![Rezearta Caushaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/11042072_10152755179952098_1617951722_n-211x300.jpg)
Rezearta Caushaj
Legalizimi – Premtimi i bërë realitet?!
Ministria e Zhvillimit Urban ka pasur një vëmendje intensive duke filluar që nga viti i kaluar duke qenë se një nga premtimet kryesore të qeverisë Rama ka qenë që t’i jepet fund ndërtimeve informale dhe të çlirohen hapësirat urbane duke i hapur rruge projekteve të reja urbane. Shumica e qytetarëve shqiptar janë me familjar me termat INUK (ish tashmë) ose IKMT, për shkak të mënyrës se si është menaxhuar situata e ndërtimeve informale nga kjo qeveri. Në një paragraf të shkurtër që hasa në Faqen Zyrtare të Ministrisë në fjalë gjendet deklarata e mëposhtme: “Është mbajtur premtimi për legalizimet falas. Ndryshimet në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar, kanë lehtësuar në maksimum detyrimet financiare për qytetarët, duke hequr tarifat e shërbimeve.
Procesi i legalizimit bëhet falas dhe i gjithë shërbimi ofrohet nga shteti. Praktika e mëparshme e dështuar e legalizimeve, ka krijuar skepticizëm të madh për komunitetin. Qeveria Rama pas 23 viteve, mori përgjegjësinë t’i jap fund zvarritjeve të qytetarëve dhe procesi i legalizimeve të mos jetë burokratik dhe i stërzgjatur, por institucional dhe i mirë-koordinuar. Po i jepet fund korrupsionit, makthit të sorollatjeve, mospërfilljes së qytetarëve! Qasja jonë është tërësisht e strukturuar me një skemë të qartë dhe inovatore. Sfida kryesore, që shkon paralel me legalizimin është urbanizimi i zonave informale! I gjithë ky proces, që porsa ka filluar, do të përfundoj brenda mandatit të parë qeverisjes.”[1]
Që politikat e ndërmarra nga qeveria Berisha mbi legalizimet e ndërtimeve pa leje ishin të pasuksesshme, kjo është e sigurtë, por është po aq një tentativë e dobët të konsiderosh ekzistencën e tarifës mbi legalizimin si çelësin e problemit të zbatimit të ligjit që daton që nga viti 2006. Çështja e legalizimeve ka të bëj me një sërë vështirësish që ndërthurin problemin e përhershëm të pronave në vendin tonë, ndërtimet e paligjshme, ndërtimet për të cilat është dhënë një leje që më vonë është revokuar dhe si rrjedhim pastaj vjen burokracia, makthi dhe mospërfillja e qytetarëve! Heqja e tarifës, sado për t’u duartrokitur që është, nuk është ngritur ndonjëherë si problemi madhor nga qytetarët dhe nga ç’ mund të deduktojmë qëkur Ministria filloi zbatimin e planit të saj, aplikimi falas nuk ka për të qenë faktori përcaktues për suksesin.
Ajo që është më evidente është se mungon një strategji, e cila duhet të harmonizonte planet për zhvillimin e projekteve urbane si dhe planet për legalizimin e banesave. Në ligjin e miratuar në vitin 2006, Nr.9482[2] “Mbi legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” praktikisht parimi kryesor është që do legalizohet të gjitha ato objekte të cilat janë ndërtuar në truallin në pronësi të personit që ka ndërtuar, pra, që nuk kërkon kalim pronësie. Ajo që ai nuk adreson është çfarë ndodh për objektet të cilat presin të legalizohen dhe që janë në të njëjtën kohë pjesë e projekteve urbane. Kjo dileme iu paraqit publikut shqiptar me se miri me rastin e ndërtimi të rrugës Transballkanike me autostradën Vlorë-Fier[3], ku banorët u nxorën në rrugë dhe e vetmja zgjidhje e ofruar për ata që nuk janë ligjërisht pronar të banesës së tyre është që shteti do u paguaj qera për 2 vjet dhe do iu jap prioritet në programet për pajisjen me shtëpi të personave të pastrehë. Kjo “zgjidhje” iu komunikua banorëve të Vlorës nga vetë titullari i Ministrisë, Znj. Eglantina Gjermeni sepse qeveria jonë mendon se është mbështetja “morale” ndaj qytetareve që ka rëndësi dhe alokimi i ministrave është zëvendësues ndaj zgjidhjeve konkrete që qeveria duhet t’u paraqes qytetarëve.
Zgjidhja e dhënë këtyre qytetareve është thellësisht diskriminuese sepse ata nuk mund te përfitojnë nga ligji mbi legalizimet, duke vendosur banesat ne pronësi te tyre dhe për te përfituar nga gjithë përparësitë që ofron zotërimi i kësaj pronësie. Me konkretisht, nëse këta persona nuk do përjashtoheshin nga ligji i mësipërm, si pronar te banesave te tyre ata duhet te fitonin kompensim te plote te menjëhershëm, ndërsa ne rastin konkret do u duhet që tashme te blejnë një tjetër banese, ndoshta te ndihmuar nga programet për te pastrehët, por qe gjithsesi ky është thjeshte një program lehtësues e asgjë me tepër.
Nga ana tjetër, nuk mund te dihet se çfarë impakti do kenë projekte ambicioze te qeverise sonë mbi legalizimin e zonave informale, si ai i sapo shpallur nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për rivitalizimin e Rrugës së vjetër Egnatias “si një mundësi e madhe turistike, ekonomike, kulturore dhe ndërkufitare”[4]. Pra, nuk dihet se sa banorë të tjerë do vazhdojnë te mbeten ne qiell te hapur apo te jetojnë 2 vjet me qera me leket e taksapaguesve, ndërkohë që situate e tyre ne te tilla kushte mundet vetëm te përkeqësohet duke shtuar plagët sociale, te cilat do te rëndojnë ne kurriz te taksapaguesve shqiptar.
Një nga aspektet për t’u përgëzuar mbi ligjin e sipër përmendur ka të bëj me iniciativën për t’u akorduar personave me statusin e personave me aftësi të kufizuar, si para ose tetraplegjik, të verbër, etj. Si kategoria që trajtohen në mënyrë të veçantë nga ligji për legalizimet duke përfituar falas edhe truallin ku kanë ndërtuar. Një gjë e tillë është bërë këtë muaj në qytetin e Durrësit[5] dhe shpresojmë që të përhapet së shpejti edhe në qytete të tjera.
Ne Ligjin për Planifikimi dhe Zhvillimin e Territorit[6], neni 4 gj) theksohet se një ndër parimet mbi të cilat funksionon ky ligj është “harmonizimi me qasjen e Bashkimit Europian në fushën e planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, si edhe lidhur me kriteret mjedisore, ruajtjes së biodiversitetit dhe zonave të mbrojtura”. Nga ana tjetër sipas Konventës për të Drejtën Europiane të Pronësisë[7], ndërhyrja e ligjshme në pronësi ka dy mënyra zhdëmtimi: kompensimin e vlerës së pronësisë dhe kompensimi në bazë të dëmit të shkaktuar. E para nga e dyta ndryshon sipas përkufizimit të konventës sepse rasti i kompensimit të vlerës, në një proporcion të arsyeshëm, ndodh kur një person/subjekt privohet nga shfrytëzimi i pronës së vet dhe në rastin e dytë kur shpronësimi nuk ka ndodhur sipas rregullave dhe subjektit përveç vlerës, i duhet paguar edhe një vlerë shtesë për demin e shkaktuar.
