
Sokol Kondi
1- Mosarritjet e Politikës së Jashtme në 2 vjet
Ministria e Punëve të Jashtme ka paraqitur një bilanc të punëve të saj këto dy vjet në profilin zyrtar të ministrisë në Facebook, ku radhiste këto arritje: Shqipëria vend kandidat në BE, Shqipëria anëtare në KDNJ, Zgjidhja e çështjes së toponimeve, Dy partneritete strategjike, Kryesimi i tre nismave rajonale, 15 marrëveshje të iniciuara, Reforma në Shërbimin e Jashtëm, Ulja e tarifave Konsullore dhe Hapja e Konsullatës së Përbashkët me Kosovën në Milano.
Sigurisht që këto janë arritje dhe si të tilla duhen përgëzuar. Por ka edhe mjaft mosarritje nga ana e MPJ në këto dy vjet. Le t’i radhisim edhe ato si më poshtë vijon: Mosnisja e bisedimeve me Greqinë për çështjen e kufijve detarë dhe të shelfit kontinental mes dy vendeve. Qëndrim inferioriteti dhe droje karshi Greqisë në bisedimet direkte mes dy vendeve për të adresuar zgjidhjen e disa problemeve dypalëshe. Fjala bie kur Greqia kërkon varreza të reja ushtarësh grekë të rënë gjatë lufëtarve në Shqipëri, vendi ynë nuk ka kërkuar të njëjtën gjë për çamët e vrarë në Greqi. Dhe kur Greqia ndërhyn në punët e brendshme të marrëdhnieve mes shtetit shqiptar dhe besimeve fetare, Shqipëria nuk ka guxuar të përmendë se si për ironi kisha autoqefale shqiptare udhëhiqet nga një kombas grek.
Një tjetër mosarritje në këto dy vjet është moszgjidhja e çështjes së ambasadorëve shqiptarë të cilët veprojnë me mandat të përfunduar. MPJ nuk ka arritur të gjejë një gjuhë të përbashkët me Presidentin e Republikës për ta zgjidhur këtë çështje.
Gjithashtu nuk janë shënuar arritje të mëdha për sa i takon shërbimeve që ofrojnë ambasadat shqiptare për qytetarët tanë jashtë vendit. Ambasadat vazhdojnë ta zhvillojnë në kuptimin më të ngushtë të mundshëm detyrimin Kushtetues për të mbrojturn interesat e sheteasve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit, duke mbetur kësisoj peng i praktikave thjesht noteriale. Në postimet e ambasadave në uebsajtet e tyre zyrtare apo në rrjetet sociale, pasqyrohen vetëm qënsrimet e MPJ-së, apo ndonjë aktivitet i ministrit dhe i vetë ambasadorëve. Nuk ka patur kurrëfarë njoftimesh sensibilizuese për azilkërkuesit shqiptarë që të mos i hyjnë kësaj aventure të kotë në vendet e BE-së dhe për studiuesit ëhstë shumë e vështirë që të gjejnë në uebsajtet e ambasadave informacione të dobishme lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërië dhe vendit ku ato janë të akredituara. Gjithashtu nuk ka pataur pasqyrim nga ana e ambasadave lidhur me aktivitetin që ato mund të kenë bërë lidhur me interesimin e gjendjes dhe të kushteve në të cilat qëndrojnë azilkërkuesit shqiptarë në vendet pritëse. Si dhe, me përjashtim të arstit të incidentit në Mekë të pak ditëve më parë, ambasadat nuk kanë dhënë informacion të dobishëm për qytetarët shqiptarë që mund të jenë ndodhur në situata të rrezikshme, si në rastin e ndeshjes në Beograd, incidentieve të Parisit, dhe rasteve të terrorizmit në Egjipt, Turqi, Tunizi etj.
Një tjetër mosarritje është mosçelja e negociatave për anëtarësimin me të drejta të plota në BE, që ishte një objektiv që qeveria kishte parashikuar ta realizonte brenda kësaj vjeshte. Dhe së fundi vërtet mund të jenë ndërmarrë 15 marrëveshje, por ç’vlerë do të kishin ato nëse si në rastin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë me fokus shqiptarët në Preshevë nuk do të kishin hyrë ende në fuqi. Këto dhe të tjera thjesht për ta zbritur me këmbë në tokë MPJ-në dhe për t’i kujtuar se, veç arritjeve që pasqyron, është mirë të ketë parasysh edhe këto gjëra që ende nuk janë arritur dhe për të cilat ndoshta duhet punuar më tepër.
2- Qëndrimi i dyzuar dhe i paqartë i Shqipërisë për Palestinën
Brenda një muaji Palestina është kthyer në qendër të polemikave përsa i takon politikës së jashtme shqiptare. Këtu nuk synojmë të kritikojmë qasjen e qeverisë për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit Palestinës, sikurse bëri në rastin e votimit pro për ngritjen e flamurit të saj në OKB. Përkundrazi, kritika është lidhur me paqartësinë dhe rrëmujën e Shqipërisë lidhur me qëndrimin e saj të çështjes izraelito-palestineze. Ata që nuk e kanë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme politikën e jashtme të Shqiëprisë këto dy vitet e fundit mund të mendojnë se amullia e MPJ-së për këtë çështje ishte sporadike dhe një rast i përveçëm, por nuk është kështu. Ftesa e që MPJ iu bëri vendeve të Ligës Arabe bashkë me Izraelin, por pa Palestinën për të diskutuar lidhur me mështetjen e Kosovës në UNESCO, apo ftesa si për ambasadorin palestinez, ashtu edhe për atë izraelit për t’iu shpjeguar vetomin e Shqipërisë lidhur me flamurin e Palestinës dhe që në të dyja rastet shkaktoi një reagim të habitur të palëve të interesuara, është pasojë e një politike të drojtur dhe të paqartë që i ka zanafillat qysh me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë më 2013. Në fakt, qëndrimi se Shqipëria është për zgjidhjen e problemit në Lindjen e Mesme mbi parimin e dy shteteve të Izraelit dhe Palestinës, jo gjithnjë ka gjetur zbatim konkret në qëndrimet e politikës së jashtme Shqiptare.
