
Megi Llubani
1- Një mish mash me ligjin për autoritetet e drejtimit dhe komandimit të FA
Në datë 23 shtator gjatë punimeve të Kuvendit të Shqipërisë u miratuan ndryshimet në Ligjin për autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura, duke reflektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pas dërgesës nga ana e Presidentit të ligjit si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë. Ndryshimet që do t’i bëheshin ligjit 64/2014 pas vendimit të Gjykatës janë:
1- Shfuqizimi i nenit 9 pika 1 “ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura”, me arsyetimin se tejkalon Kushtetutën dhe cenon shtetin e së drejtës.
2- Shfuqizimi i nenit 12 pika ç, sipas të cilit kryeministri nxjerr në rezervë ose lirim, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Edhe ky nen, në arsyetimin se është i papajtueshëm me Kushtetutën. Në mendimin tonë ky është edhe neni më i diskutueshëm, i cili fatmirësisht është shfuqizuar me vendimin e Gjykatës. Nëse një parim i tillë do të mbetej i pandryshuar, me të drejtë bëhet pretendimi edhe nga ana e institucionit të Presidentit se kjo lë hapësira të mëdha në dorë të Ekzekutivit për të vendosur mbi këtë çështje, duke anashkaluar kështu rolin e presidentit. Duhet të vëmë në dukje gjithashtu se, nëse vetë hartuesit e Kushtetutës kanë patur ndërmend parimin e balancimit të pushteteve, për të mos lejuar që Ekzekutivi të tejkalojë kompetencat e tij, si është e mundur që ligji i propozuar ka shkuar kaq hapur kundër këtij parimi dhe vetë Kushtetutës? Më problematike është në fakt vetë deklarata e ministres së Mbrojtjes, gjatë fjalës së saj në Parlament, duke thënë shprehimisht: E përsëris që nuk ka pasur asnjë shkelje të Kushtetutës me ligjin e mëparshëm, as atëherë, dhe as sot. Kur faktet janë të vetëmjaftueshme dhe të mbështetura nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si mund të pretendohet se ligji në formën e tij origjinale ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën? Në fakt, nuk tregon vlerë të shtuar që kjo qeveri “ndryshe nga ajo e kaluara’’ po i merr parasysh vendimet e Gjykatës (sipas fjalës së ministres). Do të kishte qenë më me vend reflektimi mbi ligjin, që në momentin kur ai u kthye në parlament nga presidenti. Në fund të fundit, është qëllimi i ligjeve dhe politikave t’i shërbejnë shoqërisë dhe zhvillimit të demokracisë në vend e jo të mbeten peng i ‘’zënkave’’ ndërpartiake për ndarje pushtetesh. Vendimi për shfuqizimin e këtij neni të ligjit të ri është marrë unanimisht nga gjykatësit e çështjes, diçka që nuk lë dyshim për papajtueshmërinë e tij thelbësore me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përfshin edhe nene të tjera të cilat janë shfuqizuar, si Neni 12 d apo hedhjen poshtë të pretendimit të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e neneve të tjera, që prekin drejtpërdrejt rolin e institucionit të Presidentit në rregullimin e drejtimit dhe komandimit të forcave të armatosura.
2- Çfarë po ndodh me Xibrakën?
Në mes të muajit të kaluar u përhap nëpër media lajmi i një shpërthimi relativisht të fuqishëm në fshatin Xibrakë të Elbasanit, ndërkohë që po kryhej asgjësimi i municioneve në poligonin e Xibrakës. Pak pas ngjarjes, ministria doli me një deklaratë, sipas të cilës kishte filluar hetimi i plotë i ngjarjes, për të identifikuar përgjegjësitë e kësaj të fundit në lidhje me ngjarjen, si edhe me respektimin e rregullores teknike për aktivitete të tilla. Në këtë deklaratë ministria gjithashtu njofton se ka kryer inspektimin paraprak të dëmtimeve të shkaktuara në shtëpitë në afërsi të poligonit dhe premtoi dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga kjo ngjarje.
Ka kaluar më tepër se një muaj nga ngjarja dhe nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e ministrisë në lidhje me rezultatet e hetimit dhe se çfarë masash ka ndërmarrë ministria për të dëmshpërblyer palët e prekura nga ngjarja. Shpresojmë që kjo ngjarje të mos lihet në harresë, jo vetëm nga ministria, por edhe nga media.
3-Plani afatgjatë i zhvillimit të forcave të armatosura
Këtë muaj u hartua Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016 – 2025. Ky dokument përbën risi për FA dhe është plani i parë i hartuar që prej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nga plani i detajuar paraqitur ne Parlament, duket se fokusi kryesor i 10 viteve të ardhshme do të jetë zhvillimi i kapaciteteve të Forcave të Armatosura, jo vetëm për t’ju përgjigjur sfidave aktuale dhe të pritshme, por edhe për të përmbushur obligimet e anëtarësimit në NATO. Plani ndahet në objektiva afatshkurtra (2016 – 2018), afatmesme (2019-2021) dhe afatgjatë (2022 – 2025). Një ndarje e tillë bën të mundur qartësinë në mënyrat se si do të zhvillohen kapacitetet e Forcave të Armatosura në 10 vitet e ardhshme. Dëshirojmë të përgëzojmë ministrinë për përgatitjen e këtij dokumenti inovativ për kontekstin shqiptar.
