![Rezearta Caushaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/11042072_10152755179952098_1617951722_n-211x300.jpg)
Rezearta Caushaj
- Menaxhimi i pavarur i fondeve dhe përfshirja e shoqërisë civile
Në fillim të muajit, Znj. Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit, tashmë në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Fondeve IPA (NIPAC), zhvilloi një takim me përfaqësuesit e institucioneve përfituese të projekteve të decentralizuar[1], sipas IPA 2013, tashmë fondet do të menaxhohen në mënyrë të pavarur, për të matur aftësinë institucionale e administrative të vendit tonë si dhe për të nxitur aftësinë menaxhuese ndaj fondeve. Vazhdojnë të përmenden 7 projekte në mënyrë të veçantë, të cilët do të menaxhohen nga autoritetet përkatëse dhe si rrjedhim, këto të fundit do të kenë një përgjegjësi më të madhe nga ç’ kanë pasur deri më tash. Vazhdoj të mos e kuptoj si qytetare, se si mund të vlerësohet ecuria e “investimeve” apo projekteve, që hidhen në fjalime para e mbrapa, në momentin që asnjë informacion publik nuk bëhet i ditur në lidhje me to apo për të bërë transparente mënyrën se si parashikohet të jetë skema e menaxhimit të fondeve, në vend qe te vazhdohet me fraza mbi “fondet përkatëse”, “strukturat dhe autoritetet përkatëse”, “proceset përkatëse” etj. Çfarëdo lloj skeme monitorimi qe Ministria pretendon te zbatoj, duhet ta bëjë atë publike sepse një nga kriteret e pashprehura për hyrjen në BE është rritja e llogaridhënies ndaj qytetareve, qe fillon duke vene në zbatim politika transparente.
Si rrjedhim, iniciativa te tilla, si hartimi i Udhërrëfyesit te Qeverise për Shoqërinë Civile[2], prezantuar nga Znj. Gjosha me 26.02.15, nuk ka asnjë lloj vlere. Nder te tjera Ministri në këtë prezantim u shpreh se: “Ne besojmë se një shoqëri civile e fortë dhe aktive kontribuon gjithmonë në mirëqenien e qytetarëve, çka mbetet dhe misioni ynë më madhor dhe në përmbushjen e këtij mision një vlerë e paçmuar mbetet inkurajimi dhe mbështetja e vazhdueshme që institucionet ndërkombëtare dhe komuniteti i donatorëve ka ofruar për qeverinë shqiptare dhe shoqërinë tone”[3]. Në një vështrim të udhërrëfyesit, evidentojmë se është formuluar në mënyrë sipërfaqësorë dhe diletante, pa vendosur objektiva të matshëm, por duke u mbështetur në formulat e zakonshme “Garantimi i x”, “Sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirjes”, “kryerja e vlerësimit” etj. Natyrisht nuk bëhet fjale për një strategji ende, por është një Plan Veprimi, që nga përkufizimi duhet të parashtroj një plan të përgjithshëm pune, një mënyrë se si do të garantohet, sigurohet, kryhet, i cili do të zbërthehet në detaje në Strategjinë që parashikohet të dal më vonë.
- Fillimi i negociatave për anëtarësim, ende i largët.
Muaji shkurt ka shënuar disa tregues shumë domethënës për sa i përket progresit që vendi jonë po bën në tentativën për anëtarësim në BE. Duke qenë se hapi tjetër në proces ka të bëj me fillimin e negociatave, vendi jonë është përpjekur të lobojë fuqishëm për hapjen e këtyre të fundit, por përgjigja diplomatike është po ajo që morëm 8 muaj më parë kur morëm statusin, pra: “Jeni në rrugën e duhur!”. Në fjalorin diplomatik te BE kjo s’do të thotë tjetër veçse që gjatë kësaj periudhë nuk ka pasur ndryshime të prekshme, të cilat do e detyronin Komisionin Europian të konsideronte hapjen e negociatave, sidomos në një kohe që po konsiderohen e rikonsiderohen formula për zgjatjen e procesit për shkak të problemeve të brendshme (Pra, jemi në vend numëro!).
