![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
Një “tango” me partnerë të huaj…
Një tango kërkon dy. Dhe në këtë kërcim për të festuar investime të reja, si gjithmonë qeveria ka zgjedhur partnerë të huaj. Megjithatë, gati një vit pas miratimit të huasë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, një partner tashme i rikthyer, sheh me shqetësim nivelin e lartë të kredive me probleme në vendin tonë. Ulja e kredive me probleme ishte argumenti kryesor i marrjes së huasë 330 milionë dollarë një vit më parë, por ato kanë mbetur afër nivelit 25% të totalit të kredive.
Jens Reinke, shefi i Zyrës së FMN-se në Tiranë, shpjegoi:
“Kryesisht janë faktorë të jashtëm, si ulja e çmimit të naftës që ka goditur këtë sektor në Shqipëri. Po kështu problemet në vendet e Eurozonës, veçanërisht Greqia por jo vetëm, të cilat mund të rrudhin më shumë dërgesat dhe ndoshta edhe eksportet”.
Një tjetër pikëpyetje për ekonominë është ecuria e kredisë, e cila edhe pse u rikthye ne territor pozitiv mbetet e plogësht për shkak të kredive të këqija. Në këtë pikë Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe FMN duken të kapur te gjithë në befasi, teksa mekanizmi kryesor i propozuar, ai i shlyerjes se borxheve nuk funksionoi ashtu si pritej.
Ekonomistet i përshkruajnë huatë si ëmbëlsirat – të ëmbla, por tretet shpejt. Si të tilla, nuk do te kalojë shumë nga koha kur shoqërisë t’i duhet të paguajë më shumë taksa për të menaxhuar borxhin. Dhe në fakt ky është skenari që ka raportuar Top Channel: Autoritetet kanë rënë dakord me Fondin që të garantojnë arritjen e objektivave fiskal dhe se çdo dobësim në reformën e sektorit elektrik do të kompensohet me masa fiskale shtesë. Pra nëse deficiti financiar i sektorit do të jetë më madha se shifrat e paracaktuara, qeveria do të jetë e detyruar të marrë masa shtesë duke rritur taksat ose shkurtuar investimet. Kjo për të mos cenuar deficitin e përgjithshëm të buxhetit dhe programin për uljen e borxhit, për të cilin FMN duket se nuk pranon kompromis.
Një partnere e këtij muaji ka qene dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me te cilën është firmosur marrëveshja prej 18 milionë euro (vetëm financim i punimeve) për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës. Objektivi i ndërtimit të këtij by-pass-i është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, sidomos gjatë sezonit turistik, rritja e komoditetit dhe sigurisë në rrugë e lëvizje, si dhe përmirësimi i situatës ambientale të qytetit të Vlorës. By-pass-i i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, pjesa jugore e Vlorës. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Nga faqja online e Ministrisë se Financave bëhet e ditur se projekti tashmë do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe parashikohet të përfundojë në muajin mars 2017.
Kufiri virtual Shqipëri-Kosove
Qe nga takimi i pare i qeverise Rama me ish-qeverinë Thaçi në mbledhjen e Prizrenit, bashkëpunimi mes dy shteteve është rritur ndjeshëm. Më 16 Shkurt 2015, në Doganën e Morinës, u inaugurua “Korridori i Tranzitit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë” , i cili mundëson përdorimin e ndërsjellët të sistemeve informatike, në mënyrë që procedura e tranzitit të kryhet vetëm një herë. Me inaugurimin e “Korridorit të Tranzitit të Përbashkët” mes Shqipërisë dhe Kosovës, të gjitha tranzitet e çelura në territorin doganor shqiptar do të mbyllen në doganat e destinacionit kosovar, duke evituar kështu ndalesat në kufi për ribërje procedurash, dhe anasjelltas, ato tranzite që hapen në Territorin Doganor të Kosovës, do të mbyllen në doganat e destinacionit shqiptar, njësoj sikur të kishim vetëm një doganë dhe jo dy.
Kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovën synon te shpejtoje lëvizjen e mallrave, te shkurtoje kohën e qëndrimin të tyre në doganë, te reduktoje kostot për biznesin dhe në pikëpamjen doganore e te ktheje kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi “virtual”.
Në partnership me biznesin
Në kuadër të strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit, më datë 4 shkurt 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 9.1 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive:
- Investimet publike, janë alokuar 1miliardë lekë,
- Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 2miliardë lekë,
- “Të tjera”janë alokuar 8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për “Vendimet gjyqësore” janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë
- Ministria e Financave u ka bere thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve private, duke e promovuar edhe ne disa media, të verifikojnë listat e detyrimeve të çelura dhe të publikuara në web-sitin e Ministrisë (të hedhura në Thesaret përkatëse) dhe nëse janë pjesë e tyre të paraqiten sa më shpejt pranë institucioneve përkatëse, në mënyrë që të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paraqet:
“Inspektore Tatimore pa Kufij”, është program i OECD për forcimin në praktikë të ndjekjes së rasteve të transferimit të çmimit. Marrëveshja e nënshkruar në këtë kuadër midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Italiane të Tatimeve që në datën 5 Shator 2014, u prezantua për publikun ne 12 Shkurt 2015.
Agjencia Italiane e Tatimeve u shpreh besimplote që një projekt i tillë do të sigurojë përfitime për të dy vendet, duke përmirësuar nivelin e kontrolleve tatimore dhe duke rritur nivelin e pajtueshmërisë të tatimpaguesve të biznesit të madh, sipas natyrës bilaterale transnacionale. Nga ana tjetër, ky projekt përkon dhe me objektivat e Qeverisë për të aplikuar modele të reja, që luftojnë evazionin fiskal dhe parandalojnë fenomenet abuzive.
Në vijim, po këtë muaj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur te bashkërendojë punën e saj me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Kjo do të realizohet tashmë që u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit , e cila parashikon shkëmbimin në kohë reale të informacione, si dhe kontrolle të përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal dhe informalitetin. Sipas kësaj marrëveshje, një subjekt privat nëse rezulton me borxhe në Tatime apo Dogana, nuk do të mund të ushtrojë lirshëm aktivitetin e tij, pasi do te bllokohet edhe nga institucioni tjetër sapo te verifikohet se ai është shkelës apo debitor i parashikimeve të institucionit partner.
Ndërkohë, nuk është evidentuar i njëjti sukses ne mbledhjen e taksave, kjo si pasoje e përdorimit te sistemit të ri online të tatimeve, i cili hyri në përdorim muajin e kaluar. Monitor.al ka raportuar rënie ne nivelin e të ardhurave në muajin janar në vlerë absolute, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Zëri me rënien më të madhe është ai i tatim fitimit, ku janë mbledhur 60% më pak se e njëjta periudhë e një viti më pare. Financat janë mjaftuar duke thënë se vetë parashikimet për periudhën Janar 2015 të Ministrisë së Financave kanë qenë më të ulëta krahasuar me një vit më parë, duke marrë parasysh specifikat në sistemin e ri tatimor, por nuk kanë sqaruar më tej detaje arsyet e uljes së planit.