![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
Ambasadorët, thuajse të gjithë pa shkallë karriere. Norma që kufizon prurjet nga jashtë botës diplomatike, e tejkaluar
Një problematikë madhore e konstatuar gjatë muajit shkurt 2015 lidhur me funksionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (më poshtë MPJ) është ajo që ka të bëjë me zbatimin e ligjit për shërbimin e jashtëm, për sa i përket përzgjedhjes së ambasadorëve shqiptarë nëpër botë. Në nenin 22 të Ligjit Nr. 9095, datë 3.7.2003 “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, lidhur me përzgjedhjen e shefave të përfaqësive diplomatike, në pikat 2 dhe 3 thuhet: “2. Ne këto poste mund te emërohen edhe ish-anëtarë te Këshillit te Ministrave, ish-deputete, personalitete te fushave te ndryshme, te cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara ne këtë ligj. 3. Numri i personave te emëruar, sipas pikës 2 te këtij neni, nuk duhet te jete me i larte se 20 për qind e numrit te diplomateve, qe punojnë ne përfaqësitë diplomatike me te njëjtin funksion…”. Me një përllogaritje matematikore, nga 44 përfaqësitë diplomatike (nivel ambasade) që MPJ ka të publikuara në faqen e saj zyrtare në internet, i bie që në respekt të pikës 3 të Nenit 22 të Ligjit për një kuotë jo më të madhe se 20% të diplomatëve që nuk janë të karrierës, kjo shifër të jetë 8.8. Nga një vëzhgim i 44 përfaqësive diplomatike të Shqipërisë rezulton se kjo kuotë nuk është e respektuar. Në fakt numri i ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë që nuk vijnë nga fusha e diplomacisë është 11 dhe kjo shifër mund të ishte edhe më e lartë, po të kihet parasysh se në sajtet e disa ambasadave nuk është e mundur të merret asnjë informacion lidhur me ambasadorin dhe karrierën e tij diplomatike. Këto ambasada janë ato të: Rep. Çeke, Gjermanisë, Maqedonisë, Serbisë, Suedisë. Misioni i Përhershëm në Gjenevë, edhe pse nuk përmban asnjë info lidhur me ambasadorin, në rrugë të tjera kemi arritur të informohemi se bëhet fjalë për Znj.Filloreta Kodra. Sa për ambasadorët që nuk vijnë nga fusha e shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë, siç e do ligji, në bazë të jetëshkrimeve që ata vetë kanë publikuar në sajtet e ambasadave, ata janë: 1.Leonard Demi (Ambasador pranë NATO-s, ish-deputet), 2.Adia Sakiqi (Ambasador në Holandë, ish-përkthyese në Gjykatën e Hagës si dhe asistente dhe drejtore e zyrës së shtypit e Ambasadorit të BE-së në Tiranë), 3.Neritan Ceka (Ambasador në Itali, ish-arkeolog dhe deputet), 4.Bujar Skendo (Ambasador në Izrael, nga fusha e gazetarisë, ka drejtuar NTV dhe Gazetën 55), 5.Bujar Dida (Ambasador në Japoni, profesor Kimie), 6.Ilir Gjoni (Ambasador në Zvicër, ish-deputet), 7.Agim Isaku (Ambasador në Sllovaki, skenarist dhe këshilltar politik), 8.Behar Bejko (Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, ish-speaker i TVSH dhe ish-kryetar i Komitetit të Kulteve), 9.Pëllumb Qazimi (Ambasador në Slloveni, ushtarak), 10.Qemal Minxhozi (Ambasador në Kosovë, ish-deputet), 11. Filloreta Kodra (Ambasadore në Misionin e Përhershëm në Gjeneve, ekonomiste, politikane). Kjo shifër fryhet edhe më shumë në rast se i shtojmë edhe të ngarkuarit me punë, 2 prej të cilëve janë jashtë profileve diplomatike. Rastet në fjalë kanë të bëjnë me të ngarkuarin me punë në Vatikan, Ardian Ndreca me formim filozofik dhe Edmond Caca në Katar, me formim ekonomik dhe të gjuhëve të huaja (ish-financier i SHQUP më 2006).
