
Adela Danaj
1- Formalizimi i anti-ligjores
Një nga lajmet që shkaktoi debat gjatë këtij muaji është ai i kalimit të Qendrës Kombëtare të Traumës nën kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri Beqaj, paraprakisht paralajmëroi se kjo nuk do të ndikojë në cilësinë e shërbimit kundrejt qytetarëve.
Ndërkohë që ka filluar ndërtimi i godinës së re me një vlerë prej 85 milionë lekë, ende nuk është bërë e qartë përse po ndodh ky kalim dhe cili është qëllimi i ministrisë së Mbrojtjes. Nëse ministri i Shëndetësisë pohon se asgjë nuk do të ndryshojë, atëherë përse ky kalim i papritur?
Kujtojmë se jo më larg se dy muaj më parë, ministri Beqaj, bëri një vizitë në Qendrën Kombëtare të Traumës në Tiranë, ku inauguroi një pajisje të re, duke përshëndetur stafin për punën dhe ministrinë që përfaqëson për përkushtimin. Ndër të tjera, ai premtoi se të tjera investime do të bëhen në këtë qendër duke qënë se qeveria shqiptare në vetëm 20 muajt e parë ka bërë një investim prej 1.6 milionë lekë vetëm për spitalin e traumës dhe se planet për investime më të mëdha janë gati për t’u vënë në zbatim.
Në vizitën dhe deklaratën e dy muajëve më parë, nuk u pohua në asnjë moment se kjo qendër shëndetësore, një nga më të rëndësishmet në vend për kujdesin shëndetësor të qyetarëve shqiptarë, do të kalojë në duart e një ministrie që nuk ka as një lidhje me kujdesin shëndetësor dhe për më tepër nuk ka punonjës të kualifikuar për shërbime të tilla. Do të duhet të ishim shumë naivë për të pranuar se kjo lëvizje është në të mirë të shërbimit mjekësor shqipëtar. Duke qënë se ministri i Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë sqarim më shumë për kalimin e përgjegjësive drejt një institucioni me karakter krejtësisht të ndryshëm nga ai i kujdesit shëndetësor, APPA dëshiron të nënvizojë bazën ligjore të Ministrisë së Mbrojtjes në mënyrë që të paraqesë një pasqyrë më të qartë të përgjegjësive që ligjërisht i njihen Ministrisë së Mbrojtjes:
Aktet Ligjore
-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
-Informacioni i Klasifikuar
-Shërbimi Meteorologjik
-Policia Ushtarake
-Dërgimi i trupave ushtarake në misione jashtë vendit
-Statusi i Ushtarakut
-Spitali Ushtarak Qendror Universitar (SUQU)
-Gradat
-Industria Ushtarake
-Pilotët
-Roja Bregdetare Shqiptare
-Inteligjenca
-Sigurimi Shoqëror i Ushtarakëve të FA
-Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare
-Autoriteti i Kontrollit Shtetëror i Eksporteve
-Aktet Ligjore të Institutit Gjeografik Ushtarak
-Aktet për pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik të FA, i ndryshuar
-Disiplina
-Kodi Penal Ushtarak
-Konventa për ndalimin e armëve kimike dhe për shkatërrimin e tyre
-Medaljet
-NATO
-Shërbimi Ushtarak
-Strategjitë e ndryshme
-Të ndryshme
Asnjë nga aktet e mësipërme ligjore nuk parashikon mbikëqyrje apo menaxhim të institucioneve shëndetësore, që do të thotë se kalimi i qendrës së Traumës nën kompetencën e Ministrisë së Mbrojtjes është një shkelje flagrante e ligjit. Në një situatë të tillë, do të dëshironim të dinim se kush është përgjegjës për këtë skemë të re? Kush e inicioi këtë ide dhe mbi të gjitha përse? Gjatë ditëve të para të muajit tetor APPA do t’u nisë një kërkesë në lidhje me këtë çështje si Ministrisë së Shëndetësisë ashtu dhe asaj të Mbrojtjes për të mësuar diçka më shumë nga detajet e shumta të pathëna deri më tani.
Referenca:
Gazeta Panorama, Shtator 2015, Kalimi i Traumës tek Mbrojtja, Beqaj: Shërbimi s’ndryshon. http://www.panorama.com.al/kalimi-i-traumes-te-mbrojtja-beqaj-sherbimi-sndryshon/
Portali online, Lajmi i Fundit, Qershor, 2015, Beqaj: Standart i ri shërbimi në Qendrën Kombëtare të Traumës. http://lajmifundit.al/2015/06/455019/
Ministria e Mbrojtjes: http://www.mod.gov.al/index.php/ministria/baza-ligjore