Vështrim i përgjithshëm mbi veprimtarinë publike të Ministrisë së Kulturës.
Në bazë të informacionit që Ministria e Kulturës vendos në dispozicion të qytetarëve nëpërmjet website-it të saj zyrtar apo profilit në rrjetet sociale, për muajin shkurt vërejmë se Sesioni i Lajmeve është azhornuar herë pas here për të pasqyruar disa nga veprimtaritë kryesore të zhvilluara apo të mbështetura nga kjo ministri. Sesionet e tjera janë pjesërisht të azhornuara. Problematikë mbeten sesioni i Dokumenteve apo vendimeve pasi në to vazhdon të mos publikohet asnjë material i kësaj kategorie për të na dhënë një akses më të madh mbi vendimmarrjen e këtij institucioni. Gjithashtu, sikurse ndodh rëndom në pothuaj të gjithë website-t e Ministrive të tjera, këtu nuk mund të gjesh asnjë thirrje për tendera, gjë që ndikon në uljen e transparencës së këtyre institucioneve kryesore te vendimmarrjes.
Në tërësinë e veprimtarisë së kësaj Ministrie, vihet re një angazhim pothuaj konstant në realizimin e aktiviteteve sipas profilit të vetë institucionit.
Edhe gjatë këtij muaji vihet re një pasivitet në azhornimin e faqeve ndërlidhëse mbi programet apo veprimtaritë e institucioneve të vartësisë të kësaj Ministrie, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve mbeten pjesërisht të azhornuara kryesisht në sesionin e lajmeve, ku publikimet e fundit datojnë në periudhën shtator-dhjetor të 2014-s.
Me sa duket, nga të gjitha hulumtimet e sipërpërmendura trendi i komunikimit publik institucional mbi aktivitete dhe veprimtari të ndryshme, mbetet ai nëpërmjet rrjeteve sociale si me popullore, kryesisht facebook-u, sa që mund të mendojmë se edhe vetë institucionet më të larta shtetërore kanë krijuar vartësi ndaj këtyre formave të komunikimit bashkëkohor popullor. Në facebook do të gjeni praktikisht të gjitha eventet që pritet te zhvillohen në kryeqytet apo në ndonjë qytet tjetër nëse ka. Po ashtu do të gjeni dhe të gjitha artikujt që publikohen në shtypin e shkruar në lidhje me këtë institucion. Por, a mjafton facebook-u për të dhënë informacionet e duhura në funksion të transparencës së këtij Institucioni?
Nuk do të ishim kundër këtij formati komunikimi i cili qëndron më afër masave të gjera për shkak të popullarizimit, por nëse do të flisnim për komunikimin formal institucional do të na duhej të kërkonim më tepër përkushtim dhe korrektësi ndaj rifreskimit të herë pas hershëm të faqeve zyrtare. Kjo për të pasur një komunikim sa më të hapur dhe transparent. Gjithashtu do të ndihmonte të gjithë individët, subjektet dhe institucione të tjera zyrtare vendase apo të huaja të interesuara, që të kenë më tepër akses në komunikimin elektronik në distancë, si dhe për të mundësuar një informim dhe komunikim më të saktë zyrtar.
Zgjerimi në rrjete joformale të komunikimit me publikun përben lehtësira, por kjo vetëm pas zbatimit të detyrimit ligjor të komunikimit formal zyrtar nëpërmjet faqeve zyrtare të çdo institucioni, qendror apo lokal. Sepse, nisur nga sa vëmë re më sipër evidentojmë një mangësi të theksuar dhe moszbatim të detyrimit ligjor për komunikim dhe transparencë institucionale. Komunikimi dhe publikimi i çdo veprimtarie dhe aktiviteti të ushtruar nga çdo institucion nëpërmjet rrjeteve social si facebook apo twitter nuk kanë vlefshmëri ligjore për autoritetin institucional. Rëndësi kanë vetëm veprimet në faqet zyrtare të cilat kanë vlerë juridike dhe zyrtare, si dhe janë të prekshme dhe nga auditimi apo monitorimi.
