
Blerina LLALLA, MSc
Përpos kontekstit formal të aktivitetit te Ministrisë së Kulturës gjatë muajve paraardhës e ne vijim, muaji qershor starton me një program të larmishëm aktivitetesh artistike-kulturore si festivale, shfaqje artistike dhe promovuese për disa gjini të artit në Shqipëri, në zona të ndryshme të vendit. Po gjatë këtij muaji Ministrja Kumbaro nënshkroi në Zagreb programin e bashkëpunimit kulturor 2016-2019 Shqipëri-Kroaci, menjëherë pas atij me Kinën, në kuadër të nismës 16+1, në Tiranë.[1] Sipas informacioneve të publikuara programi i bashkëpunimit parashikon bashkëpunimin dhe shkëmbimin në të gjitha fushat e kulturës dhe artit në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2019 në një mënyrë që inkurajon dhe mbështet marrëveshjet e drejtpërdrejta dhe bashkëpunimit midis institucioneve, ekspertëve, artistëve dhe shoqatave të skenës së pavarur artistike. Vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e piraterisë kulturore, si dhe bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertëve në formën e vizitave studimore, pjesëmarrjeve në festivale dhe në ngjarje të tjera të rëndësishme kulturore të dy vendeve
Programi përfshin gjithashtu shkëmbimin e ekspozitave, filmit, baletit, muzikës operistike, shfaqjeve teatrale dhe performancave të artit modern, workshop-e në fushën e trashëgimisë, si dhe inkurajimin për të drejtuar bashkëpunimin ndërmjet shkrimtarëve dhe shtëpive botuese të tyre për t’u njohur më nga afër me letërsinë e sotme shqiptare dhe kroate, pa lënë mënjanë edhe studimet historike dhe albanologjike. Në kuadrin e rritjes së bashkëpunimit edhe me shtete të tjera të Europës këto mbeten hapa pozitivë në funksion të promovimit, shkëmbimit dhe rritjes së kapaciteteve apo prurjeve të reja po aq sa edhe praktikave nga kultura të tjera në të gjitha fushat e artit e trashëgimisë, ndaj dhe shumë artistë apo të interesuar, si dhe specialist të çështjeve të trashëgimisë kulturore duhet të insistojnë të sjellin idetë e tyre në jetë duke shfrytëzuar këto programe për të rritur akoma më tej përfaqësimin tonë në një shkallë më të gjerë dhe të përpiqen të qëndrojnë të informuar mbi çdo mundësi (edhe në rastet kur hipotetizohet se këto programe monopolizohen nga rrathë të caktuar individësh që gjendën më pranë qendrës).
1- Punë dhe kontestime në çështjet e TK dhe mbrojtjes së monumenteve
Gjatë këtij muaji u inspektuan punimet në kuadër të projektit “Rehabilitimi i Manastirit të Shën Marisë dhe peizazhit në Parkun Arkeologjik të Apolonisë”, nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin dhe Michaela Matuella, Drejtore e Njësisë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian në Bruksel.[2]
Një projekt i listës së projekteve të kombinuara që vijojnë Procesin e Lubjanës – Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, iniciativë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor, financuar në kuadër të Programit Rajonal CARDS. Një investim prej 619.000 mijë Euro.[3]
Punimet e parashikuara që do të kryheshin në monumentet brenda hapësirës së Manastirit, do të përfshinin Portikun e Statujave, Trapezarinë, Kishën, depon Arkeologjike, Muzeun, dhe ambientin përreth zonës së Parkut. Projekti synon nxitjen e restaurimit, konsolidimit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Manastirit të Shën Mërisë, krijimin dhe organizimin e një infrastrukture të përshtatshme të turizmit duke siguruar gjithashtu një impakt tërheqës vizual për turizmin, si dhe të arrijë një njohje ndërkombëtare të sitit arkeologjik. Ndërsa ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin e Manastirit, Restaurimin e Kishës së Manastirit, depos arkeologjike si dhe bërjen të vizitueshme të Trapezarisë aktuale arkeologjike ku ka ende disa rrënojat arkeologjike, rikonstruksionin e Portikut të Statujave. Po ashtu edhe instalimin e sistemit të ftohtë dhe ajrit të kondicionuar në zonat muzeale, krijimin e një hyrje të re në park në përputhje me zhvillimin e ri të infrastrukturës të zonës, zona të reja parkimi, stacion të ri pompimi, kabinë të re elektrike, si edhe një guidë të re të vizitoreve për parkun dhe rehabilitimin e rrugëve këmbësore. Me pak fjalë , një projekt kompleks në tërësinë e tij i cili prek shumë aspekte të organizimit të punës dhe riorganizimit të sitit arkeologjik, një domosdoshmëri po aq sa kërkon një impenjim maksimal dhe një qëndrim shumë strikt e përgjegjësi përgjatë gjithë kohës së punimeve për të mos sjellë transformime drastike apo dëmtime të papranueshme (te cilat i hasim jo rralle në site të tjera në të gjithë vendin).
