
Megi LLUBANI, MSc
1. Policia që nuk duam
Që prej fillimit të raportimeve të saj vitin e kaluar, APPA është fokusuar shpesh tek puna dhe performanca e policisë së shtetit, veçanërisht qasja ndaj qytetarëve. Në programin e Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 u premtua ndryshim tërësor I imazhit, funksionit dhe qasjes së policisë së shtetit në funksion të policimit në komunitet. Për më tepër neni 25[1] i kushtetutës garanton mbrojtjen e shtetasve kundër torturës, dënimit apo trajtimit çnjerëzor, mizor e poshtërues. Rasti i dhunës kundër një shtetasi nga ana e forcave policore është në shkelje të dokumentit themeltar të këtij shteti demokratik, shkelje e të drejtave universale të njeriut të njohura në konventat evropiane dhe botërore dhe shkelje e parimeve demokratike të një shteti që supozohet se ka në themel të tij respektimit e dinjitetit njerëzor. Në të njëjtën kohë vetë dokumenti themeltar I funksionimit të policisë së shtetit, Ligji për Policinë e Shtetit, e përcakton misionin e saj si garantim të zbatimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë duke mbrojtur të drejtat e njeriut.[2]
Nuk mbaron me kaq pasi vetë rregullorja e Policisë së Shtetit miratuar në vitin 2015 përmban një kapitull më vete mbi etikën e punonjësit të policisë. Ndër parimet e renditura është edhe ajo mbi proporcionalitetin dhe përdorimin e forcës. Sipas nenit 110, Punonjësi I policisë e përdor forcën vetëm në mënyrë të arsyeshme dhe të nevojshme dhe vetëm në masën që kërkohet për të arritur një synim të ligjshëm. Ai gjithashtu duhet të përdorë forcën pa cenuar thelbin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe përdor gjithmonë mjete të përshtatshme në proporcion me rrezikun dhe qëllimet që synohen të arrihen. Dhe së fundi ai/ajo duhet të jetë përgjegjës individualisht për ushtrimin e forcës dhe duhet të japë llogari para ligjit.[3] Të dy rastet e paraqitura në media, në Korçë dhe Tiranë, duhen zbardhur në mënyrë që të kuptohet çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe të merren masat konkrete në rast se ka pasur shkelje nga ana e oficerëve të policisë.
Në raportin e vitit 2015 Avokati i Popullit nxjerr një sërë problematikash sa i përket trajtimit të personave të ndaluar apo shoqëruar nga policia e shtetit. Sipas raportit vjetor problematikat kryesore të identifikuara ishin mbipopullimi i komisariateve, një numër pretendimesh për ushtrim dhunë në disa komisariate, veçanërisht në Tiranë si edhe mangësi në respektimin e kuadrit ligjor ekzistues për trajtimin e rasteve të shoqërimit dhe ndalimit të personave të dyshuar.[4] Për shkak se avokati i popullit mund thjesht të japë rekomandime të cilat nuk kanë fuqi ligjore detyruese, i përket policisë së shtetit dhe organeve të tjera përgjegjëse të marrë masa për zbatimin e kuadrit ligjor, mbajtjen e premtimeve elektorale në lidhje me sigurinë dhe rendin dhe zbatimin e rekomandimeve të organizatave të shoqërisë civile dhe avokatit të popullit.
2. Qeveria shkel ligjin kur i leverdis
Bazuar në rregulloren e Kuvendit, neni 86 mbi procedurat e veçanta parashikon se kur Presidenti kthen një projekt ligj për rishqyrtim atëherë komisioni përkatës parlamentar duhet ta kalojë atë menjëherë në shqyrtim. Nga ana tjetër Komisioni përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht shqyrton dekretin e presidentit dhe brenda 8 javëve duhet të paraqesë raportin e tij, mbi mendimin e komisionit dhe propozime për nene të veçanta të ligjit.[5] Presidenti Nishani përmes një dekreti që daton në 4 prill 2016[6] e ka kthyer ligjin mbrapsht për shqyrtim bazuar në disa arsyetime ligjore se në formën aktuale ai cenon të drejtat dhe liritë themelore, veçanërisht privatësinë. Sikurse kanë raportuar edhe mediat, qeveria e ka hequr rrëzimin e dekretit të presidentit nga rendi i ditës së komisionit të sigurisë kombëtare pasi humbi mbështetjen e aleatëve qeverisës.
Fakti që qeveria nuk e siguroi dot mbështetjen e partive aleate për hedhjen poshtë të dekretit të presidentit nuk I jep asaj asnjë legjitimin dhe të drejtë të të hedhë poshtë parimet demokratike për të arritur synime politike. APPA është shprehur në lidhje me ligjin e propozuar për kamerat e sigurisë, duke u fokusuar më tepër tek sensitiviteti i kësaj politike dhe rreziqet që ajo paraqet në kontekstin e një vendi si Shqipëria. Ky rast tregon qartazi se nëse rregullat shkelen në mes të ditës pa asnjë pasojë nga aktorët politikë, kush e siguron qytetarin shqiptar, pavarësisht pozicionit të tij në shoqëri, se mbrojtja e të dhënave personale do të garantohet edhe me vendosjen masive të kamerave të sigurisë. Si do të balancohet raporti ndërmjet luftës ndaj krimit dhe shkeljes së parimit të mbrojtjes së të dhënave personale.[7]
3. Zbatimi I ligjit për të drejtën e informimit: përmirësimet dhe sfidat e mbetura
Neni 7 i ligjit për të drejtën e informimit rendit një sërë kategorish informacioni që duhen bërë publike nga çdo institucion publik pa pasur nevojë për kërkesë për informacion[8]. Nga 23 kategori informacioni që duhet bërë publik në faqen e internetit të ministrisë 10 janë përmbushur dhe janë të aksesueshme në faqen e internetit, 3 janë pjesërisht të aksesueshme dhe 10 nuk janë publike në faqen e internetit. Ministria ka bërë publike Programin e saj të transparencës, kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit, regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve dhe një sërë publikimesh mbi konsultimin publik, çka përbën hap tejet pozitiv. Gjithashtu lehtësisht të aksesueshme janë një pjesë e legjislacionit, kontaktet e personave përgjegjës për secilin sektor brenda ministrisë dhe informacione për fushat kryesore të veprimtarisë së ministrisë. Megjithatë 10 kategori të tjera mungojnë, gati gjysma e totalit të informacioneve që duhen ofruar pa pasur nevojë për kërkesë për informacion.
Faqja e internetit nuk përmban informacion mbi konventat e ratifikuara, aktet nënligjore, kode sjelljeje, të dhëna për arsimimin dhe pagat e funksionarëve, raporte monitoruese nga institucionet e tjera, buxhetin dhe procedurat e prokurimit, të dhëna për subvencione për kategori të ndryshme. Ndërkohë që vlerësojmë bërjen publike të një pjese të mirë të informacioneve të kërkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me programin e transparencës dhe informimin publik, I bëjmë thirrje ministrisë të reflektojë ndryshime në faqen e saj për të reflektuar edhe kategoritë e tjera mjaft të nevojshme për rritjen e transparencës dhe aksesueshmërisë nga ana e qytetarëve.
[1] Kushtetuta e Republikës së Shqipëisë, Neni 25: http://ëëë.ëipo.int/edocs/lexdocs/laës/sq/al/al057sq.pdf
[2] Ligji 108/2014 Për Policinë e Shtetit, Neni 2: http://ëëë.ëipo.int/edocs/lexdocs/laës/sq/al/al057sq.pdf
[3] Ministria e Punëve të Brendshme, Rregullore e Policisë së Shtetit, 2015, neni 110: http://ëëë.punetebrendshme.gov.al/files/documents_files/RREGULLORE_E_POLICISE_SE_SHTETIT_-_2015.pdf
[4] Avokati I Popullit, Raporti Vjetor 2015, f. 26: http://ëëë.avokatipopullit.gov.al/sites/default/files/ctools/RAPORTI%20SHQIP%202015%20.pdf
[5] Kuvendi I Shqipërisë, Rregullore e Kuvendit, Neni 86: https://ëëë.parlament.al/ëp-content/uploads/sites/4/2015/11/Rregullore-e-Kuvendit-e-perditesuar.pdf
[6] Presidenti, Dekret për kthimin e ligjit numer 19/2016 ‘’Për masat shtesë të sigurisë publike’’: http://president.al/?p=32860
[7] Gazeta Panorama, drafti për kamerat e sigurisë, si e shkeli PS rregulloren e kuvendit: http://ëëë.panorama.com.al/drafti-per-kamerat-e-sigurise-si-e-shkeli-rregulloren-e-kuvendit-ps-ja/ Për më tepër shih: http://ëëë.panorama.com.al/ps-ska-votat-e-aleateve-per-te-rrezuar-dekretin-e-nishanit-shtyn-votimin-per-kamerat-e-sigurise676/
[8] Ligji 119/2014 Për të drejtën e informimit, neni 7: http://ëëë.akafp.gov.al/ëp-content/uploads/2015/04/ligj_nr_119_dt_18_9_2014_19327_1_E-drejta-e-informimit1.pdf