Nga Shkodra deri në Korçë
Një nga aktivitetet e një rëndësie të veçantë për infrastrukturën e monumenteve kulturore gjatë muajit shkurt ishte firmosja e dy marrëveshjeve financuese për trashëgiminë kulturore te Projektit “Marubi”, dhe ajo për rikonstruksioni e pazarit të Korçës
Nga publikimet e fundvitit të kaluar ky projekt do të zhvillohej në disa faza nga ku në muajin dhjetor të 2014-s u firmos dhe faza e dytë e projektit për zhvillimin e Korçës. U tha se ky projekt dhe rikonstruksioni i plotë do të përfundojë pas 18 muajsh. Nga kanalet e komunikimeve zyrtare në faqet institucionale nuk kemi asnjë pasqyrim konkret të këtyre veprimtarive dhe fazave të zhvillimit të tyre në mënyrë që të jemi të mirinformuar mbi proceset dhe implementimin e këtyre projekteve të një rëndësie të veçantë. Në sesionin e lajmeve do të gjeni atë informacion që përbën vetëm lajm dhe ne sesionet e tjera asgjë më shumë të dokumentuar.
Sipas projekt/buxhetit për vitin 2015 të Ministrisë së Kulturës do të mundësohej rritja e gamës dhe cilësisë së fondit për trashëgiminë kulturore dhe do të zgjerohej numri i projekteve të shumëllojshme në kuadër të promovimit të artit dhe kulturës. Gjithashtu dhe përmirësimi i pajisjeve hardware dhe software të sistemit të institucioneve të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe standardizimit të punës për një menaxhim sa më të mirë të burimeve dhe katalogim të vlerave kulturore. Prioritete e investimeve do të ishin: Planifikimi në menaxhim, në trashëgiminë kulturore, si dhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e artit e kulturës.
Por mund të themi se këtu kemi të bëjmë me vazhdimësinë e nismave konkrete që tregojnë se ky institucion pas një kohe të caktuar po rikthen vëmendjen në drejtimin e duhur, për të restauruar dhe konservuar objektet e trashëgimisë kulturore, si dhe në vënien në shërbim të komuniteteve dhe publikut të këtyre hapësirave. Investime të tilla janë të nevojshme jo vetëm për ruajtjen e vlerave por dhe vënien tyre ne funksion të nxitjes e impaktit mbi turizmin kulturor shqiptar.
Por nuk dimë nëse do të ketë zhvillime të projekteve të ngjashme në qytetet e tjera të Shqipërisë duke qenë se prej disa kohësh dhe nga viti i shkuar vëmendja vazhdon të mbetet në projekte të iniciuara e në proces implementimi.
Në anën tjetër mund të themi se ende nuk ka një strategji, një dokument i cili përkthen objektivat në veprimtari apo të detajojë të deleguarit e përgjegjësive në realizim dhe në çfarë harku kohor do të realizonin. Vazhdojmë të kemi ende nënshkrim marrëveshjesh dhe njëkohësisht një listë të mirë gjërash për tu bërë nga MK pa një afat të caktuar kohor. Në të njëjtën kohë nuk dimë ende se çfarë po bëhet mbi ndërtimin e një strategjie koordinimi dhe monitorimi të projekteve me donatorët në parqet arkeologjike dhe qendrat historike.
Për sa i përket regjistrimit të objekteve të trashëgimisë tonë kulturore mund të themi që do të ishte një ndër nismat optimiste për ne nga ana e këtij institucioni. Por nëse do të shihnim më tej do të kuptojmë se ende nuk kemi një regjistër inventarizimi të publikuar në asnjë prej faqeve të MK apo institucioneve të vartësisë.
Nga sa u tha më sipër, mungesa e një kornize kohore në realizimin e këtyre nismave dhe projekteve e bën më të pamatshme dhe të pakrahasueshme punën e kësaj ministrie. Sikurse një çështje më vete e mbartur prej kohësh është mospasja e një plani konkret për parandalimin e dëmtimit të monumenteve dhe siteve kulturore.
Një intervistë me Ministren e Kulturës – Kult Plus
Tashmë jemi mësuar se shumë deklarata rreth zhvillimeve të politikave institucionale apo vendimmarrjen dhe veprimtarinë e tyre, i marrim gjatë daljeve mediatike në televizione dhe gazeta. Ndaj janë raste që duhen ndjekur me një interes të veçantë për të pasur një informacion të përgjithshëm mbi mbarëvajtjen e aktivitetit institucional.