Sipas Nenit 30 të ligjit për shërbimin e jashtëm, në pikën 1 përcaktohet se “1. Diplomatet emërohen ne përfaqësitë diplomatike te Republikës se Shqipërisë, te akredituara ne shtete te tjera, te paktën dy vjet pasi kane marre gradën e pare diplomatike (atashe). Ata qëndrojnë me shërbim ne te njëjtën përfaqësi diplomatike, si rregull, për një periudhe 4-vjeçare”.
Sipas Nenit 37 të ligjit për shërbimin e jashtëm, në pikën 4 përcaktohet se: “Nëpunësit e shërbimit te jashtëm, qe përfitojnë gradën ambasador, duhet te jene diplomate karriere, te cilët kane kaluar te gjitha shkallet e gradave, te përcaktuara sipas këtij ligji dhe qe kane qene te emëruar ne detyrën e shefit te misionit te paktën për një mandat”. Një gjë e tillë nuk vërehet në thuajse asnjë prej ambasadorëve shqiptare nëpër botë. Me përjashtim vetëm të tre rasteve, atë të Kujtim Xhanit (Ambasador në Kinë), Roland Bimos (Ambasador në Austri) dhe Dashnor Dervishit (Ambasador në Greqi), të gjithë ambasadorët e tjerë nuk i kanë kaluar shkallët e karrierës sikurse përcaktohet në ligj dhe përkatësisht në Nenin 38, ku në periudhën për kalimin nga një grade ne tjetrën, thuhet: “1. Periudha minimale për kalimin e diplomatit nga një grade ne një tjetër me te larte, pas përfundimit te periudhës se provës, është: a) nga atashe ne sekretar i trete, 2 vjet; b) nga sekretar i trete ne sekretar i dyte, 3 vjet: c) nga sekretar i dyte ne sekretar i pare, 3 vjet; ç) nga sekretar i pare ne këshilltar, 4 vjet”. Sikurse përmendëm më lart, me përjashtim të tre rasteve të vetme, të gjithë ambasadorët e tjerë që vijnë nga fusha e diplomacisë (pra të pranuar në shërbimin e jashtëm), ose i kanë të pjesshme këto shkallë karriere, ose i kanë vërtet të varfra. Disa prej tyre kanë vendosur në CV-të përkatëse se kanë qenë sekretarë të parë apo këshilltarë, por nuk kanë të shënuara shkallët e mëposhtme diplomatike që janë të nevojshme për të arritur deri në këtë nivel sipas ligjit, ndoshta pikërisht sepse nuk e kanë bërë kapërcimin ashtu sikurse e kërkon ligji.
Në 10 propozime që ka bërë Qeveria dhe që janë dekretuar më pas nga Presidenti i Republikës, 9 ambasadorë kanë një plotësim të pjesshëm ose inekzistent të shkallëve të karrierës sipas kërkesave të ligjit. Më flagranti është ai i Pëllumb Qazimit, ambasador në Slloveni, i cili përveçse nuk plotëson shkallët e karrierës diplomatike, nuk është as pjesë e shërbimit të jashtëm, duke pasur formim prej ushtaraku. I vetmi rast pozitiv është ai i ambasadorit Roland Bimo, i cili e merr këtë notë pozitive jo sepse i ka plotësuar të gjithë shkallët e karrierës, sepse në fakt edhe në CV-në e tij mungon diçka e tillë në mënyrë të plotë. Ai përfiton nga ky vlerësim pozitiv, për faktin se ka qenë ambasador i Shqipërisë, shumë më përpara se të hynte në fuqi ligji aktual i shërbimit të jashtëm. E njëjta gjë vlen edhe për ambasadorin Dashnor Dervishi në Greqi. I vetmi ambasador për të cilin nuk mund të vërehet një mangësi e tillë, është Kujtim Xhani, ambasador në Kinë. Edhe pse ka qenë ambasador që përpara ndërrimit të sistemeve politike në Shqipëri, Z. Xhani i ka të plotësuara gjithsesi të gjitha shkallët e karrierës diplomatike që kërkon ligji aktual. Rasti i diplomatit në fjalë është për t’u marrë si model implementimi edhe për të gjithë ambasadorët e tjerë. Sigurisht, në propozimet e Qeverisë ka raste të ndërmjetme, si p.sh ai i Sami Shibës, ambasador në Arabinë Saudite, i cili edhe pse ka shkallë të pjesshme të karrierës, ka qenë gjithsesi disa herë ambasador. Kjo vlen edhe për Qirjako Kuretën, ambasador në Bullgari. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ambasadorë si Suela Janina, e akredituar në BE dhe Ridi Kurtezi, i akredituar në Spanjë. Ky i fundit nuk ka kaluar asnjë shkallë të karrierës diplomatike, por është emëruar direkt ambasador.