Për shembull, ndryshe nga çfarë ka qejf të përmendë shpesh ministri i Jashtëm, MPJ gjatë gjithë konfliktit Izrael-Palestinë të vitit 2014 nuk ka unifikuar asnjë qëndrim me Bashkimin Europian, por as me OKB-në, si “flamurtare” e re e KDNj-së (Këshillit të të Drejtave të Njeriut) që u bë po atë vit. BE më 31 korrik 2014 bëri një dënim shumë të qartë dhe iu bashkua fjalëve plot zemëratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, i cili i kishte cilësuar si “të pajustifikueshme” episodet e fundit të dhunës së Izraelit në Gaza. “E dënojmë në mënyrën më të ashpër të mundshme sulmin ndaj shkollës së administruar nga Kombet e Bashkuara dhe bombardimin në tregun e Shejaiya-s – pohoi zëdhënësja e Pëfaqësuesës së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Catherine Ashton – dhe e konsiderojmë të papranueshme që civilë të pafajshëm që kërkonin strehim janë vrarë. Për këtë duhet një hetim i shpejtë dhe i menjëhershëm”. Shqipëria për të gjithë këtë heshti. Pra më shumë se unifikim qëndrimi me BE-në ku synon të integrohet, Shqipëria në këtë rast mbajti një qëndrim të unifikuar me SHBA-të, duke miratuar në heshtje sulmet izraeliane në Palestinë. Ky nuk është aspak një qëndrim pro zgjidhjes së dy shteteve. Në vend të të qenit një shtet faktor ti paqes dhe stabilitetit në rajon dhe botë, fjalë që i lexon në çdo seksion të MPJ-së, mbajtja e një qëndrimi të paanshëm në një konflikt në dyert e BE-së dhe jo të SHBA-ve, mund ta bëjë Shqipërinë të ngjasojë si çdo gjë, por me siguri jo si një margaritare e stabilitetit në kufijtë e Europës.
3- Përplasja me OSBE-në dhe Presidentin
Në mediat e ndryshme shqiptare është shkruar gjatë shtatorit lidhur me një përplasje të mundshme mes MPJ-së dhe prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Problem që ka kulmuar me një shkresë të MPJ-së, që i kërkonte ambasadorit tonë në OSBE të kthehej në atdhe për të marrë një detyrë tjetër, praktikë, e cila ka hasur në kundërshtimin e fortë të Presidentit të Republikës, i cili nëpërmjet një shkrese i ka kërkuar ambasadorit që të vazhdojë në detyrën për të cilën është ngarkuar.
Është shkruar gjithashtu për një urdhër të kryeministrit Rama që të gjithë funksionarët e lartë zyrtarë të koordinohen me kreun e Ekzekutivit dhe ministrin e Jashtëm për vizitat e tyre jashtë vendit. Kjo e fundit nuk përbën ndonjë sensacion aq të madh sa kanë dashur ta paraqesin mediat. Në fakt, në ligjin për shembimin e jashtëm është parashikuar qartë që të gjithë zyrtarët shqiptarë duhet t’i koordinojnë vizitata, deklaratat apo veprimtaritë e tyre që mund të kenë një efekt në marrëdhëniet me jashtë, me MPJ-në.
Më serioz është rasti i dytë, por jo më tepër lidhur me fërkimet me OSBE-në, për të cilën Shqipëria si vend sovran është e lirë të veprojë si të gjykojë më mirë, se sa për përplasjen juridike të radhës me presidentin e Republikës. Në fakt, nëpërmjet një qëndrimi më tepër politik se sa juridik, si vetë ministri, ashtu edhe funksionarët e dikasterit të tij janë përpjekur të anashkalojnë si presidentin, si vetë ligjet lidhur me thirrjen në atdhe të ambasadorit të Shqipërisë në OSBE.
Sipas të gjitha ligjeve, lirimin dhe dekretimin e ambasdorëve e bën Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit. Vërtet në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm Presidentit i është vënë një afat prej 20 ditësh për ta ushtruar funksionin e tij. Por as ky ligj dhe asnjë ligj tjetër, nuk parashikon, që në rast të mosushtrimit brenda këtij afati të kompetencës nga ana e Presidencës, MPJ të veprojë vetë (!?). Nuk ka një bazë ligjore mbi të cilën MPJ t’i kërkojë direkt një ambasadori që të lërë detyrën, këtë mund ta bëjë vetëm Presidenti dhe për sa kohë nuk veprohet për rrjedhojë, do të jemi gjithnjë përballë një sjelljeje politike dhe jo ligjore.
Referenca:
http://www.droni.al/ëeb/Zbulohet_letra_qeveria_pergatit_largimin_e_OSBE_se_7379_1.php
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=308281#k2
http://www.mapo.al/2015/09/bushati-shkarkon-ambasadorin-ne-osbe-nuk-e-anashkaluam-presidentin
http://www.mapo.al/2015/09/osbe-nuk-do-te-largohet-nga-shqiperia
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=308980#k1
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=309273&fundit
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=309273&fundit