![Jona Hoxhaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Jona-235x300.jpg)
Jona Hoxhaj
Muaji i parë i vitit 2015 shënoi skandalin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që u shua në qetësi me mbylljen e muajit Janar për të mos u diskutuar për gjatë gjithë Shkurtit nga qeveritarët. As Ministri Veliaj dhe as Kryeministri Rama, firma e të cilit “u hodh poshtë” publikisht nga MMSR-ja nuk u shfaqën me asnjë reagim publik, ky i fundit vazhdoi favorizimin e kësaj ministrie duke pranuar në mënyrë indirekte shkeljen e hapur ligjore të tyre. As institucionet përkatëse ligjore nuk e thyen heshtjen e mazhorancës për gjatë këtyre 5 javëve pas ndodhisë së shkeljes ligjore të MMSR-së. Një pikëpyetje e madhe vihet tek kjo çështje për të cilën shpresojmë të rihapet përsëri në muajt në vazhdim dhe të zbatohet ligji ashtu si do të ndodhte për çdo qytetar të Shqipërisë!
Ngjarjet më të rëndësishme që lidhen me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që karakterizuan këtë muaj filluan me fatkeqësinë natyrore të jugut e cila bashkoi të gjithë shqiptarët kudo që janë për nismë solidare ndaj këtyre zonave. Duke vazhduar me udhëtimin e Ministrit Veliaj në datën 4 Shkurt drejt Nju Jork-ut, për përkushtimit te tij nda punësimit të të rinjve, duke qenë pjesë në punimet dy ditore të Forumit Rinor 2015 të Këshillit Social dhe Ekonomik të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Punësimi, si një nder temat më delikate për Qeverinë dhe MMSR-në, vazhdoi me ngjarje të ndryshme të cilat u bën temë e shumë titujve në gazeta dhe portale gjatë gjithë muajit. Gjithashtu një ndër ngjarjet kryesore të këtij muaji ishte dhe vazhdimësia e procesit të shpërndarjes së dëmshpërblimeve për ish të përndjekurit politik dhe hapja e dosjeve. Me 20 shkurt ministri Veliaj nuk harroi të përkujtonte ngjarjen e rëndësishme të 1991, rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, duke përmbushur ditën me një bashkëbisedim me ish të përndjekurit politik në qytetin e Shkodrës, ku ai rihapi çështjen e hapjes së dosjeve duke premtuar që ky proces do të zhvillohet shumë shpejtë dhe plani për hapjen është hartuar sipas një modeli të provuar tashmë, modeli gjerman. Por në muajin Shkurt nuk kishte asnjë zhvillim të mëtejshëm të kësaj çështjeje! Gjatë këtij muaji Shqipëria u bë pjesë e programit të BE-së “Europa për qytetarët”. Gjithashtu në këtë muaj u deklarua se Shqipëria edhe një herë do të jetë në qendër të vëmendjes së gjithë botës për frymën e tolerancën fetare, paqen dhe vëllazërinë fetare që mbizotëron në vendin tonë, duke u bërë mikpritëse e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen. (Ky aktiviteti i rëndësishëm vjen në përkujtim të 20 vjetorit të përfundimit të Luftës së Fundit në Ballkan dhe organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare).
“Surprizë” nga natyra! A arriti qeveria të mbrojë qytetarët nga fatkeqësia natyrore?
Ne ditën e parë të muajit Shkurt në jug të Shqipërisë përmbytja masive ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, me dhjetëra banorë u detyruan të evakuoheshin, në zonat nga Gjirokastra deri në Fier. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Kryeministria në emër të solidaritetit me banorët e përmbytur u mblodhën për të koordinuar ndihmën ndaj këtyre zonave. Ministri Veliaj e quajti këtë nismë të qeverisë në bashkëpunim me bizneset dhe komunitetet fetare; “Shqipëria solidare”. Drejtoritë e Shërbimeve Sociale në Tiranë, Fier dhe Vlorë që nga data 7 Shkurt 2015 u bën pika grumbullimi të kontributeve të bizneseve dhe individëve të ndryshëm që kishin qëllimin e mirë për të ndihmuar. Gjithashtu qeveria mundësoi të vinte në lëvizje dhe mekanizmin e Bashkimit Europian për të siguruar fonde nga Komisioni Europian për mbështetje në zonat e përmbytura nga fatkeqësia natyrore.
Në këto ditë të vështira për zonat e jugut të Shqipërisë, vendi fqinjë Kosova shprehu mbështetjen e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini deklaroi se janë dërguar rreth 15 maune me 300 ton mallra të ndryshme me vlerë tek 200 mijë euro për ndihmë në zonat e përmbytura. Presheva gjithashtu u gjend pranë, të rinjtë nga ky vend grumbulluan 10 mijë euro mallra për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore. Në listën e atyre që ndihmuan këto zona të përmbytura ishin dhe Turqia, Izraeli, Fondacioni “Qatar City, Qeveria Kanadeze dhe “BANKERS Petroleum” etc. Të gjitha këto ndihma që iu ofruan zonave të përmbytura shprehin marrëdhëniet pozitive të qeverisë së tanishme dhe popullit shqiptar me fqinjët dhe më gjerë.
