
Ingrid XHAFA, MA
1-Qeverisje e Hapur apo e Mbyllur?!
Ndërkohë që modernizimi/dixhitalizimi i shtetit është prioritet i qeverisë shqiptare, duket se është vetë institucioni i Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike (MSHIAP), që çalon në ndjekjen e parimeve të transparencës dhe qeverisjes së hapur. Në dhjetor të 2014-tës janë miratuar dy ligje shumë të rëndësishme për transparencën dhe konsultimin publik, ligje që garantojnë publikimin e çdo informacioni me natyrë publike dhe që rregullojnë procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projekt-dokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik[1]. Kështu, ligji nr. 146/2014 “PËR NJOFTIMIN DHE KONSULTIMIN PUBLIK si dhe me VKM nr. 828, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave të krijimit dhe administrimit të regjistrit elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike”, e bën MSHIAP përgjegjëse për monitorimin e vazhdueshëm të Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (RENJK). Regjistri elektronik është një faqe zyrtare internet (http://konsultimipublik.gov.al/)[2].
Sipas kërkesave ligjore, përcaktuar në VKM nr. 828, pika 9, RENJK duhet të përmbajë në bazën e tij të të dhënave të gjitha projekt dokumentet strategjikë, kombëtare dhe vendore, si dhe politikat me interes të lartë publik; të gjitha projekt-aktet, njoftimet për konsultim dhe të dhënat e lidhura me konsultimet publike; planet vjetore të organeve publike që lidhen me procesin e vendimmarrjes; informacionin në lidhje me procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik në të gjitha fazat, duke filluar nga publikimi i projekt-aktit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve për përmirësimin e tij, organizimi i debateve publike e deri te miratimi i aktit përfundimtar.
Megjithatë, momentalisht në bazën e të dhënave të regjistrit elektronik gjenden vetëm 4 projektligje, 2 të hedhura në sistem nga Ministria e Financave dhe 2 nga Ministria e Drejtësisë[3]. Madje edhe projektligjet e postuara nuk përmbajnë të gjithë informacionin sipas detyrimeve të sipërpërmendura. Kurse të gjitha institucionet e tjera publike, që janë subjekt i këtij ligji nuk kanë hedhur asnjë lloj informacioni në regjistrin elektronik, edhe pse me VKM nr. 828 janë të detyruara të pasqyrojnë të dhënat jo më vonë se 48 orë nga momenti i miratimit të dokumentin nga organi publik. Gjithashtu, MSHIAP përveç se përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit, është subjekt i vetë ligjit. Por, në listën e ministrive të publikuara në regjistrin elektronik mungon e listuar MSHIAP. Gjithashtu është e paqartë mënyra e organizimit të faqes zyrtare të internetit të regjistrit elektronik, pasi në listën e institucioneve të publikuara gjenden vetëm ministritë e vendit (me përjashtim të MSHIAP), por ligji ka për subjekt të gjitha institucionet publike, përfshirë këtu edhe institucionet e qeverisë vendore.
Dëshirojmë ti rikujtojmë Ministres së Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike se qeverisja e hapur nuk është thjesht një nocion donatorësh apo partneritetesh globale (vetë ministrja është koordinatorja e programit të Qeverisjes së Hapur për Shqipërinë), por është detyrim ligjor. Organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik. Mjafton të rikujtojmë se Bashkia e Tiranës ka një dosje të hapur në prokurori, pikërisht në lidhje me mbajtjen e njoftimeve dhe konsultimeve publike për një investim publik[4]. Nëse institucioni i MSHIAP do të kishte kryer detyrën me rigorozitet për krijimin, funksionimin, administrimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të RENJK, palët e interesuara jo vetëm që do të mund të aksesojnë informacionin në kohë dhe në mënyrën e duhur, por do të mund të jenë më pjesëmarrës në vendimmarrje, gjë që mendohet të jetë edhe thelbi i demokracisë funksionale.
[1] Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”
[2]Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, aksesuar për herë të fundit më 28/06/2016 http://konsultimipublik.gov.al
[3]Ministër shteti për Inovacion dhe Administratën Publike, konsultimet e fundit për projektligjet, aksesuar për herë të fundit 28/06/2016http://www.konsultimipublik.gov.al/RENJK/Konsultime/Qytetar
[4]Parku te Liqeni: Prokuroria merr në pyetje Erion Veliajn, aksesuar për herë të fundit më 28/06/2016 http://www.mapo.al/2016/06/parku-te-liqeni-prokuroria-merr-ne-pyetje-erion-veliajn/1