Gjatë vizitës në Kosovë për nënshkrimin e Kalendarit të përbashkët Kulturor Ministrja e Kulturës dha një intervistë për Kult Plus nga ku gjejmë një pyetje e përgjigje si më poshtë:
KultPlus: E keni menduar të keni ndonjë fushë më prioritet se sa tjetrën, gjithnjë me qëllim të promovimit sa më të mirë të kulturës shqiptare?
Mirela Kumbaro: Për hir të së vërtetës, nuk kam arritur të ngre një sistem me prioritet, me qëllim që të qoja më përpara një objektivë se sa një tjetër. Të gjitha fushat ishin në të njëjtën gjendje, dhe në këtë kuptim i bie që të gjitha fushat i kemi prioritet dhe janë prioritet. Por në përputhje me Ministrinë ne duhet të vendosim prioritet për çdo vit, në vitin 2014 prioritet i kishim reformat strukturore në institucionet kulturore…(Etj. Vazhdon)
Pra, nga sa vëmë re prej vetë deklarimit të kreut të këtij institucioni na bën të kuptojmë se nuk ka qenë në prioritetet e punës së tij hartimi i një strategjie të mirëfillte dhe vendosja e objektivave të caktuara apo prioriteteve në çdo fushë.
Çdo institucion ka vazhdimësi në vetvete dhe sido që të ketë qenë situata e mbartur nga menaxhues të tjerë, çdo institucion dhe sektor në veçanti trashëgon një sërë prioritetesh. Këtu shtojmë dhe faktin se nuk gjejmë të publikuar asnjë analizë vjetore apo raport mbi punën e bërë nga ky institucion dhe objektivat e përmbushura për të hartuar më pas politika efikase dhe strategji e plane pune. Kjo do të lehtësonte punën kundrejt menaxhimit sa më të mirë të këtyre institucioneve shtetërore të rëndësisë të veçantë administrative dhe politike.
Duke mos pasur një pasqyrë analitike të gjendjes së trashëguar nga ish drejtuesit, si dhe të punës së kryer nga momenti i marrjes në menaxhim të këtij institucioni lind pyetja: Sa efektivë janë menaxherët apo liderët aktualë të këtij dikasteri? Si mund të sigurohet vazhdimësia dhe mirëfunksionimi i kësaj ministrie?
Kjo sepse, të punosh pa prioritete do të thotë të mos jesh i orientuar dhe të mos dish ti drejtosh energjitë e tua në fushat e duhura për të pasur një rendiment dhe performancë të lartë në punë, si dhe nuk mund të flasim për rezultate konkrete apo një impakt pozitiv nga politikat e aplikuara.
Prandaj, për një menaxhim sa më të mirë institucional për të mos u fokusuar vetëm tek rëndësia e reformave strukturore, do të ishte më mirë të ushtroheshin funksionet e caktuara sipas detyrave dhe përgjegjësive, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me menaxhere por edhe me politikanë që duhet te jenë poltikëbërës dhe politikë-ushtrues (aplikues). Do të ishte më mirë që kreu i institucionit të përqendrohej në: Analizimin e punës së bërë, situatës aktuale të sektorëve që mbulon; hartimin e politikave, të e një strategjie; vendosjen e objektivave, e prioriteteve brenda prioriteteve të çdo sektori; hartimin e një plani pune-afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe implementimin e çdo projekti në funksion të zhvillimit.
Nëse puna e kësaj ministrie vazhdon të jetë e përgjithësuar duke u shprehur vetëm nëpër media dhe shtyp, sot bëmë këtë, firmosëm atë, dhe s’kemi prioritete se të gjitha janë prioritet dhe i kemi prioritet, por vitin tjetër do të bëjmë atë; si mund të besojmë në efiçiencës e këtij institucioni dhe menaxherëve të tij apo më tej për produktin e punës?
Të qenurit në drejtim të një institucioni kaq specifik për natyrën e aktivitetit të tij siç është Ministria e Kulturës të bën të mendosh se çfarë duhet për një menaxhim sa më efikas, për të ndryshuar vizionin e tij, për të matur dhe vlerësuar suksesin e tij. E thënë ndryshe, për të kuptuar vlerën e vërtetë të tij dhe thelbin e të kthyerit në një institucion vital dhe bashkëkohor.