![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1- Debati i vulosur mbi një pllakatë
Muaji shtator vjen me një larmi aktivitetesh mbështetur nga ministria e Kulturës apo në vartësi të saj sikurse dhe më i trazuar në lidhje me përfundimin e projektit ADRIFORT, i cili solli replika dhe revolta ndërmjet publikut, historianëve dhe ministrisë së Kulturës, duke nxitur reagimin e vetë ministres Kumbaro.
Në muajin shtator ministrja e Kulturës inspektoi përfundimin e punimeve të restaurimit në Kalanë e Lezhës, i cili u realizua në kuadër të projektit Adrifort. Ky projekt është realizuar nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Art Kontakt. Nga Informacioni për publikun mësojmë se projekti u financua nga IPA Adriatic CBC Programe 2007-2013 me synimin e krijimit të modeleve të reja të menaxhimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet partneritetit Publik Privat dhe një rrjeti aktorësh të gatshëm për të gjallëruar dhe menaxhuar trashëgiminë e fortifikimeve, duke e shndërruar aktivitetin e tyre në një mjet të zhvillimit ekonomik për zonat ku ndodhen.
Rrjeti Adrifort përfshin një seri instrumentash ndihme për këdo që ka nevojë të japë dhe marrë informacion: si psh krijimi i një harte dixhitale të Fortifikimeve të Adriatikut, një qendër për dokumentimin e fortifikimeve të zonave ndërkufitare, rritje kapacitetesh nëpërmjet organizimit të seminareve, ëebsajteve, dhe neësleters periodike. Objektivi Kryesor i projektit është kapitalizimi dhe fillimi i një inisiative të re të përshtatshme për të mbështetur institucionet në ndërtimin e një modeli virtuoz të ruajtjes dhe menaxhimit cross border- ndërkufitar të netëorkut-rrjetit të fortesave të Adriatikut si Trashëgimi Kulturore strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të zonës së programit IPA Adriatik.
Ndërkohë në fjalën e saj gjatë prezantimit final të projektit ministrja Kumbaro ka theksuar mungesën e vemendjes ndaj monumenteve në 25 vjet dhe vështirësitë e mbrojtjes së tyre në kushtet e një emergjence në gjithë territorin. Por ajo që ngacmoi vëmendjen e publikut, qytetarëve dhe historianëve, gjatë promovimit të finalizimit të këtij projekti ishte vendosja e pllakatës në hyrje të Kalasë së Lezhës me mbishkrimin në osmanisht, si kujtesë për rikonstruksionin e këtij objekti historik nga Sulltan Sulejmani ne vitin 1522. Veprim, që çoi në reagimin e qytetarëve të zones, duke dëmtuar pjesët e hyrjes dhe vetë mbishkrimin e pllakatës në shenjë revolte me kërkesë për heqjen e tyre.
Në të shkruhet: “Sulltan Sulejmani ka rikonstruktuar këtë kështjellë të bekuar, Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e Dervish Muhamedit, i biri i Uzgur. Kryelarta, kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 1928 ose në kalendarin Gregorian, viti 1522. Ndërkohë kjo pllakatë është konsideruar si një skandal edhe nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare, i cili reagoi menjëherë pas publikimit të ngjarjes.
Të shumta qenë reagimet në rrjete të ndryshme të komunikimit publik dhe mediave, por ajo që dimë është se në Lezhë vijon të kërkohet heqja e pllakatës nga hyrja e Kalasë, për të kaluar në Muze. Asnjë lajm apo njoftim nuk u krye për të ndërmarrë një nismë mbi zgjidhjen e këtij konflikti e debati publik (zhvilluar në distancë) nëpërmjet paneleve të diskutimeve të hapura me palët e interesuara apo të cenuara. Nga gjithë kjo ngjarje reagimi i menjëhershëm i ministrisë së Kulturës ishte nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ku shprehet si më poshtë.
Statusi i Plotë i ministres Kumbaro:
Mos kini frikë nga monumentet e kulturës! Aq më shumë në një ditë feste, paqeje dhe urimesh e përkushtimi për Tjetrin, dënoj me forcë çdo veprim që cenon kulturën, trashëgiminë, gjurmët e historisë, monumentet e kulturës siç të parët na i kanë lënë! Ne kemi detyrë të mbrojmë e të ruajmë çdo gur e shpirt që kemi sot! Kemi detyrë t’ua përcjellim brezave!
Gjithçka është pjesë e identitetit tonë kulturor, kombëtar, ballkanik, europian, njerëzor!
Mos kini frikë nga monumentet! Monumentet janë dëshmitarë të histories, por nuk e shkruajnë atë! Historinë e shkruajnë historianët.
Ministria e Kulturës dhe restauratorët kanë detyrë të mbrojnë, të ruajnë e të promovojnë trashëgiminë, pa e deformuar, pa e zbukuruar.