Intervista që Z. Fleckenstein[4] dha për TV Top Channel e ilustron më së miri çfarë u shtrua më larte, ku ky i fundit u shpreh se fillimi i negociatave nuk është një vendim i Komisionit Europian, por i qeverise shqiptare dhe reformave të implementuara prej saj. Po në të njëjtën frymë mund të interpretohet edhe vizita që delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryeministri z. Rama e Ministri i Integrimit Znj. Gjosha në Bruksel këtë muaj, ku përveçse bujës mediatike që kjo e fundit bëri duke marr djalin e sapolindur në takim, në tentative për të imituar eurodeputeten italiane Ronzulli, asgjë tjetër nuk u regjistrua. Asnjë nga zyrtarët me të cilët u zhvilluan takime nuk lëshoi deklarate në lidhje me vendin tonë dhe për suksesin e takimeve kemi vetëm fjalët në Twitter të kryeministrit që takimi me Z. Junker, Presidentin e KE, ishte “inkurajues”.[5] Duke qenë se përsëritja e deklaratave dhe vetinkurajimet janë tregues i mungesës së progresit, së bashku me qasjen e zgjedhur ndaj reformave në vetvete, mund të themi se hapja e negociatave jo vetëm nuk ka një datë, por madje nuk ka asnjë plan larg e larg për fillimin e tyre.
Megjithëse, negociatat në thelb kanë të bëjnë me hyrjen në dialog me vendet anëtare duke u përpjekur të fitojmë “simpatinë” e tyre me shpresën e tërheqjes jo vetëm të përkrahjes, ekspertizës, por edhe investimeve, ky muaj ka qene i rëndësishëm dhe i suksesshëm duke qene se Ministri i Integrimit ka zhvilluar disa takime me zyrtar të BE apo të vendeve anëtare, për t’u përmendur janë: pritja e delegacionit suedez[6], ku Znj. Gjosha zgjodhi të theksonte rëndësinë e opozitës për implementimin e dy reforma shumë të rëndësishme si ajo administrative dhe ajo në drejtësi, si një mënyrë për të shpërndarë përgjegjësinë pse e para çalon dhe e dyta s’ka filluar ende. Fakti që BE i ka vendosur një rëndësi primare reformimit të sistemit të Drejtësisë e nxori edhe me tepër në pah, si takimi me përfaqësuesit e Bundestagut gjerman[7], që shprehën atë që çdo qytetar i këtij vendi është i vetëdijshëm, d.m.th. se kjo reformë bëhet për të rikthyer besimin te drejtësia dhe është reforma me kyçe për suksesin e mundshëm të gjithë reformave të tjera. Ky qëndrim që është ndarë edhe nga Zëvendëskryeministri belg në vizitën e vet, i cili u shpreh se:
“Një reformë e mirëfilltë në Drejtësi është shumë e nevojshme për Shqipërinë dhe Mbretëria e Belgjikës është e gatshme të asistojë në këtë proces nëpërmjet ekspertizës së saj apo trajnimeve të nevojshme”[8].
- Mbi punën e Komisionit të Integrimit Europian
Duke qenë se një nga kriteret më të rëndësishme të gjithë procesit të anëtarësimit, për të mos thënë më i rëndësishmi, ka të bej me Acquis Communitaire ose përafrimin e legjislacionit të vendit tonë me atë të BE dhe në këtë aspekt, rolin kryesor e ka Komisioni i posaçëm për Integrimin Europian, ku Ministria e Integrimit është një aktor kryesor, jo vetëm për monitorimin e procesit, por edhe me propozimet e ndryshme për cilësinë e ligjeve.
Gjate muajit shkurt janë mbajtur tre mbledhje në këtë komision: ai i datës 09.02.15 që kishte si objekt ndryshime në ligjin “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, ai datës 16.02.15 për shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe ndërmjet vendeve të Europës Juglindore për zbatimin e konventës “Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekst ndërkufitar” dhe i datës 17.02.2015 mbi shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar.
Ajo që duhet theksuar, të paktën duke konsultuar procesverbalet [9] përkatëse, është se megjithëse komisionet duhet të mblidhen të shqyrtojnë, debatojnë, dëgjojnë relatorët e ministrive të caktuara, të mbajnë shënim propozime të mundshme, asnjë prej të mësipërmeve nuk ndodh. Gjithçka përqendrohet në një procedurë burokratike që zgjat gjithsej 30 minuta dhe gjatë së cilës çdo gjë miratohet, asgjë nuk shqyrtohet apo kundërshtohet, Ministria e Integrimit nuk propozon edhe kur presupozohet se është bere një përkthim i keq i ligjit dhe as një ekspert në çështje ligjore nuk mund t’i shkoj mendja se për çfarë arsye ligji në fjale po amendohet: a po ndodh sipas standardeve të Acquis, a ka ndonjë rezervë në lidhje me dispozita apo nene te caktuara apo ku gjendet e famshmja “ Shoqëri civile” ( jo në komisionin e Ministrisë së Integrimit!), e cila përmendet deri në shfrytëzim në çdo deklaratë, si për të legjitimuar në mënyrë absolute vendimet e qeverisë.