Sakaq, nga vëzhgimi i bërë, të paktën 8 ambasadorëve iu kanë mbaruar mandatet, si në Turqi, Emiratet Arabe, KiE, Egjipt, Gjermani, Izrael, Rusi, dhe Suedi. Ndërsa në një rast Ambasada është pa ambasador, si pasojë e vdekjes së këtij të fundit (rasti i Maqedonisë) E megjithatë në 1 vit e 5 muaj të qeverisë Rama kjo situatë nuk ka mundur të gjejë zgjidhje. Në rast se kjo ndodh për shkak të mos emërimit nga Presidenti i Republikës, ky nuk mund të përdoret si justifikim për dy arsye: së pari sepse ligji nuk e detyron Presidentin, si institucion i pavarur, që të emërojë kandidaturat e qeverisë dhe e dyta sepse formula që ka sjellë Presidentin aktual, ka qenë një poropozim i Partisë Socialiste, në kuadër të reformës së fundit kushtetuese.
Rasti Zhiti
Në kushte të tilla, në vend që qeveria ta ndreqë situatën duke vendosur në qendër diplomatët e karrierës, propozimet e reja politike për postet e ambasadorit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e thellojnë shkeljen e ligjit. Një rast konkret është ai i propozimit të Visar Zhitit për ambasador në Vatikan. Duke qenë se në situatën aktuale Republika e Shqipërisë është mbi normën ligjore të figurave diplomatike që vijnë nga jashtë shërbimit diplomatik, si dhe në mungesë të rëndë të ambasadorëve me shkallë karriere siç e përcakton ligji, emërime të tilla janë prirje të paligjshme nga ana e Qeverisë. Sidoqoftë i gjithë debati që ka shoqëruar propozimin e Z. Zhiti ka qenë i pabazuar në ligj. Si opozita që e kushtëzonte emërimin e tij me konsultimin paraprak me Presidentin, ashtu edhe Qeveria që e ka sulmuar Presidentin për mos emërimin e Z. Zhiti, kanë qenë qasje të gabuara dhe joligjore. Në fakt, në nenin 21 të Ligjit për politikën e jashtme, në pikën 2, thuhet se: “Ambasadoret emërohen dhe lirohen nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kryeministrit. Ministri i Punëve te Jashtme i paraqet Kryeministrit propozimet përkatëse për emërimin dhe lirimin e ambasadoreve.
Përpara emërimit te ambasadorit nga Presidenti i Republikës, Komisioni i Kuvendit qe mbulon politiken e jashtme, organizon seance dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador.” Nga kjo del qartë se ligji nuk e detyron as Qeverinë që të konsultohet me Presidentin për ambasadorët, por as Presidentin që të emërojë detyrimisht apo brenda ndonjë afati të caktuar kohor propozimet e Qeverisë. Emërimi i ambasadorëve nga ana e Presidentit është një ndër funksionet e tij, në bazë të shkronjës dh) të nenit 92 të Kushtetutës, por zor se këtë funksion, institucionit të pavarur të Presidentit të Republikës, mund t’ia diktojë një formë tjetër pushteti (ekzekutivi) se si ta përdorë. Këtë e themi edhe duke u bazuar te parimet kushtetuese të ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve.