
Jona Hoxhaj
Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin e drejtuar nga ish Ministri Ilirjan Celibashi që nga fillimi i mandatit të Partisë Socialiste në mazhorancë deri ne Gusht të 2014, u konsiderua jo shumë stabël dhe u kritikua për performancën e dobët nga media. Ende pa u konsumuar viti i parë i punës Ministri dha dorëheqje për tu zëvendësuar nga Ermonela Felaj. Që nga Gushti i vitit 2014 dhe në vazhdimësi Ermonela Felaj është Ministre për Marrëdhënie me Parlamentin. Përcaktimi i përgjegjësive të kësaj Ministria është vendosur nga Këshilli i Ministrave me propozim të Kryeministrit në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Muaji shkurt i vitit 2015, sikurse në te gjithë muajt paraprak që nga fillimi i Qeverisjes së Partisë Socialiste, funksionaliteti I kësaj Ministrie vihet në pikëpyetje për arsye të jo transparencës në web faqen e tyre dhe aktiviteteve të pamjaftueshme. Lajmet më të reja dhe informatat për aktivitetet dhe punën e MMP-së janë të pakta në numër dhe është e vështirë të gjenden.
Gjatë këtij muaji ngjarjet e vetme qe mund të aksesoheshin lidhur me punën e MMP-së ishin; vizita e Ministres Znj. Ermonela Felaj me Kryeministrin Z. Edi Rama në Bashkinë Ura Vajgurore/ Berat për të mbështetur banorët e kësaj zone pas përmbytjeve që kishin ndodhur në natën e 1 Shkurtit 2015, informacioni i publikuar lidhur me mbledhjen e konferencës së kryetarëve si dhe takimi Ministres së Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin me drejtoreshën e Bankës Botërore Znj. Tahseen Sayed. Me datën 5 Shkurt 2015 Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të miratuar kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 3 javore 6/02/2015-26/02/2015. Temat kryesore të mbledhjes ishin; diskutimi i kërkesës së Grupit Parlamentar të PD për disa ndryshime në vendimet e Kuvendit lidhur me ngritjen e komisionit “ad hoc” “Për Reformën në Drejtësi”. Reforma për Drejtësi e paraqitur nga Partia Demokratike në Kuvend konsistonte në ndryshimin e strukturës së Komisionit të Reformës në Drejtësi duke kërkuar bashkdrejtim në mes të opozitës dhe pozitës duke u përfaqësuar në grup me nga 6 persona secila. Në këtë mbledhje u miratua kalendari dhe u refuzua kërkesa e grupit Parlamentar të PD. Kurse në web-in e Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin informacioni është i pakët dhe i pa kompletuar. Qytetarët dhe grupet e tjera të interesuara për informacion hasin vështirësi në aksesin e informacionet që i përket përgjegjësisë së kësaj Ministrie. Takimi i Ministres së Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin me drejtoreshën e Bankës Botërore Znj. Tahseen Sayed u zhvillua me qëllimin e njohjes së misionit të Bankës Qendrore dhe ndihmës që i ofrohet Shqipërisë nga Banka. Gjithashtu u diskutua për bashkëpunimin në kuadër të hartimit dhe miratimit të projektligjeve që do të miratohen në Kuvend të financuara nga Banka Botërore. Kjo ministri është përgjegjëse për të ndërvepruar në mirëvajtjen dhe efikasitetin e të gjitha projekteve që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Programet e MMP-së përfshijnë në preambulë, integrimin në Bashkimin Europian, Shqipëria Europiane në rajon dhe në botë si dhe shteti i së drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë. Të gjitha këto programe duke përfshirë dhe prioritetet dhe objektivat e kësaj qeverie në web-in zyrtar të ministrisë kanë shumë pak informacion dhe disa nga ato nuk kanë informacion mbi programin dhe mirëvajtjen e planeve që ata kanë për këto programe. Problemi më i madh i identifikuar, jo vetëm për muajin Shkurt, por për gjithë funksionalitetin e kësaj Ministrie është mungesa totale e transparencës dhe jo efikasiteti. Duke mos pasur një plan veprimi dhe programe të publikuara në web-in e tyre zyrtar, vihet në dyshim përmbushja e objektivit kryesor të çdo Ministrie në çdo vend të Botës, përgjegjësia e tyre ndaj qytetarëve që ua besuan votën.