Punimet në këtë zonë kanë filluar në janar të vitit 2016 dhe thuhet se do të përfundojnë në janar të vitit 2017 (plus 12 muajve të periudhës së garancisë së punimeve). Ajo që theksohet në publikimin mbi inspektimin është se për shkak të gjetjeve arkeologjike, punimet për ndërtimin e objekteve të reja janë shtyre në kohë dhe kanë pësuar zhvendosje nga projekti fillestar. Ministria ka bashkëpunuar maksimalisht dhe të gjitha modifikimet e propozuara janë aprovuar nga Këshilli Kombëtar për Restaurimin dhe Arkeologjinë.
Por ndërkohë që në Apoloni punohet zëra të tjerë ngrihen për rrezikun mbi asete të trashëgimisë tonë të cilat gjenden të ekspozuara ndaj rrezikut nga faktorë apo argjendte të ndryshëm sa natyrorë aq edhe njerëzorë. Asete të zbuluara apo në proces e sipër. Gjatë këtij muaji u be thirrje për marrjen në kontroll të një zone me potencial arkeologjik në rrethinat e Korçës, Maliqit[4], një zonë që historikisht është dalluar për prurjet prehistorike dhe karakteristike. Për këtë zonë kërkohet dhënia e një statusi (monument kulture) në mënyrë që të përfitojë të gjitha ligjshmëritë që rrjedhin prej tij, pasi mbetet një zonë ende e pa eksploruar mirë dhe e ekspozuar ndaj riskut të keqshfrytëzimit nga kërkues apo “zbulues” klandestinë të cilët mund të zhdukin materiale më vlera të veçanta autentike po aq sa dhe ta keqpërdorin këtë pasuri duke e transferuar pa adrese. Me raste të tilla jemi njohur jo rrallëherë, ndaj përpos punës së konsiderueshme që vijon të kryhet mbi monumentet e kulturës duhet të jemi vigjilentë dhe të jemi të vëmendshëm ndaj çdo vend gjetje dhe zone me potenciale historike e arkeologjike për të reduktuar humbjet (e pakthyeshme) të pasurisë kombëtare duke i vendosur në listat përkatëse apo duke i dhënë një status i cili minimalisht do ti mbronte qoftë edhe ligjërisht. Ndaj është e rëndësishme ndarja e kompetencave dhe një fryme e mirë bashkëpunimi me çdo specialist të fushës jashtë çdo kornize politike apo ideologjike. Çdo hap duhet të shkojë në funksion të një mirëmenaxhimin dhe mbrojtjes e ruajtjes së çdo gjetjeje për të mos humbur atë çka mund të na vleje më shumë në të ardhmen.
[1] Faqja e MK- sesioni Lajmeve http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/bashkepunimi-kulturor-shqiperia-dhe-kina-firmosin-marreveshjen-5-vjecare&page=3
[2] Ballkanweb- 620-mijë E për Parkun Arkeologjik i Apollinisë http://www.balkanweb.com/site/620-mije-euro-per-parkun-arkeologjik-te-apollonise/
[3] Faqja e MK- sesioni Lajmeve http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/parku-arkeologjik-i-apolonise-nisin-punimet-per-rehabilitimin-e-manastirit-te-shen-marise-dhe-peizazhit&page=2
[4] Shqiptarja.com Prehistoria rrezikon tw zhduket http://shqiptarja.com/Kulture/2730/prehistoria-mbar-komb-tare-q–rrezikon-t–zhduket-p-rfundimisht-362299.html