Dy javë nga fatkeqësia Ministri i MMSR-së u shpreh se gjendja emergjente ka kaluar dhe kompensimet do të vazhdojnë. Veliaj dhe Rama u gjendën në vendin e ngjarjes disa herë gjatë muajit duke kontrolluar mbarëvajtjen dhe koordinimin e ndihmave. Ata u solidarizuar me viktimat e kësaj fatkeqësie natyrore duke mbyllur fazën e parë të ndihmave për mbijetesë, në fazën e dytë të ndihmave filluan dhe zëvendësimet e pajisjeve elektroshtëpiake dhe në fazën e tretë do të bëhet edhe riparimi i argjinaturave dhe pastrimi i kanaleve kulluese, të gjitha këto duke u mbështetur vazhdimisht nga bizneset që vullnetarisht ndihmuan këto zona të përmbytura. Ministri, në seancën parlamentare në Kuvend, deklaroi se qeveria e Partisë Socialiste po ndihmon zonat e përmbytura në mënyrë transparente dhe nga vendi i ngjarjes, duke shprehur se në fazën e dytë të ndihmave për këto zona çdo familje e prekur ka marrë 100 kg ushqime. Ministri dhe kur po shprehej për këtë gjendje të mjeruar dhe të vështirë që kjo pjesë e Shqipërisë po përjeton nuk i kurseu kritikat dhe shprehjet me përulësi kundrejt opozitës, të cilët kishin kritikuar filozofinë e koordinimit dhe shpërndarjes së ndihmave në këto zona.
Punësimi në rritje apo në ulje? MMSR-së dhe Raportimi i INSTAT!
Një ndër prioritet e programit të MMSR-së dhe një ndër premtimet kryesore të Partisë Socialiste, e promovuar gjatë gjithë fushatës elektorale të vitit 2013, është punësimi i të rinjve dhe rritja e punësimi formal. Premtimi për krijimin e 300 mijë vendeve të reja pune sipas Ministrisë është një realitet i pashmangshëm i cili po realizohet çdo ditë me hapjen e Zyrave të punës në të gjitha qytetet dhe me suportin e vazhdueshëm që konsiderohet se i jepet bizneseve nga Ministria.
Gjatë muajit shkurt eventet kryesor që i përkasin programit të punësimit të MMSR-së ishin vazhdimi i punës me Fondin E nxitjes për Punësim duke suportuar bizneset për rritjen e punësimin me anë të fondit 4.5 milion, nga e cila do të paguhen 4 pagat e para të punonjësve të rinj si dhe 12 muaj sigurimet shoqërore, si dhe hapja e Zyrës së 10-të të Punës në Laç. Z. Veliaj në ceremoninë e hapjes së zyrës komunikoi dhe njëherë se premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të punës gjatë mandatit të tyre qeveritar do të realizohet, si dhe komunikoi se deri në nëntor të vitit të kaluar 92521 persona më shumë janë të deklaruar në librin e sigurimeve shoqërore. Përveç Z. Veliaj i pranishëm në promovimin e kësaj zyre ishte dhe Z. Rama i cili nënvizoi faktin se punësimi është një sfidë e qeverisë por hapja e Zyrës së Punës në Laç është hallkë e zinxhirit të zyrave të punës që do të shtrihen në të gjithë veriun dhe në 61 bashki të reja.
Parë nga perspektiva e raportit kuantitativ të INSTAT, mund të konkludohet qartë se nga 3 mujori i katërt i vitit 2013 kur qeveria aktuale morri qeverisjen shifrat e punësimit nuk janë rritur aq ndjeshëm sikurse u shprehën ministri dhe kryeministri. Në raportin e fundit të publikuar nga INSTAT, i cili përfshin analizën e shkallës së punësimit të popullsisë sipas segmentimit në bazë të grupmoshave të ndryshme 15 vjeç e lart, vihet re një ulje e lehtë në tremujorin e parë të vitit 2014 dhe një ngritje me shkallë të ulët në tremujorin e dytë dhe të tretë të 2014. Në tremujorin e tretë të 2013, kur qeveria morri statusin udhëheqës të shtetit, 42.9% e popullsisë 15 vjeç e lartë ishin të punësuar, një vit më pas në tremujorin e tretë të 2014 përqindja ka arritur 45.8%. Por kjo nuk është me doemos arritje e qeverisë dhe programit të tyre të punësimit, mund të jetë shkak dhe zhvillimi ekonomik në një shkallë modeste që ndodh vit pas viti në Shqipëri.