Thënë kjo, duam gjithashtu të vëmë në dukje disa mangësi dhe element, që mund të ishin menduar më mirë nga ana e hartuesve të këtij dokumenti. Fillimisht, ky plan është vërtetë risi në kontekstin e FA të Shqipërisë, por nuk është aspak risi në kontekstin e integrimit dhe anëtarësimit në NATO. Mjafton të përmendim se Kroacia, vendi që u anëtarësua njëkohësisht me Shqipërinë në Aleancë, e ka përgatitur një plan të tillë që në vitin 2006 dhe madje këtë vit sapo ka miratuar planin e dytë afatgjatë. Mund të themi pra, se Shqipëria është të paktën 10 vite me vonesë në këtë proces.
Së dyti, fatmirësisht Plani paraqet disa objektiva dhe aktivitete deri diku konkrete sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të pjesëve të ndryshme përbërëse të Forcave të Armatosura. Për të marrë një shembull, në periudhën 2016-2018 do të përsosen kapacitetet e forcave tokësore si më poshtë vijon:
- Kompletimi me armatim të lehtë të këmbësorisë, duke filluar nga pajisja e batalionit II të Këmbësorisë, Batalionit të Forcave Speciale, Batalionit Komando, elementët mbështetës të grup – batalionit dhe kompletimi i gjithë FT së bashku me sasinë e municionit përkatës;
- Pajisja me pajime individuale të ushtarit;
- Sistemi i komandim, kontroll, komunikim, kompjuterizim, informimit (C4I) të FT;
- Kontributi me njësi taktike në përbërje të NRF.
E njëjta logjikë ndiqet edhe për zhvillimin e kapaciteteve të pjeëve të tjera përbërëse të FA. Por në këtë analizë mungon një aspekt themelor që do ta bënte të mundshëm, të besueshëm, transparent dhe të realizueshëm këtë plan: Buxheti. Pavarësisht se jepet shumë vagullt që buxheti do të varet nga prokurimi dhe tenderimi për blerjen e materialeve të ndryshme sipas specifikimeve në vitet në vijim, është gjithsesi e mundshme që të bëhet një përllogaritje e përafërt e shpenzimeve që do të duhet të bëjë ministria e Mbrojtjes për realizimin e suksesshëm të këtij plani. Kjo është ABC-ja e hartimit të politikave publike, qofshin këto në fushën ushtarake. Një nga themelet e hartimit të politikave publike është buxhetimi, pa të cilin është e pamundur të pretendojmë realizimin e këtyre politikave. Nga Plani i paraqitur në parlament kjo pjesë mbetet e paqartë dhe duket sikur, ose ekspertët që e kanë hartuar atë nuk kanë ekspertizën dhe informacionin e duhur për të bërë një plan gjithëpërfshirës dhe të detajuar, ose vijojmë me traditën e hartimit të politikave ‘’shkel e shko’’, meqë në fund të fundit vetëm një grusht njerëzish do t’i lexojnë, pasi pjesa tjetër, veçanërisht publiku i gjerë, është tërësisht i painteresuar ose i papërfshirë në këtë proces.
Një dokument mjaft i mirë reference që mund të kish ndihmuar në hartimin e një plani më cilësor është Plani i Zhvillimit Afatgjatë të Forcave të Armatosura të Kroacisë, i zhvilluar në 2006 dhe i ri-hartuar këtë vit. Një konsultim i thjeshtë me dokumentin, që është i disponueshëm edhe në anglisht, mund të kishte ndihmuar në kornizimin më të mirë të planit dhe vendosjen e detajeve të nevojshme, që do ta bënin atë më serioz. Neglizhenca për të prodhuar një dokument të vlefshëm reference në këtë rast është edhe një sinjal fatkeq i mungesës së përgatitjes të Forcave të Armatosura për të qenë ‘’denjësisht’’ pjesë e një Aleance kaq të zhvilluar sa NATO. Ajo që e përforcon edhe më tej këtë pohim është fakti që Kërkim Zhvillimit, jo vetëm nuk i jepet rëndësia e duhur (duke patur parasysh se jemi në vitin 2015, kur R&D janë themeli i zhvillimit), por planifikohet të zhvillohet vetëm pas vitit 2022, kur Shqipëria të ketë më tepër mundësi dhe buxhet për ta bërë këtë. Është ironike kur kjo vjen në kontekstin e zhvillimit në Shqipëri të Takimit të nivelit të lartë të Bordit të Teknologjisë dhe Shkencës të vendeve anëtare të NATO-s.
Referenca:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, Vendim nr. 10 datë 26.02.2015.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Projektligj për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura. 2015. Online:
Ministria e Mbrojtjes. Faqja zyrtare. Online: www.mod.gov.al
Croatia: Armed Forces Long Term Development Plan. Online: http://www.isn.ethz.ch/Digital-Library/Publications/Detail/?lang=en&id=154936