![Gerion Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
1- Zhgënjimi që pritej
Mjaft krenar ka kumbuar zëri i kryeministrit dhe të gjithë ndjekësve të tij, edhe kur diskutoheshin platformat politike para zgjedhjeve vendore, por edhe atyre lokale mbi moslejimin e ndërtimit të HEC-it në lumin Vjosë. Kundërshtime të argumentuara nga stafi i kryeministrit, të cilat bashkoheshin me zërat dhe thirrjet e organizatave ambjentaliste, madje në një linjë edhe me këndvështrimin dhe paralajmërimin e Parlamentit Europian specifikisht mbi këtë çështje. E thënë më thjeshtë, kaluam nga pretendentë për park kombëtar në de facto kantier ndërtimi për HEC. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave më 29 korrik 2015 është miratuar konçensioni i hidrocentralit Poçem në lumin e Vjosës.
Përveçse trishtimit dhe pikëllimit, nuk duket të ketë asnjë lloj reagimi, madje është një qetësi e frikshme, e cila po fashitet dhe nga zbulimet e njëpasnjëshme të ditëve të fundit të gropave të abuzimit financiar të OSHEE dhe CEZ. Vëmendja mungon krejtësisht në këtë çështje kaq specifike dhe dekonstruktive, saqë është e frikshme. E në fakt duket se nuk ka më asnjë që t’i rikujtojë kryeministrit apo edhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë premtimet e kaluara specifikisht mbi këtë çështje. Në fund mbetet shumë e qartë se nuk i “dhemb” askujt për këtë deformim ambjentalist, të cilin po ua lemë trashëgimi, sëbashku me hapat e tjerë të shkretimit dhe varfërisë, brezave të ardhshëm, të cilët rriten në këtë pasivitet dhe hipokrizi të pashoqe.
2- Gropa që s’po di të mbyllet!
Muaji shtator ka qënë një muaj i zi dhe mjaft negative, si në ndjesi, por edhe balance, në sektorin e energjisë. Patjetër që tashmë po i njëjti ministër nuk gjen më guximin të dalë e të propagandojë marrëveshjet për gazifikimin apo përmirësimin e cilësisë së rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, sepse është e qartë se besimi i publikut ka rënë në masë drastike. Për të disatën herë dalin në skenë vjedhje me shifra marramendëse nga zyrtarë të lartë të OSHEE, CEZ apo edhe institucione të tjera të përfshira, të gjitha këto skenarë me një prapavijë të thellë politike, që sjellin veçse dëshpërim humbje dhe dekurajim. Madje arrijnë deri aty sa të sjellin një frymë të re edukimi, atë të korrupsionit të shifrave të larta, që mund të arrihet vetëm përmes aderimit në politikë.
Por asgjë nuk ndodhi këtë muaj, pasi që në tetor 2014, këmbanat e alarmit për manipulim të tenderave të energjisë nga OSHEE ranë ndjeshëm me tingëllimat e shifrave prej 6.87 milionë eurove nga janari në korrik 2014, plus 457 mijë euro të tjera gjatë muajve gusht dhe shtator. E gjithë kjo situatë nuk pati asnjë shpjegim mbi përgjegjësitë e palëve të përfshira. Ndërkohë, këtë muaj Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori një ish-administrator të CEZ dhe 2 ish-drejtues të tjerë të kësaj shoqërie, të cilët kanë shkaktuar një dëm prej 32 milionë eurosh përmes:
- Blerjes së energjisë elektrike
- Mbifaturimin e konsumatorëve
- Blerjen e materialeve dhe pajisjeve elektrike.
Shifra të frikshme për çfarëdo lloj realiteti shoqërie nëpër botë. Shifra, të cilat për një vend si yni janë jetësore, vidhen nga skema dhe individë, të cilët gjenden në nivele të larta të pushtetit, me pamundësinë për t’i rrëzuar, nëse nuk “i bien në kallo” ndonjë të madhi. Pyetja e natyrshme, që vjen menjëherë pas kësaj shifre, është: a do të dëmshpërblehen qytetarët për ato fatura të mbifaturuara, për energjinë e blerë dhe të gjitha dëmet e tjera që kanë shkaktuar këta tre ose më shumë persona?
Në dy vjet vetëm me këto dy episode kemi pothuajse 40 milionë euro abuzime në sektorin energjetik, i cili mbetet një gropë e zezë tunduese dhe penalizuese ndaj qytetarëve, por pasuruese për politikanët. Nëse aksioni kundër informalitetit kërkon përgjegjësinë nga qytetarët konsumatorë, por edhe nga qytetarët që punojnë në biznese ose janë të vetëpunësuar në to, na duhet një aksion për t’i kujtuar qeverisë faturat e evazionit që bën ajo ndaj popullit me shifra si këto më lart.
Referenca:
http://www.reporter.al/investigimi-oshee-akuzohet-se-manipuloi-tenderet-e-energjise/
http://www.reporter.al/autoriteti-konkurrences-tenderet-e-energjise-se-oshee-jo-transparent/
http://www.reporter.al/kriza-energjetike-e-shqiperise-u-shkaktua-nga-gabimet-e-kesh/
http://www.reporter.al/rama-shkel-premtimin-per-hidrocentralet-mbi-lumin-vjose/
http://balkanëeb.com/gazetashqiptare/plani-i-qeverise-dhe-e-ardhmja-e-vjoses/