
Flutura Gjana
Parathënie
Për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës duket që puna për muajin shtator ka ecur me ritme të ngadalta. Përveç reformës në ujësjellës që është prezantuar me bujë nga vetë ministri, në faqen zyrtare të ministrisë përmenden dy inspektime, që ka realizuar ministri respektivisht në rrugën Elbasan – Banjë e në impiantin Tirana e Madhe dhe pjesëmarrja në një takim pritës që është organizuar për ambasadorin e Australisë.
1- Reforma në ujësjellës-kanalizime
Shqipëria ndodhet në situatën ku rezervat ujore mesatare për frymë janë nga më të lartat në botë, 600 litra për frymë në 24 orë. Duke ditur që një person mesatarisht konsumon 2-5 litra ujë në ditë, ne kemi mundësi për të mbajtur me ujë jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të Ballkanit.Pas dy viteve në krye të MTI, ministri Haxhinasto më në fund e pa të arsyeshme të hedhë sytë edhe drejt sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Në shtator ka filluar reforma e ujësjellës kanalizimeve. Fokusi i kësaj reforme është lidhja e kontratës së performancës mes bashkisë dhe qeverisë, ku kryetari i bashkisë do të jetë drejtuesi i Asamblesë së Administrimit të Ndërmarrjes, i cili do të përzgjedhë 3 drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes. Pra, ndërmarrjet e ujësjellësit do të bëjnë para për bashkitë.
Në pamje të pare, kjo reformë rrit përgjegjësitë e të zgjedhurve vendorë. Por, a është normale që kryetari i bashkisë të ketë të gjithë ’’pushtetin’’ në duart e tij për të zgjedhur tre drejtuesit (drejtorin e përgjithshëm, drejtorin financiar dhe drejtorin teknik) e ndërmarrjes së ujësjellësit? Në informacionin që është bërë publik lidhur me detajet e kësaj reforme shihet qartë se ajo përqendrohet vetëm në problemet që lidhen me menaxhimin dhe lidhjet e paligjshme. Por problematikat e këtij sektori nuk janë vetëm këto.
Duke u bazuar në raportin vjetor të vitit 2014 të Entit Rregullator të Ujit, problematikat kryesore që sjellin 67.4% humbje të ujit që prodhohet janë: rrjeti i amortizuar dhe mungesa e vendosjes së matësave. Vendosja e matësave në prodhim, e matësave të bilancit dhe ato në shpërndarje do të ndihmonin për të njohur situatën reale të humbjeve. Reforma që paraqet ministri nuk përfshin asnjë plan strategjik për të zbutur këto dy problematika kryesore, që ndikojnë direkt në humbjen e ujit. Përmendim gjithashtu që në gusht buxheti për ujësjellës kanalizime u ul me 17.1%, ulje që sjell impakt negativ. Urojmë që kjo reformë mos të jetë ’’shoW’’ i radhës i qeverisë Rama, thjesht për të ndëshkuar lidhjet e paligjshme të ujit dhe për të larguar vëmendjen nga problematika të tjera.
Referenca:
Artikull: Ministri Haxhinasto, prezanton reformën në Ujësjellës Kanalizime
Artikull: Reforma e ujit, Kryetari i bashkisë përgjegjës për performancën e Ujësjellësit, nëse dështon i kalon qeverisë
Raporti Vjetor 2014: Enti Rregullator i furnizimit me ujë
http://www.erru.al/doc/Raporti_vjetor_2014_-_V5__29_01_2015.pdf
Lajme: Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës