
Rezearta Caushaj
1-Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar
Këtë vit janë bërë disa përpjekje për reformën në administratë, jo vetëm si një nga prioritetet e vendosura nga Komisioni Europian, por si një nga aspektet, që prekin cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarit, që karakterizohen në masë nga burokracia, zbatimi i urdhrave mbi ligjet dhe rregulloret dhe mungesa e meritokracisë apo garanicive ndaj punonjësve të administratës. Disa nga nismat e ndërrmarra në këtë aspekt kanë qënë:
A -Shqipëria dhe Komisioni Europian kanë diskutuar mbi progresin e reformës në administratë
B -Prezantimi i Projektit Mbështetje për reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri
C -Marrëveshje për bashkëfinancimin e Qendrës së Shërbimeve Publike
D -Trajnimi mbi rritjen e cilësisë së Shërbimeve Publike
E -Inovacioni si armë ndaj korrupsionit në administratë etj.
F -Portali oneline eAlbania, me anë të të cilit eleminohet disa burokraci, nëpër të cilat qytetari duhet të kalonte për të marrë një vërtetim të thjeshtë.
Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, progresi mbetet ende në planin horizontal, që do të thotë, kryesisht vetëm në kuadrin teorik, deklarativ dhe jo praktik. Kjo, pasi nuk flitet me shifra dhe statistika konkrete apo raporte të mirëfillta, por në parim dhe në teori. Çdokush do t’i përshëndeste dhe vlerësonte nismat, programet dhe strategjitë në funksion të përmirësimit të shërbimeve administrative dhe punësimit sipas standardeve të BE-së, por fakti është se shumica e qytetarëve mbeten ende skeptikë në lidhje me transparencën e proceseve selektive apo aplikimit të politikave të punësimit dhe rritjes së performancës në AP shqiptare. Vazhdimisht flitet për reforma dhe stabilitet, por ende nuk ka garanci.
Akoma persiston mungesa e trasparencës në aplikimet për vendet bosh të punës e sidomos numri i madh i kontestimeve, ku dënohet inskenimi i konkurseve fiktive, ndërkohë që procesi i përzgjedhjes së fituesve kryhet jashtë formatit të përcaktuar nga ligj dhe këta të fundit emërohen paraprakisht, gjë që rrit mosbesimin dhe si rrjedhim vetë procesi i konkurrueshmërisë ka një rrjedhje, sepse – të shkurajuar – profesionistët më të mirë nuk aplikojnë. Punonjësit e administratës ende vazhdojnë të rekrutohen për pjesëmarrje nëpër mitingje elektorale apo mbledhje votash në baza partiake, që është larg standardit europian.
Nuk ka një vlerësim se si kanë ndikuar tentativat e rregullta për reformë në administratë, që në rastin më të mirë kanë shërbyer si justifikim për spastrime me baza partiake dhe punësime në të njëjtat baza. Problematikë tjetër shumë aktuale mbetet edhe raportimi mbi mosmenaxhimin e mirë të proceseve kompetitive, si dhe mungesa e transparencës nga ana institucionale nëpërmjet procedimeve online, çka sjell një re dyshimi mbi lulëzimin apo mosluftimin e duhur të fenomeneve si korrupsioni dhe respektimin e meritokracise.
Duke iu referuar qasjes së përdorimit të teknologjisë për ofrimin e shërbimeve publike, ende nuk ka një plan mbi mënyrën se si qeveria ka ndërmend të arrijë një nga qëllimet e saj, që ka qenë konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe rritja e numrit të përdoruesve. Është e lehtë për të folur për përdorimin e shërbimeve nëpërmjet teknologjive të informacionit, por kjo duke folur për kryeqytetin apo qytetet më të mëdha në rastin më të mire, sepse më tej dobësohet jo vetëm përdorimi dhe mungesa e aftësive për t’i përdorur, por sidomos mungesa e zotërimit të teknologjisë në fjalë.