Një hap përpara duhet vetëm të jetë vendimi për të krijuar Këshillin Kombëtar të Integrimit, i cili do kryesohet nga opozita dhe ka si qellim forcimin e rolit të Parlamentit mbi procesin ose në fjalët e Znj. Bregu, që kryeson komisionin e mësipërm,: “Në fakt Këshilli Kombëtar i Integrimit nuk ka lidhje me pjesën e arenës ndërkombëtare, është mekanizmi që duhet të konsultojë vendimmarrjen e qeverisë si përgjegjëse e reformave të integrimit me Parlamentin. Fatmirësisht nuk ka dy pozicione të ndara në Shqipëri në procesin e integrimit, asnjëri nuk ka rrëshqitur fatmirësisht. Kjo nuk shmang përgjegjësinë që kemi ne për ti thënë të vërtetat në moszbatimin e detyrimeve dhe në moszbatimin e atyre hallkave që janë pjesë e pesë prioriteteve që na afrojnë realisht më shumë me BE”[10] Duke qene se krijimi i këtij organi ka për qëllim rritjen e kontrollit të integrimit nga Parlamenti, si organi me i lartë përfaqësues, e konsideroj një hap pozitiv sepse të paktën në terma teorik kjo duhet të ndikoj në rritjen e nivelit të demokracisë së procesit dhe të cilësisë së tij, me rritjen e aktorëve vendimmarrës.
- Arritjet në sytë e Ministrisë së Integrimit
Se si Ministria e Integrimit shikon reformat e ndërmarra deri me tani nga qeveria, por edhe mbi vetë domethënien e integrimit si një nga agjentet monitorues të zbatimit të prioriteteve të paracaktuara, mund ta deduktojmë nga fjalimi që titullari i kësaj Ministrie, Znj. Gjosha dha gjatë vizitës së saj së Kosove[11] më 15.02.15, sipas të cilës mbas marrjes së statusit kandidat imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar duke fituar një besueshmëri shume të madhe në botë (?!) dhe së shpejti do të kemi një rritje të investimeve në vend e do të shohim rezultatet e para të marrjes së statusit. Do doja të vija në pah se imazhi i vendit tonë, me rritjen e azil-kërkuesve “ekonomik” siç janë vetëshpallur ata, me rritjen e emigracionit, me rritjen e krimit të organizuar në shkalle ndërkombëtare dhe korrupsionit qe vazhdon i pandryshuar, mundemi lehtësisht të arrijmë në konkluzionin se opinioni i vendeve anëtare të BE nuk ka ndryshuar (“Botes” i intereson për ne aq sa u intereson shqiptarëve për konfliktin në Ukrainë!). Për sa i përket investimeve, duke pasur parasysh tendencën e çdo qeverie për të ekzagjeruar edhe sukseset me të vogla, nëse këto të fundit do të kishin ndodhur edhe në mënyrë shumë modeste , besoj se të gjithë do kishim dëgjuar tashmë.
Kritikat e mësipërme nuk bëhen për inerci, por për të konstatuar edhe një herë se Ministria e Integrimit duhet të ndryshoj strategji dhe të mos i var shpresat tek formimi i një imazhi sepse investitorët e huaj që i duhen ekonomisë sonë, do duan të shohin rezultate, të tipit që ajo Gjykata e shumë përfolur Administrative nuk është thjeshtë një tjetër hallke që ia shtuam numrit ekzistues të gjykatave, ku çështja mund të shqyrtohet mbas një përjetësie dhe pastaj të shtyhet edhe një tjetër përjetësi. Nuk po ndalem më tej të ideja e Znj. Gjosha se migracioni nga Kosove drejt vendeve te BE vjen, jo vetëm për shkak të nivelit të papunësisë, por më tepër për shkak të frustrimit për mos liberalizimin e vizave. Nuk jam e sigurtë nëse Ministri po përpiqet të thotë se qytetarët Kosovar migrojnë për t’i bërë presion BE për liberalizimin e vizave apo se ka një korrelacion midis migrimit dhe mungesës së liberalizimit, duke qenë se i pari bëhet pikërisht për arsye ekonomike dhe liberalizimi duke mos lejuar zhvendosje për arsye punësimi, nuk e zgjidh këtë problem.
