
Brenton KOTORRI, BA
1- Transparenca, tej shikueshmëria dhe padukshmëria e Ministrisë së Mbrojtjes
IDRA Albania, një Think Tank që operon edhe si “agjenci consulting”, në fillim të muajit qershor publikoi një raport[1] lidhur me perceptimin qytetar ndaj korrupsionit. Ku një prej pyetjeve që iu është bërë të anketuarve ka provuar të marrë perceptimin e tyre lidhur me transparencën e institucioneve publike*. Porsa ky raport u publikua, Ndër media u transmetua një kronikë me të njëjtin lajm: “Ministria e Mbrojtjes është ministria më transparente”. Përpara se të vijojmë me përmbajtjen e lajmit, duhet të theksojmë, se në të njëjtin raport është gjetur se media perceptohet si 47% e korruptuar. Që do të thotë, se qytetarët janë në dilemë për ta besuar apo mos e besuar një lajm. Kjo dilemë është e mirëpritur në rastin e këtij lajmi. Sepse vërtetë rezulton se ministria e mbrojtjes është më transparente, por është e tillë në raport me ministritë e tjera. Që do të thotë, se Ministria e Mbrojtjes perceptohet si më transparente sesa ministritë e tjera, por jo domosdoshmërisht 100% transparente. Në datën 3 qershor, kjo ministri publikoi në 32ebsite-in e vet, menjëherë një njoftim ku “i falënderonte qytetarët shqiptarë për besimin e treguar”. Në mënyrë të paturpshme, kjo ministri shprehet se “Ministria e Mbrojtjes renditet si institucioni i parë për sa i përket transparencës në vend.” Duke e fabrikuar kështu lajmin pozitivisht.
Ndërkohë që pjesa tjetër e së vërtetës e zhyt ministrinë edhe më shumë në paturpësinë e vet. Perceptimi qytetar zbulon se kjo ministri është vetëm 46%transparente. Në raport me standardin e nevojshëm të transparencës, kjo ministri është në kuotën 46%, më pak sesa gjysma, që do të thotë se më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë se kjo ministri nuk është transparente. Celebrimi i këtij sondazhi si tregues i një suksesi për këtë ministri, është shfaqja e mungesës totale të transparencës së kësaj ministrie. Për më tepër, më shumë sesa mungesë transparence, një fabrikim i tillë lajmi, përbën dëmtim dhe manipulim të opinionit publik. Bashkëfajtor në këtë dëmtim është edhe media si gazetat Tema, Dita, Shekulli , e cila ka kopjuar lajmin e nxjerrë nga vetë ministria, dhe e ka riprodhuar verbatim, pa asnjë lloj analize të mëtejshme dhe pa asnjë kontroll të mëtejshëm faktesh.
Nëse mediat do të kishin klikuar një link më shumë, do të kishin zbuluar se në përfundimet e raportit, IDRA vetë shprehet: “Transparenca mbetet një çështje kritike për institucionet shqiptare sipas opinionit publik. Të gjitha institucionet e listuara shënojnë më pak se mesatarja e 50 pikëve në një shkallë nga 0-100 ku 0= “aspak transparente” dhe 100= plotësisht transparente “[2]. Ky është një rast flagrant, sesi gjysmë e vërteta mund të kthehet në një mjet për të thënë të kundërtën e të vërtetës së plotë. Ky turp u amplifikua nga ministrja Kodheli dora vetë, kur teksa përcillte trupat komando për një mision në Afganistan u tha atyre[3]: “Jo më kot Ministria e Mbrojtjes renditet e para në besimin që qytetarët shqiptarë kanë dhe në transparencën që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura tregojnë”. Jo vetëm që ministrja amplifikoi këtë manipulim të opinionit publik por e bëri këtë edhe ndaj ushtarëve, dhe shtoi si pa të keq edhe Forcat e Armatosura nën ombrellën e transparencës. Të cilës transparencë? Të cilit besim qytetar? Atij nën 50%? Ja pse ushtarët që do të niseshin për në Afganistan, për t’i shërbyer NATOs e jo atdheut, duhet ta bojkotonin atë fjalim.
2- Helikopteri që e zhyti por nuk e lagu ministrinë
Ende vazhdojnë hetimet nga prokuroria lidhur me aksidentin tragjik me helikopter të muajit prill. Sikurse kemi raportuar edhe muajin e kaluar, ministria e mbylli hetimin e saj vetëm duke thënë se plani stërvitor ishte zbatuar. Pa dhënë kurrsesi asnjë shenjë për ndonjë ndjenjë përgjegjësie për dy anëtarë të Forcave të Armatosura të cilët humbën jetën, dhe pa mbajtur asnjë rrudhë mbi ballë për dy qytetarë të cilët nuk i mbrojti dot. Ndërkohë që hetimi vazhdon, ministria vendosi te japë verdiktin e saj final. Të rënët të shpallen dëshmorë. Ligji përcakton qartë se kur përfitohet ky status për personat që humbasin jetën në krye të detyrës[4]: “Statusi i Dëshmorit të Atdheut u njihet…
- e) shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;
e/1) shtetasve shqiptare qe kane rene ose bien ne krye te detyrës për mbrojtjen e paqes dhe të lirisë së kombit shqiptar, ose atyre që kanë rënë apo bien në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar ose për mbrojtjen e pasurisë shtetërore, apo që humbasin jetën në krye te detyrës nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore…”
Si mund ta merrte këtë vendim komisioni i ministrisë ndërkohë që hetimet vazhdojnë, dhe madje prokuroria nuk e merr fare për bazë hetimin që ministria mbylli brenda javës me një deklaratë me 2 paragrafë[5]? Mungesa e plotë ë përgjegjshmërisë, i vesh një turp tjetër kësaj ministrie dhe personit që e drejton.
3- Vota dhe heshtje
Të nesërmen e inaugurimit të hapjes dhe shtrimit me zall të 16 kilometrave rrugë nga Rrësheni në Ulëz, ministrja udhëtoi drejt takimit ministror të NATOs. Rruga e shtruar nga ushtria, përbën një keqpërdorim të forcave të armatosura, të cilët nuk janë krah pune për rrugët e zonës elektorale të ministres[6] por trupa që mbron kombin. Kësisoj, ministrja garanton votat e banorëve të zonës duke e mbuluar këtë shkelje përmes mosshkeljes së asnjë ligji. Ndërkohë që homologët që ajo takoi në Bruksel nëse do të shfrytëzonin një rast të këtillë, do të shkarkoheshin nga populli para sesa nga kryeministri. Gjithsesi, në programin[7] e takimit ministror[8], dhe në raportin e këtij takimi[9], duket se ministrja ka shkuar vetëm për relaksim pasi nuk ka asnjë shenjë të saj askund. As të ndonjë fjalimi, as të ndonjë takimi dypalësh, as të ndonjë pyetjeje e asgjë tjetër.
Ndërkohë, brenda po të njëjtës javë, në brigjet e Durrësit, një marinar egjiptian, rrëmben anijen ku punonte duke marrë peng kapitenin dhe një marinar tjetër. Pirati kërkonte 70’000 Euro, në këmbim të pengjeve të tij[10]. Ministria heshti, a thua se anijet që duhet të patrullojnë dhe mbrojnë territorin ujor shqiptar nuk janë përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes. Ndryshe nga sa kemi raportuar më parë në APPA, kur mjetet detare të NATOs janë përdorur për dëfrimin e ish-drejtoreshës së AKT Julinda Dhame, dhe miqve të saj turistë[11], mjetet në fakt duhet të shërbejnë për të patrulluar zonën, nga do akt terrorizmi, piraterie apo lufte. Forca detare në këtë rast ka dështuar, dhe ministria e mbrojtjes nuk ka arritur ta mbrojë territorin tonë ujor. Ka shkelur dukshëm pikën 3.2. të Direktivës së Mbrojtjes 2016 ku thuhet se MM duhet të “përmirësojë kapacitetet për vëzhgimin e hapësirës detare, kapacitetet reaguese dhe kapacitetet e patrullimit dhe ndalimit detar (boardingut). Të rrisë sasinë e orëve të patrullimit dhe të vlerësojë efektivitetin e tyre përkundrejt objektivave të synuar.[12]”
*Tabela nga studimi i IDRA
[1] Raporti i IDRA http://www.idrainstitute.org/sq/events/korrupsioni-ne-shqiperi-percpetime-dhe-pervoja-2015-2016
[2] Pwrmbledhje nga IDRA http://www.idrainstitute.org/files/reports/Corruption%202016/Fact%20Sheet%20Korrupsioni_Shqip_FINAL.pdf
[3] Ministja u flet ushtarwve pwr besimin ndaj ministries http://www.mbrojtja.gov.al/index.php/newsroom-2/1802-komandot-shqiptare-nisen-me-mision-ne-afganistan
[4] Ligji pwr shpalljen dwshmor http://www.infocip.org/al/?p=6789
[5]Prokuroria nuk e merr parasysh hetimin e ministrisw http://www.respublica.al/2016/06/01/po-fluturonte-helikopteri-ec145-sipas-planit-prokuroria-nuk-e-merr-t%C3%AB-mir%C3%ABqen%C3%AB-versionin
[6] Kodheli pwrdor ushtarwt pwr vota http://www.respublica.al/2016/06/13/ushtria-nd%C3%ABrton-16-km-rrug%C3%AB-n%C3%AB-zon%C3%ABn-elektorale-t%C3%AB-ministres-kodheli-zyrtarisht-nis
[7] Program ii takimit ministror ne Bruksel http://www.nato.int/cps/en/natohq/events_132234.htm
[8] Takimi ministror ne Bruksel http://www.nato.int/cps/en/natohq/news_131452.htm
[9] Raporti i takimit ministror http://www.nato.int/cps/en/natohq/news_132354.htm
[10] Rrwmbimi i anijes http://shqiptarja.com/aktualitet/2731/durr-s-egjiptiani-merr-peng-anijen-policia-k-rkon-70-mij—euro–362212.html
[11] APPA, raport Prill 2015 https://appa.brentonkotorri.com/raport-prill-2015-ministria-e-zhvillimit-ekonomik-turizmit-tregtise-dhe-sipermarrjes-2/
[12] Direktiva e mbrojtjes 2016 http://www.mbrojtja.gov.al/images/PDF/Direktiva_Mbrojtjes_2016.pdf