
Blerina Llalla
Strategjia e një Reforme të re në Administratën Publike
Në 4-Shkurt Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike prezantoi strategjinë e re për ngritjen e një grupi të posaçëm Shqipëri-BE, për reformën në administratën publike. Draft-strategjia për 2015-2020 do të mbështetet përgjithësisht në katër shtylla të cilat bazohen në politikbërje, në shërbimin civil, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe në procedurat administrative.
Sipas fjalës së Znj. ministre kjo është një strategji e hartuar në kuadër të reformës në administratë dhe në kuadër të standardeve evropiane që të sigurohet një funksionim efikas nëpërmjet teknologjive të reja. Gjithashtu bëri prezente dhe disa shifra në kuadër të reformës në administratë e cila nisi fillimisht me aplikimet online dhe rekrutimet nga periudha mars-shtator 2014, aplikime vetëm online.
Por nëse do të bazoheshim në raportimet publike nga palë të ndryshme gjendemi ende përballë një dyshimi në masë të qytetarëve kundrejt ndërmarrjes së reformave, mirëfunksionimit të procedimit për aplikimin në punësim. Kjo pasi gjendemi përballë një mbivendosjeje reformash në administratë kjo në bazë standardesh politike apo strategjike të çdo institucioni, Gjë që ka shkaktuar pakënaqësira në masë dhe për ish nëpunësit të cilët në pjesën më të madhe të rasteve deklarojnë mosfunksionimin e procedimit të aplikimeve online sipas standardeve të vendosura në saj te reformave të deritanishme. Le ta shohim këtë strategji si një nismë pozitive kundrejt përmirësimit të politikave të punësimit dhe rekrutimit të cilat mbeten çështje primare për qytetarët shqiptarë.
Nëse do të kthehemi tek komunikimi publik i MIAP nëpërmjet faqes së tij zyrtare do të shohim se shumica e sesioneve mbeten deri diku të azhornuara. Ndërkohë që si një dikaster me prioritet transparence dhe teknologji do të duhej të ishte i mire kuruar në emër të modernizimit të komunikimit.
Por, ç’ ndodh në website-i e DAP? Ku, sipas politikave të reja procedimi për punësim në administratë bëhet vetëm online nëpërmjet këtij Website-i. Në të mund të gjesh publikime të hershme dhe vihet re mosfunksionimi i mirë i tij përfshirë këtu dhe azhornimin apo aksesin e tij në disa sesione që ne shumicën e rasteve ndodh të mos kesh fare akses në veprimet seri. Gjatë 4 muajve të fundit është vënë re një inefiçencë totale e këtij website-i në shërbim dhe mirëmbajtje. Ngjarje këto që kanë kosto publike.
Nëse do të provonim të kontaktonim adresat e dhëna për qytetarët për aplikim, rekrutim apo informim, atëherë do të kishim në postën tonë elektronike një përgjigje automatike mesa duket e sistemit, e cila na bën me dije se kanë ndërtuar një formë të re sistemi aplikimi online për vendet vakante që shpallen në administratë dhe duke qenë se ky sistem synon lehtësimin e mënyrës së aplikimit etj., etj., për të marrë pjesë në konkurset që do zhvillohen në grup do të bëhet aktiv një aplikacion I cili do të bëhet aktiv në fillim të muajit mars, periudhe kur do të publikohen dhe vendet vakante të planifikuara për vitin 2015, si dhe na inkurajojnë të mos humbasim interesin për të plotësuar formën e regjistrimit.
Por kjo nuk na bën të largojmë vëmendjen nga problematika kryesore e këtij formati rekrutimi i cili mbetet baza për perspektivën e karrierës në administratë të çdo qytetari e nëpunësi civil. Nëse është ë pamundur të marrësh një informacion për mundësi punësimi apo lëvizje paralele në kohën e duhur dhe nëse s’mund të regjistrohesh si aplikant sepse website-i nuk të jep aksesin dhe nuk është funksional apo i azhornuar, atëherë ç’ mbetet të themi për transparencën e këtij procesi aplikimesh? Si behet përzgjedhja apo lëvizja paralele për shumë nëpunës, ish nëpunës apo të papunë dhe rishtarë të cilët synojnë këtë kategori rekrutimi?