2-Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
Reforma më e përforlur, ajo më kyçe dhe absolutisht më e nevojshme, duke qënë së zbatimi i reformave të tjera varet nga aftësia e organeve gjyqësore për të siguruar ndërshkueshmërinë ndaj thyerjes së ligjit dhe balancimin dhe kontrollin e pushteteve. Nga ajo çka arrihet të deduktohet paraprakisht, është një arritje pozitive fakti që po konsiderohet reformimi në çdo aspekt i sistemit të Drejtësisë. Ndërkohë që nismat e mëparshme janë limituar në debatin e kompetencave të ndara midis Presidentit dhe Parlamentit si instrumenta kontrolli, tashmë disa nga fushat që do të preken do tè jenë: kompetencat e Presidentit në sistemin e Drejtësisë, ato të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokuroria, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, ligji për Referendumet, ai për organizimin e pushtetit gjyqësor, si dhe ligji organik për Institucionin e Presidentit, Ligji për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ligji për Shkollën e Magjistraturës, Ligji për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor shtetëror dhe privat. Është një ligj, miratimi i të cilit do të kërkojë një bashkëpunim shumë të fortë midis pozitës dhe opozitës dhe do të jetë provë e fortë e vullnetit politik në vendin tonë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Nga ana tjetër, qasja e qeverisë aktuale ndaj kallëzimit të krimeve dhe abuzimeve është në thelb çështje më vete, sepse duket që nuk ka asnjë lloj problemi në shkarkimin e problemeve më të mëdha në shpatullat e një drejtoreshe shkollë, që merr lekë për punësimin e mësuesve, e mësuesve që shesin notat në Elbasan (e kudo), për njerëzit e thjeshtë që nuk kanë paguar energjinë elektrike, për berberët që punojnë pa kasë, por e njëjta gjë nuk ndodh me bizneset e mëdha, të përshira në evazion fiskal, në çështjen për vjedhjen e Bankës kombëtare, në atë Doshi-Meta-Tahiri-Frroku që “vdiq” pas një jave intensive diskutimesh, në skandalet për abuzimin me tenderat, në denoncimin nga Ambasada Amerikane mbi prezencën e personave të inkriminuar në Parlament etj. Të gjitha çështje, të cilat minojnë besimin e qytetarit, sidomos për shkak të mungesës së trasparencës së këtyre proceseve. Qasja është e gabuar, sepse ka targetuar qyetetarin e thjeshtë në tentativën për të krijuar imazhin e një shteti ligjor, që imponon zbatimin e ligjeve.
3-Lufta kundër korrupsionit
A mund të quhet sukses portali www.korrupsioni.al në momentin që një ankesë e qytetarit shkon në 4 zyra të ndryshme të qeverisë, por në asnjë zyrë të Prokurorisë? Në momentin që nuk ka një publikim raporti mbi suksesin apo fatin e denoncimeve? Në momentin që KLD bën kallëzim pranë ministrisë së Brendshme për shpërdorim detyre të punonjësve në procedurat e jo më pak se 12 tenderave, po ata mbahen ende në punë? Ç’mund të shpresojè një qytetar i thjeshtë në momentin që organet kompetente nuk merren parasysh?
Kur aktivitetet e Miss-eve apo të tjera aktivitete kulturore shfrytëzohen si raste perfekte për zhvatje të parave të taksapaguesve? Ç’mund të shpresojë një qytetar i thjeshtë të arrijë, në momentin që korrupsioni ka arritur përmasa të frikshme, siç është publikuar në muajin e fundit me skandalin për privatizimin e CEZ e më pas prishjes së kontratës me një dëm prej 200 milionë eurosh ndaj taksapaguesve shqiptarë, skandal, në të cilin janë përfshirë dy administratat e fundit.
4-Lufta kundër krimit të organizuar
Lufta ndaj krimit të organizuar dhe sidomos aksioni ndaj fshatit të Lazaratit vitin e kaluar praktikisht kanë meritën për fitimin e statusit kandidat dhe na duhet të pranojmë se sasi të mëdha të lëndëve narkotike janë sekuestruar nga policia edhe këtë vit.
Problemi madhor qëndron natyrisht përfshirja e policisë dhe zyrtarëve të lartë në rrjete të krimit të organizuar. Duke filluar nga avionë “fantazmë”, të cilët trasportojnë lëndë narkotike, e deri te pretendimet e raportit të Departamentit të Shtetit amerikan mbi ekzistencën e deputetëve të përfshirë në të tilla afera, lufta ndaj krimit të organizuar është ende në majën e ajsbergut. A ka sukses lufta kundër korrupsionit, në momentin që njeriu që e përfaqëson atë është i njëjti që ishte në dijeni për akuza kriminale midis deputetëve të parlamentit, por nuk i bëri publike deri në momentin që u vendos me shpatulla pas murit?
5-Mbrojtja e të drejtave të njeriut
A mund të flasim për mbrojtje të të drejtave të njeriut, në një vend ku të drejtat politike përkthehen në blerje e shitje votash? Në një vend ku nuk të burgos një urdhër i Prokurorisë, por një urdhër i kryeministrit? Në një vend ku kërcënimi më i përdoruar është heqja nga puna? Në një vend ku në protesta të dhunon shefi i policisë, i mbrojtur nga vetë ministri i Brendshëm në aktet e veta? Ku kërcënimet ndaj gazetarëve janë arsyeja e mosekzistencës së shtypit të lirë e pluralist? Në një vend ku mungon trasparenca dhe informacioni shtrembërohet? Në një vend ku imponohet qasja se i veshuri me autoritet publik nënkupton qëndrimin mbi ligjin dhe përtej dënimit? Në një vend ku drejtësia është një mall që shitet shtrenjtë?
Referenca:
http://www.parlament.al/ëeb/pub/keshilli_i_integrimit_procesverbal_date_08_06_2015_23265_1.pdf
https://appa.brentonkotorri.com/category/ministria-e-inovacionit/
https://appa.brentonkotorri.com/category/ministria-e-drejtesise/
https://appa.brentonkotorri.com/raport-maj-2015-ministria-e-puneve-te-brendshme/