Muaji shkurt solli përmbytje në shumë zona jug-perëndimore të Shqipërisë. Kryeministri Rama edhe pse nuk e shpalli zyrtarisht “Gjendjen e Emergjencës” për shtetin, u soll me emergjencë ndaj situatës duke qenë çdo ditë pranë zonave të prekura prej përmbytjeve. Këto përmbytje që vijnë edhe si pasojë e dëmtimit të mjedisit për dekada rresht, nxorën edhe njëherë në pah paaftësinë e trashëguar dhe vazhduar të shtetit shqiptar për të mos parashikuar dot të tilla fenomene natyrore. Edhe pse sot informacioni meteorologjik merret me prekjen dy herë të ekranit të smartphone—it, shërbimi kombëtar, dhe ai ushtarak dështuan që të paralajmëronin një përmbytje të tillë. Dështimi tjetër ishte evakuimi në kohë i familjeve të prekura, edhe pse përgjatë gjithë muajit ata u mbajtën me premtimet personale të politikanëve për t’u zëvendësuar mallin e humbur. Sigurisht që në të gjithë këtë ngjarje kryeministri nuk humbi asnjë çast pa e mediatizuar prezencën e tij, a thua se banorët e përmbytur kishin nevojë për një foto kujtim. Në deklaratat e tij në media, ashtu sikurse ka vepruar në 500 ditët e veta në pushtet, Rama nuk ka lënë pa përmendur se fatkeqësitë e Shqipërisë trashëgohen prej gabimeve të para 23 qershorit. Kështu, me një retorikë të ngritur tashmë në një vit e gjysmë, kryeministri duket sikur kërkon të mbjellë në mendjen e popullit të vet konceptin e dy epokave: Para dhe pas 23 qershorit, para dhe pas ardhjes së Ramës. Në teoritë e komunikimit, kjo teknikë ligjërimi quhet INCEPTIM.
Në datën 11 shkurt, kryeministri mori pjesë në konferencën për rimëkëmbjen energjitike, ku ndër të tjera lavdëroi vetveten për aksionin e grumbullimit të parave duke thënë se: “Sot kemi disa të dhëna në dorë, që janë fryt i një vizioni kurajoz, i një planifikimi agresiv, i një ligjzbatimi të hekurt”. Nëse mbetemi sërish tek analiza e ligjërimit për te kuptuar psikologjinë e tij të komunikimit, na duhet të themi se mbiemrat kurajoz, agresiv dhe i hekurt, në shkencat politike, u atribuohen së pari politikave publike të ideologjive të djathta. Për të treguar kontrastin, mund të ndërtojmë të njëjtën fjali me fjalë kyçe se si do të duhej t’i përdorte një politikan i majtë. Ai do të duhej të thoshte: “ Sot kemi disa të dhëna në dorë që janë fryt i një vizioni social, i një planifikimi të kujdesshëm dhe i një ligjzbatimi solidar”. Mirëpo, kryeministri kurrsesi nuk mund ta ligjëronte këtë lloj fjalie, sepse në fakt veprimet dhe politikat që ai ka ndërmarrë u përkojnë plotësisht fjalëve që ai ka përdorur. Thënë më thjeshtë, fjalë të djathta për politika të djathta prej një aktiviteti që është vetëshpallur i majtë.
Një moment tjetër i dështimit të ligjërimit politik të Z. Rama është fjalimi i tij në parlament më 12 shkurt, kur Tirana u zgjua nën frikën e tritolit. I hutuar, sigurisht, kryeministri nuk e ndërtoi fjalën e tij bazuar tek nevoja për të informuar qytetarët, por përkundrazi, tek dëshira për të goditur opozitën. Në këtë fjalim të gjatë ai thotë një moment “Edhe gjakësit, Kanuni i jep 24 orë qetësi në besë, ndërsa ju nuk pritët dot as 4 orë …”, teksa i drejtohet deputetëve të opozitës. Këtu, gabimi i kryeministrit nuk është thjesht devijimi nga lajmi i ditës (terrori publik), por mbi të gjitha ideja e përçuar se nëse opozita do të ishte sjellë si gjaksit kanunorë, atëherë do të kishin pasur njëfarë nderi. Dikush mund të thotë se fjala e kryeministrit nuk e ka pasur si qëllim legjitimimin e gjakmarrjes, mirëpo nuk duhet të harrojmë se një kryeministër mban përgjegjësi edhe për gjërat që bën “pa dashje”, ashtu si të gjithë ne të tjerët.
