![Adela Danaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Adela-240x300.jpg)
Adela Danaj
Në këtë raport do të trajtohen dy çështje të cilat kanë tërhequr vëmendjen dhe interesin e qytetarëve gjatë muajit Shkurt, në lidhje me zhvillimet apo ngjarjet që lidhen me fushën e bujqësisë apo blegtorisë në vend.
Çështja e parë do të fokusohet tek dëmet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë këtij muaji, ndërsa çështja e dytë tek një ngjarje e diskutuar dhe një vit më parë mbi substancat që përmbajnë qumështi që qytetarët shqiptarë konsumojnë.
Dëmet nga reshjet e dendura të shiut në territorin Shqiptar
Muaji Shkurt mund të mund konsiderohet muaji që solli dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri. Gjatë këtij muaji një pjesë e madhe e territorit Shqiptar pësoi dëme të mëdha nga përmbytjet që erdhën si rezultat i reshjeve të dendura të shiut, duke evidentuar për të disatën herë pamundësinë e qeverisë Shqiptare për të ndaluar dëme të këtyre përmasave në momentin që përballet me kushte të tilla atmosferike.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z. Edmond Panariti, mbi këto ngjarje shprehu të gjithë mbështetjen e tij duke shkuar pranë zonave të përmbytura dhe duke premtuar se çdo qytetari do t’i kthehet çdo humbje që ka pësuar nga këto përmbytje. Por, ministri nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi mënyrën se si do të kryhet procesi i dëmshpërblimit duke thënë se këtë çështje do ta vlerësojnë ekspertët.
Disa nga aktivitetet e Z. Panariti në lidhje me këtë ngjarje ishin:
- Vizita në Fier ku deklaroi : “Kompensim të plotë për çdo bagëti të mbytur”
“Është një fatkeqësi e madhe për humbjet e mëdha që patët. Ju keni të lidhur jetën me bagëtitë. Por ajo që është e rëndësishme është se ne jemi të vendosur t’ju kompensojmë për çdo humbje”, ka thënë ai. Gjithashtu, ai ka ndjekur nga afër procesin e shpërndarjes së ndihmave për bagëtitë e izoluara.
- Letër zyrtare Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë
Nën cilësinë e drejtuesit ë institucionit përgjegjës për këtë fushë, Z. Panariti, ka kërkuar ndihmë për përballimin me sukses të kësaj situate. Ai ka kërkuar nga Banka e Shqipërisë dhe të gjitha bankat e nivelit të dytë, pezullimin e pagesave të kësteve të kredive dhe të heqjes së penaliteteve, për vonesat, me qëllim që fermerët privat të kenë mundësi për të përballuar këtë vështirësi, ose të merren në shqyrtim, rishikimin e kushteve të kredisë.
- Më datë 16 Shkurt, Z. Panariti, deklaroi se Brenda dy javësh do të mbyllte dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara në bujqësi.
Nga momenti i kësaj deklarate e deri tani, ende nuk kanë kaluar dy javë për të parë nëse Ministri e ka mbajtur premtimin e tij dhe nëse qytetarët kanë marrë dëmshpërblimin e premtuar brenda kohës së deklaruar. Kujtojmë se këto familje bujqësinë apo blegtorinë e kanë të vetmin burim të jetesës së tyre.
Gjithashtu, si rezultat i kësaj situate të rëndë, qeveria Shqiptare ka kërkuar ndihmë dhe nga Bashkimi Evropian për dëmshpërblimet. Kujtojmë se ministri Panariti, është shprehur se dëmshpërblimi do të kapë vlerën e 1.5 milion euro, ndaj qeveria do të aplikojë për të përfituar fonde nga Bashkimi Evropian.
Duke qenë në këtë pikë, kuptojmë se premtimi për dëmshpërblim brenda dy javëve do të jetë gati i pamundur duke qenë se qeverisë Shqiptare do t’i duhet të aplikojë fillimisht e më pas të pres nëse vendimi i BE-së do të jetë pozitiv dhe nëse ndodh kështu, atëherë do vijnë fondet e pretenduara. Kjo do të thotë se i gjithë ky proces do të jetë gati i pamundur të realizohet në një hark kohor prej dy javësh.
Në lidhje me këtë çështje ka shprehur gatishmëri për ndihmë dhe USAID. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti morën pjesë në një aktivitet të e zhvilluar me rastin e 1-vjetorit të programit të USAID-it, “Agrokapital”, që mbështet bujqësinë shqiptare dhe gjatë këtij takimi përfaqësues të USAID, shprehën gatishmërinë e tyre për t’i ardhur në ndihmë situatës së krijuar.
Kontrolli me cilësisë e produkteve në treg
Gjatë muajit Shkurt të këtij viti u hodhën disa akuza mbi një prej kompanive shqiptare, në lidhje me produktin që ajo tregton brenda tregut tonë. Bëhet fjalë për kompaninë “Lufra”, e cila është akuzuar për përdorim të qumështit pluhur në produktet e saj qumësht i freskët. Kjo e fundit i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për të shqyrtuar këtë çështje dhe për të vënë përpara përgjegjësisë akuzuesit. Z. Panariti, ministri i ministrisë në fjalë, në një deklaratë ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet për mashtrimin me qumështin “Lufra”. Në një dalje për mediat, Ministri tha se nga analizat e kryera në produktet e tregtuara nga kjo kompani, nuk ka rezultuar prani e qumështit pluhur, por vetëm qumësht i freskët.
Qytetarët kanë shprehur shqetësim në lidhje me këto akuza duke qenë se kjo kompani është një nga kompanitë vendase me shpërndarjen më të madhe në treg, që do te thotë se konsumatorët e këtij produkti janë të shumtë në numër. Z. Panariti ka dhënë vetëm këtë deklaratë duke mos pohuar asnjë detaj në lidhje me procesin e kontrollit, ku u krye, si u krye dhe nga kush u realizua. Kjo deklaratë e shpejtë prej tij, ka hedhur dyshimet nëse është realizuar apo jo vërtet ky kontroll dhe nëse vërtet këto produkte por dhe të tjera nuk cenojnë shëndetin e qytetarëve në Shqipëri.