Këtë do ta bëjmë të gjithë bashkë, si një komb i qytetëruar!
E kundërta ndodhet tek barbarët, tek armiqtë e kulturës, por edhe të vetvetes! Sot ata gjenden në krah të përbindëshit me emrin ISIS.
Dënoj aktin barbar dhe primitiv të dorës mjerane që demtoi mbrëmë natën portën e saporestauruar të Kalasë së Lezhës! Ndërtimet e viteve 1500 nuk hiqen nga historia në vitin 2015, o trima të errësirës!
Sikurse nuk fshihen gjurmet e origjinave tona të lashta kudo në territor! Policia ka filluar veprimet. IMK dhe Drejtoria rajonale kanë filluar punën për pastrimin e Kalasë, me paratë e taksapaguesve shqiptarë!
I bëj thirrje komunitetit të sensibilizohet në mbrojtje të monumenteve kudo që janë!
Mjeranëve, nëse nuk paguajnë ende taksat, i ftoj të mësojnë së paku gjuhën shqipe!
Gëzuar Bajramin!
Një deklaratë me tone të ashpra kjo nga ana e ministres Kumbaro për nga dialektika e përdorur, diskursi dhe krahasimet disi dalluese apo të përvetëshme, që ndoshta nuk janë aq të denja për rolin e një përfaqësuesi të lartë institucional, siç është dhe ai i ministrisë së Kulturës. Në fakt, një reagim i tillë të bën të mendosh për një trimëri në deklarata përpara një publiku shumë të gjerë, por që nuk gjenerojnë zgjidhje të problemit, ndonëse vijnë në emër të mbrojtjes së punës dhe të mbrojtjes së monumenteve të kulturës. Gjithsesi, deklarata ka nxitur reagime të ndryshme pas publikimeve të saj dhe nga shtypi i shkruar nëpërmjet komenteve të shtresave dhe niveleve të ndryshme të publikut. Reagimet kanë qenë të shumta dhe në rrjetet sociale, nga ku pjesa me e gjerë e komentuesve qëndrojnë kundër kësaj inisiative dhe vendimit për vendosjen e pllakatës (për shumë ditë me radhë).
Por a u arrit një diskutim frytdhënës në zgjidhjen e ketij shqetësimi që ka sjellë kjo nismë? Ende jo. Qytetarë dhe historianë vijojnë të kërkojnë heqjen e saj. Ateherë mendojmë se do të ishte më me vend që për këtë rast të ndërmerej një nismë, nga ku të uleshin në bisedime historianët dhe specialistët e fushës, për të vendosur më të mirën e mundshme dhe për të dalë në konkluzione konkrete, si edhe të arrijnë në një marrëveshje për të qetësuar situatën e krijuar. Sepse, deklarata e vetë ministres nuk çon në përfundime shkencore apo historike kur na jep zemër duke u shprehur:
“Mos kini frike nga monumentet! Monumentet janë dëshmitarë të historisë por nuk e shkruajnë atë! Historinë e shkruajnë historianët.”
Sepse Monumentet vërtetë janë dëshmitarë (pa gojë), por janë edhe dëshmues të periudhave historike dhe janë keto material, të cilave u referohen historianët për të shkruar historinë e jo histori të hamendësuara. Ato mbeten baza më ekzistencialiste e historisë dhe trashëgimisë tonë kulturore. Prandaj do të ishte më me vend që edhe këtë herë të vlerësohen historianët, duke u lejuar të thonë fjalën e tyre nëpërmjet fakteve dhe dhe sëbashku me ministrinë të vendosin elementët e trashegimisë në vendin që u takon, në shenjë dashamirësie dhe mbrojtjeje të këtyre aseteve të kujtdo periudhe qofshin. E vlerësojmë punën e bërë deri më sot dhe dëshirën e mirë për të mbrojtur dhe punuar në përmirësimin, mbrojtjen dhe restaurimin e çdo elementi të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, por jo në nivele që do të sfumonin rendësinë e historisë dhe vetë historianëve. Mbetet ende shumë punë për të bërë dhe këtë e thotë edhe vetë ministrja gjatë fjalës së saj; ky është vetëm fillimi. Më i rëndësishëm është komunikimi i vazhdueshëm, diskutimi i hapur, transparenca dhe bashkëveprimi në proçeset e vendimmarrjes.
Referenca:
http://www.kultura.gov.al/al/neësroom/lajme/kalaja-e-lezhes-perfundon-projekti-adrifort&page=1
http://www.balkanëeb.com/site/vendosja-e-pllakates-ne-hyrje-te-kalase-se-lezhes-historianet-kunder/
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=322015
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=322087
http://www.mapo.al/2015/09/incidenti-ne-diten-e-bajramit-revoltohet-ministrja-kumbaro