Përtej statistikave
Në janar, Ministria e Brendshme publikoi në faqen e saj në internet një raport mbi punën e kryer gjatë vitit 2014. Raporti, titulluar Statistika 2014[1], tregon në numra sukseset e qeverisë së re në fushën e sigurisë dhe rendit në vend. Në fakt, siguria dhe rendi zënë vend të rëndësishëm në programin dhe axhendën e qeverisë. Më specifikisht, angazhimi kryesor i qeverisë është të luftojë krimin dhe të ndryshojë imazhin e policisë së shtetit. Në listën e gjatë të premtimeve, disa dallojnë, si për shembull:
- Normalizimi i situatës së rënduar të rendit publik në Shqipëri
- Garantimi i rendit dhe sigurisë sipas standardeve evropiane
- Reforma të gjithanshme të Policisë së Shtetit.
Megjithatë, ky muaj provoi se jemi larg nga një situatë e normalizuar e rendit publik në vend. Sulmet e datës 10 shkurt në tre vende të ndryshme të kryeqytetit dërguan valë shoku tek qytetarët, duke rrezikuar kështu situatën shumë më të qetë të pretenduar.[2]
Duke kërkuar në seksionin e lajmeve në faqen zyrtare të ministrisë, gjenden tre tematika kryesore:
- Përmbytjet e fillimit të muajit, që e detyruan shtetin të shpallte gjendjen e emergjencës. Ka disa artikuj që raportojnë mbi situatën në zonat e prekura dhe masat e marra nga Ministria e Brendshme si edhe institucione të tjera shtetërore për t’u përballur me emergjencat e ndryshme.
- Disa artikuj të tjerë mbi zyrtarë të arrestuar nga institucione në varësi të Ministrisë së Brendshme, që kishte për qëllim të tregonte se qeveria po zbaton standarde të reja në policinë shqiptare.
- Një numër i madh artikujsh mbi vizitën e ministrit Tahiri në Shtetet e Bashkuara, takimet e tij me John Kerry dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm amerikanë si edhe mbi mbështetjen që shteti shqiptar ka marrë dhe do të marrë nga aleati i tij më i fuqishëm.
Kjo nuk do të thotë se temat e përmendura më lart nuk janë të rëndësishme, përkundrazi. Megjithatë, ato anashkalojnë disa ngjarje jo të këndshme që kanë ndodhur gjatë këtij muaji. Në 21 shkurt një video amatore u përhap në media, në të cilën dy oficerë policie ushtrojnë dhunë fizike mbi një qytetar në Korçë pasi ai kish gërvishtur makinën e Zv. Drejtorit të policisë së atij qyteti.[3] Skandali nuk mbaron këtu, pasi u raportua disa ditë më pas se i riu i ndaluar u rrah sërish (nga të njëjtët oficerë policie) ndërsa mbahej në komisariat.[4] Një prej angazhimeve më të rëndësishme të qeverisë/partisë në pushtet është reformimi i Policisë së shtetit në mënyrë që t’i shërbejë publikut, të ndryshohet perceptimi i qytetarëve për uniformat blu dhe rivendosja e dinjitetit të forcave policore, për të përmendur vetëm disa.[5]Incidenti i përmendur më lart nuk ishte një ngjarje e izoluar, diçka që e bën të vështirë të besohet se pothuajse në gjysmën e qeverisjes së Partisë Socialiste, Policia e Shtetit ka arritur standardet dhe reformat e premtuara. Raste të tjera të ngjashme, që kanë ndodhur vetëm këtë muaj, përfshijnë akuza nga ana e Avokatit të Popullit për mbipopullimin e burgjeve në Shqipëri dhe trajtimin e papërshtatshëm të të burgosurve në sistemin e burgjeve. Sipas Avokatit të Popullit ka rreth 1300 persona mbi kapacitetin e qendrave të ndëshkimit në vend. Për më tepër, burgjet kanë probleme me trajtimin social dhe shëndetësor të të burgosurve.[6]
Një rast i ngjashëm më atë të Korçës është dhuna fizike e ushtruar nga oficerë policie kundër një personi në qytetin e Kavajës, rast për të cilin Avokati i Popullit kërkoi veprim të menjëhershëm kundër oficerëve të përfshirë.[7]Një tjetër rast dhune dhe abuzimi verbal ndodhi në fillim të muajit, kur një video amatore qarkulloi nëpër media, në të cilën dy policë rrugorë po ofendonin dhe abuzonin verbalist një grua.[8] Megjithëse në rastet e përmendura më sipër media dhe ministri raportojnë se të gjithë oficerët e policisë janë pezulluar ose ndjekur penalisht, një sjellje e tillë as nuk duhet të ekzistojë. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse një prej sukseseve më të mëdha sipas pretendimeve të qeverisë për 365 ditët e para, është se kanë ndryshuar radikalisht imazhin e policisë në sytë e publikut shqiptar. Për më tepër, disa ditë më parë, ministri i brendshëm ishte ftuar në emisionin Opinion, ku në përgjigje të pothuaj gjithë pyetjeve lidhur me sjelljen jo të mirë të policëve të filmuar, ai fajësoi qeverinë paraardhëse duke argumentuar se ata kanë shërbyer që në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Një deklaratë e tillë jo vetëm justifikon sjelljet e tyre por edhe refuzon të marrë përgjegjësi mbi rastet e ndodhura duke ndërmarrë një qasje reaguese ndaj këtij problemi.
[1] Raporti i plotë gjendet në linkun në vijim: (http://www.punetebrendshme.gov.al/files/news_files/Viti_2014_-_Statistikat.pdf
[2] Raport i detajuar mbi sulmet: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=215390
[3] The eventwasreported by all media outlets. The full story can be found in the following link: http://www.oranews.tv/vendi/korce-u-godet-makinen-e-shefit-policet-rrahin-me-shpulla-te-riun/
[4] A video reporting the event can be foundhere: https://www.youtube.com/watch?v=ZsneDq-Atpo
[5] Program of the Socialist Party of Albania: http://www.ps.al/programi/rend-dhe-siguri
[6] Declaration of the Ombudsman http://www.balkanweb.com/site/te-drejtat-e-te-denuarve-totozani-burgjet-te-mbipopulluar-probleme-me-trajtimin-shendetesor/
[7] A full report of the case isavailable in the followinglinks: http://www.balkanweb.com/site/video-e-dhunimit-te-te-riut-ne-kavaje-totozani-rekomandime-didit-dhe-prokurorit-te-rrethit/ and http://www.oranews.tv/vendi/dhunuan-te-riun-ne-kavaje-totozani-masa-per-efektivet-nga-policia-e-prokuroria/
[8] The full report of the incident: http://www.balkanweb.com/site/policet-konfliktohen-me-nje-femer-peshtyma-fyerje-dhe-shuplaka-reagon-menjehere-ministri-tahiri/