Website-t zyrtare të Ministrive janë pasqyrat e punës. Ato shërbejnë si kontakti i parë me qytetarët në mënyrë që t’u ofrohet atyre transparenca. Ndaj nëse kërkojmë informacione rreth aktivitetit të një Ministrie, mënyra më e shpejtë për t’i marrë ato, afërmendsh që duhet të jetë website-t zyrtare e cilësdo prej tyre. Me këtë vijë logjike veprojmë edhe për t’u informuar më shumë rreth aktiviteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit. Fillimisht duhet theksuar se ajo çka vumë re në momentet e para kur vizituam Website-t ishte fakti që shumë direktori të saj nuk mund të vizitoheshin, pasi klikuam mbi to shfaqej shënimi: “Ndjesë, faqja që kërkuat nuk u gjet.”. Nuk dimë të themi nëse vërtet është një defekt teknik apo është një justifikim që përdoret për të mos dhënë informacionet që çdo qytetar, nën kuadrin e transparencës, ka të drejtë me ligj për të pasur akses mbi to. Gjithsesi nga ato informacione që ishin të aksesueshme kuptuam se gjatë muajit shkurt kanë qenë gjashtë aktivitete. Të paktën kaq janë publikuar në faqen online. Ndër më të rëndësishmet do të përmendim ngjarjet e mëposhtme.
Më 3 shkurt 2015 u firmos marrëveshja e grantit të investimit të Bashkimit Europian (nëpërmjet Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) për Bypass-in e Vlorës. Këtë marrëveshje e firmosi Ministri i Financave, si përfaqësues i palës shqiptare dhe për BERZH-in e firmosi Drejtori i Ballkanit Perëndimor Z. Holger Muent. Kostoja totale e parashikuar për ndërtimin e bypass-it thuhet të jetë 53 milionë euro dhe afati i realizimit të këtij projekti madhor infrastrukturor, është 30 muaj. Objekti i projektit është impakti pozitiv që do të ketë në turizëm, mjedis, transport dhe infrastrukturë. Pra pritet një ndryshim i normës së rritjes së trafikut, zhvillim i Shqipërisë Jugore, zhvillim i turizmit dhe gjithashtu të ketë një impakt pozitiv edhe në bujqësi lidhur nga përmirësimi që do t’i japë kjo vepër infrastrukturore transportit të prodhimeve vendase.
Por ajo çka vihet në pikëpyetje dhe që nuk është shumë e qartë, është vlera e këtij financimi, pasi në faqen zyrtare të Ministrisë përmendet një financim prej 17 milionë eurosh ndërsa media e shkruar dhe ajo vizive përmend një vlerë prej 18 milionësh. Gjithashtu nuk jepen detaje të kësaj kontrate në lidhje me periudhën e maturimit të kësaj kredie apo detaje të tjera që janë të mirë-përcaktuara në kontratë.
Nga ana tjetër Ministri Edmond Haxhinasto më 4 shkurt, përmbylli veprimtarinë vjetore të Hekurudhës Shqiptare. Gjatë këtij takimi ai vlerësoi punën vjetore duke e konsideruar si pozitive paraqitjen e të gjithë sektorit në tërësi. Prioritet për Ministrinë u tha të jetë edhe zgjerimi i shërbimit, sikurse citoi ai (Ministri Haxhinasto), një shërbim jo vetëm për pasagjerë por edhe për mallrat. Gjithashtu u përmend si synim ripërtëritja e linjës Durrës – Mali i Zi dhe realizimin e lidhjes me Maqedoninë. Duhet thënë se në këtë sektor punimet kanë filluar që në marsin e vitit të kaluar dhe nuk janë dhënë detaje se kur është afati i përfundimit të këtij projekti. Edhe pse idetë e Ministrit për të zgjeruar shërbimin apo ripërtërirë linjat janë “të bukura”, do të ishte më mirë të përmendeshin në momentin kur do të pushonin së qeni thjesht dhe vetëm ide të Ministrit, por të bëheshin pika referimi për këto sektorë vetëm kur të arrihej në ndonjë plan-projekt konkret realizues. Pra nga e thëna në të bërë, i duhet shkurtuar gjerësia e këtij deti që vazhdon të mbetet mungesa e konkretizimit të ideve në plan-projekte.
Ndërkohë më 6 shkurt u krye firmosja e marrëveshjes për hartimin e Planit të Qëndrueshëm të Transportit (PQT) me kompaninë konsulente “Price Waterhouse Coopers Advisory” (PËC). Transporti u tha se përfaqëson rreth 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë, sipas kësaj të dhëne rezulton se ky sektor është një nga përdoruesit më të mëdhenj të energjisë në vend. Objektivi kryesor i marrëveshjes së firmosur për këtë sektor, parashikon një plan plan-kursimi të energjisë dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të transportit. Ky plan vjen në kuadër të angazhimit të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e politikave të efiçiencës së energjisë dhe praktikave në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Energjisë (2008-2020). Plani u tha se duhet të hartohet brenda një afati 8 mujor. Për t’u theksuar është se BERSH-i është përsëri mbështetësja kryesore për grandin e këtij projekti.
Së fundmi, intervista e Ministrit Haxhinasto për kosovaren “Kosovapress” është komentuar shumë. Gjatë kësaj interviste u prekën një serë çështjesh ku ndër më të komentuarat ishte deklarata që dha (Ministri) në lidhje me të ashtuquajturën “Rruga e Kombit”. Ai u shpreh se “më datë 23 mars do të hapet tenderi dhe do të priten të gjithë ofertat e kompanive për të marrë me koncesion këtë rrugë, në të cilën parashikohet vendosja e pagesave për disa segmente të sistemit rrugor”. Për këtë segment Ministri bëri me dije se është menduar për një tarifë rreth 5 euro. Vendosjen e një sistemi të tillë tarifimi Ministri e argumentoi me kërkesën për të mirëmbajtur më mirë rrugën dhe për ta ri-sjellë atë në një standard më të lartë. U desh të theksohej se vonesa në dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit” ndodhi si pasojë e disa ndryshimeve që duhet të bëheshin në ligj. Por kjo çështje ka sjellë natyrshëm lindjen e disa pyetjeve. Pse kjo rrugë nuk është shfrytëzuar aq sa duhet; pse është kaq i ulët volumi i shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, në një moment që kjo rrugë u krijua me idenë për të bashkuar shqiptarët jo vetëm shpirtërisht por edhe ekonomikisht; sa do të ndikojë tarifa e supozuar në koston e transportit; po në turizëm, kur dihet se kosovarët që vizitojnë vendin tonë për sezonin e verës janë të shumtë; nga ana tjetër projekti i “Rrugës së Kombit” u vazhdua edhe nga pala kosovare dhe nga përvoja e qarkullimit në të mund të themi se në këtë pjesë nuk është paguar ndonjëherë asnjë tarifë dhe rruga ka qenë gjithmonë në një gjendje më të mirë se pjesa shqiptare (e vizuar, e pajisur me sinjalistikën rrugore si dhe me ndriçim), çka të bën të mendosh se pjesa shqiptare thjesht nuk është menaxhuar si duhet.