 2015, të cilat në masën 1.4 miliardë lekë kanë tejkaluar parashikimet e planit vjetor. Në fakt, edhe nga konstatimet e mëparshmë të APPA, ky institucion ka funksionuar realtivisht në mënyrë më korrekte krahasuar me institucione të tjera, duke gërshetuar bërjen trasparente të procedurave për legalizim, me politikat sociale si legalizimi falas për kategori shoqërore në nevojë, si dhe bashkëpunimin dhe koordinimin e punës me organe të tjera siç janë Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për përdorimin e fondeve të mbledhura nga legalizmi për kompensimin e pronarëve apo edhe rastin më të fundit me Agjencinë se Trajtimit të Kredive me qëllim shkëmbimin e informacionit mbi sukbjektet qe kanë aplikuar për legalizim. Do të ishim akoma më të kënaqur nëse informacioni i dhënë nga Z. Lame do të ishte paraqitur në formën e një dokumenti, ku të përfshiheshin referenca lehtësisht të vërtetueshme dhe të dhëna të krahasueshme.
Referenca:
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/neësroom/lajme/inspektim-i-ministres-gjermeni-ne-elbasan&page=1
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=314905
http://www.aluizni.gov.al/deklarate-shtypi-2/
http://www.aluizni.gov.al/3478-2/
http://www.zhvillimiurban.gov.al/files/pages_files/Java_ne_ditar_14_Shtator_2015.pdf