Lajmi se “Deutsche Telekom” do të sillte në Shqipëri 10 mijë matës smart, ishte një lajm i mirë. Por kjo vetëm në sekondat e para, pasi, teksa mbaronte deklarata e përbashkët për shtyp mes kryeministrit dhe përfaqësueses së kompanisë Znj. Nemat, asnjë informacion nuk u dha rreth këtij bashkëpunimi. Rama përsëriti disa herë falënderimin e tij për Gjermaninë, për Merkelin, për ambasadën, por nuk foli asnjëherë për termat e këtij projekti. Kështu, disa skenarë u hamendësuan prej politologëve. Së pari, mund të jetë që kompania, me iniciativë të qeverisë Gjermane ka vendosur të dhurojë për Shqipërinë, mirëpo nëse kjo do të ishte e vërtetë, kompania nuk do ta kishte lejuar që gjatë gjithë prezantimit të mos përmendej asnjëherë fjala “dhurim” ose “donacion” ose “falas”. Së dyti, ekziston mundësia që kompania të ketë dhuruar 10 mijë matësit e parë (duke qenë se Shqipëria është edhe vendi ku do të eksperimentohet funksionaliteti i tyre për herë të parë), me qëllim që të përfitojë me qark të shkurtër tenderin për 1 milion matës të tjerë. Ndërkohë që çmimi për një matës elektronik nuk u bë publik (edhe pse në botë, kostoja minimale është 60 USD). Së treti, ekziston mundësia që qeveria i ka paguar tashmë 10 mijë matësit, dhe do të blejë edhe 1 milion të tjerë, pa e bërë kurrë publike kontratën me këtë kompani. Për të mos përmendur problemet që këto matës krijojnë për shëndetin në radhë të parë, për privatësinë e të dhënave në radhë të dytë, si dhe për gabimet në përllogaritje (për më shumë mund të lexoni në http://emfsafetynetwork.org/smart-meters/ ).
Më 16 shkurt, kryeministri përuroi doganën e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një simbol i mirë ky në kuadër të ëndrrës romantike të bashkimit kombëtar. Sidoqoftë asnjëherë nuk u dhanë të dhëna për situatën e derimëtanishme të shkëmbimeve doganore, dhe se si do të kontribuojë kjo doganë në uljen e korrupsionit në doganë apo në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve.
Në po të njëjtën ditë, Rama u takua me ministren e jashtëm të Kroacisë Vesna Pusić. Në bisedë e sipër kryeministri falenderoi shtetin kroat për ndihmën financiare që ky vend i akordoi Shqipërisë gjatë përmbytjeve. Diçka që nuk ishte lajmëruar askund më parë publikisht (dhe as në këtë rast nuk ishte për qëllim të njoftohej, por thjesht u përmend në bisedë e sipër). Më herët, disa media patën shkruar se edhe Serbia kishte akorduar një fond për përmbytjet në Shqipëri, dhe sigurisht edhe shtete të tjera më të fuqishme se këto të dyja duhet të kenë bërë të njëjtën gjë. Mirëpo populli shqiptar nuk do të dijë dot t’iu jetë mirënjohës këtyre vendeve që iu gjendën pranë, pasi askush në qeveri nuk publikoi ndonjë listë me vendet dhe donacionet që ata i sollën Shqipërisë.
Më 17 shkurt, nga Laçi, kryeministri ofroi në publik një shifër bombastike: 92.521 të punësuar më shumë nga ardhja e tij në zyrë. Askund, sidoqoftë, nuk u ofrua një listë nominale ku këto vende punë të pasqyrohen publikisht. Në këtë sjellje të kryeministrit duket sikur mesazhi është: mjafton të besoni shifrat e mia, nuk ka nevojë të kontrolloni faktet. Ende nuk dihet se kur këto të dhëna do të publikohen seriozisht.
Sigurisht që gjatë muajit shkurt kishte edhe momente të mira për vendin tonë, teksa kryeministri firmosi dy marrëveshje kryesore: 1- Marrëveshja për njohjen e ndërsjellët të viteve të kontributeve shoqërore me Belgjikën, dhe 2- Me Rumaninë.
Një prej skandaleve të radhës në sjelljen personale të kryeministrit tonë, ishte ai i 19 shkurtit ndaj gazetares Erisa Zykaj. Pas takimit me presidentin Junker në Parlamentin Europian, kryeministri ofendoi dy herë gazetaren. Herën e parë duke i thënë se ajo nuk e kishte kuptuar mirë fjalimin e tij dhe për rrjedhojë duhej të merrte ca leksione të gjuhës angleze, dhe së dyti, duke e injoruar plotësisht dhe në mënyrë cinike pyetjen e saj të dytë rreth “valës së tritolit që ka pushtuar vendin”.
Në fjalën që kryeministri mbajti në konferencën e SEECP, ndër të tjera tha: “Në mënyrë që t’i përballojmë këto sfida, përforcimi i përmasës së sigurisë në bashkëpunimin tonë rajonal ka rëndësi thelbësore. Për këtë arsye, Deklarata jonë e Përbashkët Kundër Terrorizmit, që do të miratohet nga ky takim, thekson angazhimet tona për zbatimin e mëtejshëm të reformave, forcimin e shtetit të së drejtës, përqafimin e bashkëpunimit mes të rinjve dhe rritjes së zhvillimit ekonomik”. Cilido studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare do ta pranonte menjëherë se këto fjalë, më shumë se gjithçka tjetër janë boshe. Duke mbajtur parasysh se Shqipëria nuk mund të angazhohet në asnjë iniciativë mbrojtjeje jashtë NATO-s, dhe aq më pak të kontribuojë për një mbrojtje të përbashkët në rajon në kohën kur buxheti për mbrojtjen nuk i kap as 4% të buxhetit të të gjithë qeverisë.
Kështu, edhe muaji shkurt, me shumë SHOW që duhet të duket si punë, u mbyll me një kryeministër që i bën “krenarë” shqiptarët, teksa firmosi autografe për librin e tij, në Bukuresht. Le të mos e humbim shpresën për ditë më të mira në vazhdim.