Qartësisht zbatimi i ligjit shqiptar nuk mund të krahasohet me ligjet europiane sepse nëse ky do të ishte rasti, Ministria në bashkëpunim me qeverinë, do kishte përgatitur tashmë një plan kompensimi të drejte për personat, të cilët përjashtohen nga përfitimi i mundshëm i një politike para se ata të përfundonin në rrugë. Në rastin konkret plan i vetëm i bërë nga organet e qeverisë sonë që nga Ministria e Zhvillimit Urban të IKMT është dhënia e paralajmërimit për prishje të banesës si i vetmi detyrim ndaj qytetarëve të vet.
Përveçse muaji shkurt shënoi fundit e periudhës për aplikimin për legalizim banese, në datën 1 shkurt hyn në fuqi ndryshimet në Kodin Penal[8], ku për ndërtimet pa leje është hequr koncepti i dënimit me gjobë dhe duke u zëvendësuar me dënimin me burg siç ka sqaruar Znj. Bici, është shtuar koncepti i pasojave të rënda qoftë në tokë private, ashtu dhe në atë shtetërore duke vendosur një dënim maksimal deri në 5 vjet. Është shtuar dënimi për personat që japin ndihmë për ndërtimet e paligjshme, duke vendosur si masë dënimi burgim deri në 3 vjet dhe në këtë kuadër duhet të kemi parasysh sipërmarrësit, ndërtuesit apo zbatuesit e punimeve, siç ka sqaruar Znj. Bici drejtoresha e ish – INUK. Ajo që është tërësisht ironike është fakti që me gjithë bujën e madhe dhe ligjet apo VKM, ende nuk kemi një praktike te thjeshtëzuar që udhëzon qytetarët apo sipërmarrësit për atë që është një ndërtim i ligjshëm apo standardet e kërkuara si një mënyrë për të shmangur vazhdimin e ndërtimeve të tilla.
Në të njëjtën deklarate Znj. Bici ka shpjeguar edhe ndryshimin e emrit nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, por Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit sepse tashme i jepet prioritet absolut mbrojtjes së territorit. Ndoshta në një vështrim të pare ky ndryshim mund të duket i parëndësishëm, madje idilik, por nga ana tjetër kjo i hap rrugë shpronësimit të papërgjegjshëm me justifikim mbrojtjen e territorit.
Si përfundim, megjithëse çdo qytetar shqiptar bie dakord se kemi nevojë për një rimodelim të hapësirave urbane, për zhdukje të informalitetit përmes legalizimeve të banesave dhe inkurajimi i praktikave të shëndosha të ndërtimit, është e nevojshme që vënia në zbatim të bëhet në mënyrë të planifikuar dhe që të mos cenoj të drejtat e qytetarëve. Në këtë aspekt prishja e ndërtimeve pa leje duhet bërë sipas një plani, i cili duhet të jetë i aftë, mbështetur në një legjislacion të shëndosh, që të adresoje të gjitha problematikat duke siguruar një trajtim jo diskriminues si dhe një kompensim të drejtë të dëmeve të sjella.
[1] http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/programi/legalizimi-premtimi-i-bere-realitet
[2] http://www.planifikimi.gov.al/sites/default/files/Ligji_nr.9482_per_legalizimin,_urbanizimin_dhe_integrimin_e_ndertimeve_pa_leje,%20i%20ndryshuar_1.pdf
[3] http://shqiptarja.com/video/index.php?IDVideo=31742
[4] http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/iniciative-e-agjencise-kombetare-te-bregdetit-per-rivitalizimin-e-via-egnatia1424434670&page=1
[5] http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/durres-legalizim-falas-per-kategorite-e-personave-me-aftesi-te-kufizuar&page=1
[6] http://www.planifikimi.gov.al/sites/default/files/ligji%20i%20planifikimit%20te%20territorit%20miratuar%20dt.31.07.2014.pdf
[7] http://www.echr.coe.int/LibraryDocs/DG2/HRFILES/DG2-EN-HRFILES-11%281998%29.pdf
[8] http://shqiptarja.com/home/1/nga-1-shkurti-1-8-vite-burg-p-r-ata-q–nd-rtojn–pa-leje-dhe-n–tok-n-e-tyre-266633.html