Nëse do të evidentonim disa nga problematikat që vazhdojnë të prekin aktualitetin sipas kontestimeve publike apo debateve të ndryshme politike e sociale gjejmë të panoramuara dhe këto përbri risive në ridimensionim të administratës apo sektorit të punësimit në përgjithësi;
Marrëveshjet politike dhe koalicionet para e pas zgjedhore përkthehen shpesh në pjesëtim të posteve e të vendeve të punës. Perceptimi popullor e mediatik, por dhe disa studime të disa OJF-ve janë të tilla; që këto marrëveshje e koalicione përfundojnë qoftë në qendër dhe në bazë me ndarje të tortave të punësimit. Duke minuar kështu edhe ato pak përpjekje për meritokraci që mund të gjesh në disa deklarime e përplasje televizive. Militantizmi që ndihmon në grumbullim votash do patjetër përfitime në vende pune bazuar në marrëveshjet e mësipërme. Këto ditë në shtyp, fare hapur po flitet për ndarje bashkish apo zonash zgjedhore që do të kenë si pasojë çka thamë më sipër.
Korrupsioni është plaga më e madhe edhe në fushën e punësimit. Ende përfitimi material është në qendër të diskutimeve të gjithfarë niveli. Pagesa për të përftuar një vend pune është akoma një dukuri e përhapur. Edhe kjo në nivel perceptimi popullor e mediatik, por nuk mungojnë dhe rastet e denoncimeve që kanë përfunduar në gjykata duke u ndëshkuar në sajë të shkeljeve të kryera. Por në masë preferohet heshtje në të tilla raste. Së treti, nepotizmi e klientelizmi janë barriera të forta kundër konkurrimeve e meritokracisë. Ka raste kur konkurrimet janë formale dhe fituesit janë të paravendosur apo fituesi favorizohet me mënyra të sofistikuara.
Këto kanë qenë, mbeten dhe do vazhdojnë të jenë fenomenet dhe sfidat e çdo qeverie, për t’u luftuar dhe për të cilat duhet një impenjim, si dhe një strategji sa më efikase për të reduktuar këto fenomene. Kjo duke qenë se punësimi mbetet sfidë dhe prioritet i çdo qeverie në çdo kohë.
Kjo do të arrihej duke siguruar mirëfunksionimin e praktikave dhe metodave të reja të aplikuara në funksion të proceseve selektive meritokratike dhe transparente. Për të rritur efektivitetin e këtyre reformave do të duhej një asistencë më e madhe e grupeve të monitorimit dhe auditimit. Kjo për të siguruar një shërbim sa më të mirë ndaj qytetarit. Për të nxitur mirëfunksionimin, për të reduktuar kostot që mund të shkaktojë mosrespektimi i detyrave dhe ushtrimit të përgjegjësive në bazë të strategjive institucionale. Për këtë do të ishte më mirë të kishim dhe publikimin e të gjitha fazave të procesit të konkurrimeve, duke filluar që nga momenti I shpalljeve të njoftimit deri në momentin e përzgjedhjes së fituesve, kjo sipas vetë ligjit të AP. Impakti do të ishte gjithnjë më I lartë dhe pozitiv.
Duke qenë se në fokus të qeverisë do të ishte përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për ta rikthyer nëpunësin e administratës në shërbyes të qytetarëve. Gjithashtu do të ndërtoheshin mekanizma efikase të kontrollit në mënyrë që kjo administratë të ishte realisht në shërbim të qytetarëve. Kjo lloj strukture do ta forconte administratën drejt rezultateve të matshme dhe punë më të efektshme. Lajmi mbi një strategji të re sipas standardeve të BE-së konsiderohet dhe do të jetë një nismë shumë e mirë në modernizimin dhe rritjen e performancës së administratës publike shqiptare si një domosdoshmëri dhe garanci drejt zhvillimit dhe rritjes së kapaciteteve në këtë shtylle qendrore të funksionit të çdo institucioni.
Nëse do të përmendim risitë, vlerat dhe mbi të gjitha sukseset e një qeverisje demokratike do të ishte mirë të jemi të ndërgjegjshëm që sfida e “modernizimit dhe e rritjes së performancës së administratës publike shqiptare” është treguesi më i qarte i asaj që jemi dhe asaj që do të jemi nesër në bashkësinë e shteteve të UE. Të shpresojmë se Ministria e Inovacionit dhe Administratës publike si përgjegjësi kryesor ligjor për realizimin të ketë ndërgjegjësimin dhe vullnetin po aq të lartë përpos përgjegjësisë ligjore.