- Arritjet në sytë e Drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian
Një takim u zhvillua në fillim të muajit shkurt midis përfaqësuesve të Ministrisë së Integrimit e ministrive të linjës si dhe Drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian e delegacionit të Bashkimi të Europian, si pjesë e takimit të dyte të Grupeve të përbashkëta të Punës. Praktikisht një takim i tillë kishte për qellim raportimin e arritjeve të bëra në kuadër të plotësimit të 5 prioriteteve që kushtëzojnë hapjen e negociatave me BE. Sipas Ministrit, Znj. Gjosha është arritur të krijohet një sistem monitorimi për punën që zhvillohet nga ministritë përkatëse, po përgatitet reforma në drejtësi, është shpallur fushata antikorrupsion me ane të të cilës ma merr mendja nënkuptohet inaugurimi i portalit online dhe ka pasur përmirësim në respektimin e të Drejtave të Njeriut. Sipas vërejtjeve të delegacionit[12], përkundrazi u vu në pah ndikimi që duhet të kenë Grupet e punës në procesin e monitorimit, qe do të thotë strategjia e monitorimit, e cila u përmend nuk është parë si rezultative dhe implementimi i reformave vazhdon të ketë më tepër karakter deklarativ.
Si përfundim, eksperienca e vendit fqinj, Kroacisë, i cili që nga momenti i marrjes së statusit kandidat në mes të 2004 deri në votimin për të qenë pjesë në 2014 kaloi plotë 10 vjet të jep një ide për perspektivën e largët të integrimit të vendit tonë, megjithëse qeverisë shqiptare, njëra pas tjetrës, i kanë pikturuar qytetarëve një tablo që sugjeron se mbas 5 vjetësh nga statusi do bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Fatkeqësisht, do duhet që të ndërgjegjësohemi se procesi në vetvete nuk ka të bej thjeshte me marrje shabllon reformash, përfitim ekspertize meqë është falas, kopjim ligjesh, por në radhe të pare një brendësim të parimeve demokratike që udhëheqin vendet anëtare.
Vendosja e këtyre parimeve, midis të tjerave do ta ndalonte një titullar publik të përdorte në funksion të vet institucionin të cilin drejton apo të sugjeroj se institucioni në vetvete është i barabartë me titullarin në fjalë. Bazohem në komentin e mësipërm në një postim në rrjetin social në Facebook, bërë në datën 10.02.15 në faqen e dedikuar Ministrisë se Integrimit, ku është shkruar me siguri nga Administratori: “Miq përshëndetje! Kjo është faqja personale e Ministres Gjosha, ku do të komunikoje me ju, jo vetëm si Ministre e Integrimit Europian por mbi të gjitha si Klajda.”
Administrimi i faqeve të rrjeteve sociale të ministrive përkatëse duhet të jetë ndër zërat e buxhetit për shpenzimet për informimin e qytetareve brenda ministrive, për çfarë arsye Znj. Gjosha presupozon se kjo është faqja e saj personale?
Një qëndrim i tillë, përveçse shumë pak profesional, është në vazhdën e barazimit të institucionit me personin dhe si qytetar do dëshiroja që kësaj tendencë t’i jepet fund në favor të forcimit të autoritetit e besueshmërisë së vetë institucioneve.
[1] http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-gjosha-per-here-te-pare-menaxhojme-vete-fondet-e-be-se-duhet-pergjegjshmeri-dhe-angazhim-maksimal&page=1
[2] http://www.amshc.gov.al/web/Plani%20i%20Veprimit_Udherrefyesi%20per%20Shoqerine%20Civile.pdf
[3] http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-gjosha-bashkepunimi-me-shoqerine-civile-vetem-ne-sherbim-te-qytetareve&page=1
[4] http://www.arkivalajmeve.com/video/Negociatat-Fleckenstein-Data-varet-nga-reformat—Top-Channel-Albania—News—Lajme.O2YBXQjY12E/
[5] http://www.telegrafi.com/lajme/rama-ne-bruksel-takohet-me-junker-78-13521.html
[7] http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-gjosha-pret-grupin-e-deputeteve-te-bundestagut-te-gjermanise&page=1
[8] http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-gjosha-procesi-i-integrimit-eshte-procesi-i-te-ardhmes-se-shqiperise
[9] http://www.parlament.al/web/Procesverbalet_10048_1.php
[10] http://news.albanianscreen.tv/pages/news_detail/87800/ALB
[11] http://lajmi.net/klajda-gjosha-ikja-e-migranteve-nga-kosova-pasoje-e-mos-liberalizimit/
[12] http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/zhvillohet-takimi-i-dyte-i-grupeve-te-perbashketa-te-punes-per-monitorimin-e-5-prioriteteve&page=1