Një tjetër deklaratë shumë e përfolur ishte ajo e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Zj. Briseida Shehaj e cila jep në shifra rritjet e të ardhurave të sigurimeve shoqërore dhe rritjen e pagës mesatare në Shqipëri. Ajo raportoi se: “Rritja në numër e të punësuarve është rreth 12%, por ama rritja e të ardhurave është 5.9 miliardë lekë më shumë kontribut të sigurimeve shoqërore. Tashmë paguhet kontribute dhe sigurime shoqërore për të gjithë pagën dhe e gjithë rritja që ka ardhur me 5.9 miliardë leka ka ardhur nga formalizimi i tregut. Janë rreth 10 mijë subjekte të regjistruar për vitin 2014 që janë biznese të vogla dhe persona fizikë të regjistruar të cilët përpos vetës së tyre kanë edhe një tjetër të regjistruar plus. Është pjesa e pagës e cila ishte lënë në një mjerim dhe nuk merrej njeri me pagat e deklaruara të punonjësve shqiptarë ku si drejtori dhe si pastruesja merrnin 22 mijë lekë. Ne kemi ndryshuar edhe pagën. Paga mesatarja e tërë sistemit ka qenë diku te 23 mijë lekë për një vit kemi arritur në 26 mijë lekë të rrisim pagën dhe nuk është gjë e pakët as kjo. I kërkojmë të gjithë njerëzve ti japin inkurajim administratës tatimore me ato pak kapacitetet që ka të bëjë formalizimin e tregut, sepse vazhdon të ketë treg informal për tregun e punës.” Raporti i fundit i Institutit të Sigurimeve Shoqërore gjithashtu mbështet shifrat që Zj. Shehaj. Në raport mund të observohet qartë rritja e të ardhurave nga sigurimet shoqërore, nëse të ardhurat e rritura nga sigurimet shoqërore i krahasojmë me përqindjen e rritjes së punësimit gjatë periudhës respektive, mund të konkludohet që qeveria po reformon sistemin e punësimit duke e kthyer atë në një sistem punësimi të rregullt dhe formal, më shumë se sa po hap vende të reja pune. Handikapi më i madh i identifikuar i MMSR-së konsiderohet mungesa e një raport real të shifrave dhe arritshmerisë së objektivave dhe premtimeve të tyre pas më shumë se 1 vit e gjysmë punë në qeveri, fakt i cili përben dhe një problem tjetër, mungesën e transparencës. Një raport mbi efektivitetin do t’i jepte përgjigje shumë çështjeve të ngelura pezull lidhur me punësimin dhe reformimin e sistemit te punësimit në Shqipëri.
Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politik.
Pjesë integrale e programit të MMSR-së është dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të ish të përndjekurve politik. Ministria në programin e publikuar gjatë fushatës elektorale të Partisë Socialiste është zotuar që do t’i jep fund hipokrizisë dhe abuzimit njëzetvjeçar me të përndjekurit politik. Skema e re e MMSR-së përfshinte zgjerimin e grupit të përfitimit nga kompensimi dhe zbatimi i një shpërblimi progresiv, në varësi të viteve të dënimit dhe moshës aktuale të ish të përndjekurve. Gjatë verës së vitit 2014 ish të përndjekurit politik shoqëruan pakënaqësitë e tyre për qeverinë e re, e cila kishte premtuar kujdesje dhe dëmshpërblim për ta, me protesta dhe greva urie. Pas më shumë se 17 muajsh qeverisje nga Partia Socialiste, ish të përndjekurit politik akoma kanë arsye për protestim, me datën 12 shkurt ata protestuan para parlamentit me pretendimin se nuk kanë marrë asnjë këst dëmshpërblimi nga qeveria shqiptare. Një tjetër polemike gjatë këtij muaji ndodhi ne mes të ish të përndjekurit politik Z. Edmond Vokshi dhe Institutit për Integrimin e të Përndjekurve, si pasojë e heqjes nga totali i dëmshpërblimit të 300.00 lekeve. MMSR-ja bëri ndryshimet sipas ligjeve në fuqi pasi rasti ishte trajtuar sipas VKM. 1699, datë 29.12.08, nr. rendor 466 dhe nr. dosje 2784, datë 06.03.2008 dhe masa e dëmshpërblimit arrinin vlerën 1,194,000 lekë, ku gabimisht ishte përllogaritur një shtëpi që ai kishte marrë dhuratë nga CAFOD. Në të kaluarën rasti i z. Vokshi është trajtuar me ligjet që kanë qenë në fuqi dhe ka marr 700,000 lekë letra me vlerë dhe 200,000 lekë pagesë në dorë. MMSR-ja nga ana tjetër shprehet se të gjitha këstet e dëmshpërblimeve për ish të përndjekurit politik janë paguar në përputhshmëri me zbatimin e ligjit, duke hedhur poshtë akuzat e protestuesve, gjithashtu ata shprehen se gjatë shkurtit vazhdoi shpërndarjen e këstit të katërt për ish të burgosurit politikë dhe brenda muajit mars do të nisë dhënien e këstit të pestë.