
Rezearta Caushaj
Më në fund raportim ?!!
Ministria e Zhvillimit Urban ka raportuar në Parlament mbi ecurinë e ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” si dhe një projekt ligj i ri, i cili do të tentoj të përfshijë nën petkun e vet edhe ndërtimet të cilat janë bërë pas vitit 2009. Kjo është sipas Ministrit e nevojshme, që procesi i legalizimit t’i japë fund informalitetit. Ndonëse në raportimin në fjalë ka patur mjaftë shifra të hedhura nga Znj. Gjermeni, një praktikë e preferuar natyrisht për t’i krahasuar me mosarritjet e qeverisjes paraardhëse. Ajo theksoi se:” Në vetëm 12 muaj, falë përkushtimit të punonjësve të ALUIZNI për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, për periudhën maj 2014 – maj 2015, ne arritëm të legalizonim tridhjetë e dy mijë e nëntë qind objekte. Në 8 vite të qeverisë së kaluar, u kryen vetëm njëzet e njëmijë e shtatë qind legalizime, që do të thotë mesatarisht 2500 leje në vit.” Nuk vëmë në dyshim që kjo Ministri ka qenë shumë aktive apo reformimin apo faktin hapja e zyrave të reja është domosdoshmëri, ajo që ne presim prej një institucioni serioz, i cili pretendon se ka bashkëpunuar me qytetarët dhe ka bërë studime në terren, është minimalisht një bazë të dhënash statistikore të publikuara në Faqen Zyrtare të Ministrisë.
Nga ana tjetër projekt-ligji i ri, ndonëse me të drejtë evidenton se problematika e legalizimit në mjaftë raste është e lidhur ngushtë me problem te mungesës së strehimit dhe varfërisë ekstreme, nga ana tjetër nuk është e qartë së çfarë integrimi hapësirash do tentohet të bëhet në rast se çdo objekt i ndërtuar jo vetëm pa leje, por në shkelje flagrante të ligjeve përkatëse. Cili është kuptimi i zhdukjes së informalitetit nëse banesat nuk kanë respektuar rregullat për ndërtimin e tyre, jo vetëm rregullat urbanistike, por edhe ato inxhinierike. Në fakt ky është një problem, i cili as është përmendur nga kjo Ministri. Akoma nuk kemi një vëmendje ndaj zhvillimit të ndërtimeve në përputhje me rregullat arkitekturore e inxhinierike që ndërfut në ligjin në fjalë një problematikë të tërë mbi sigurinë e qytetarëve, duke qenë se pjesa më e madhe e ndërtimeve janë bërë pa u bazuar në një planimetri të caktuar. Akoma nuk kemi një diferencim mbi ndërtimet e bëra nga nevoja, sic është qartësisht rasti i ndërtimeve pa leje dhe për ato ndërtime të bëra për interesa shfrytëzimi ekonomik, të cilat duhen trajtuar në mënyrë të ndarë. Akoma nuk dëgjuam nga raportimi në fjalë mbi dënimet mbi abuzuesit dhe mbi të gjitha mbi institucionet abuzuese. Qytetarët shqiptar nuk duhet të presin të bekuarën strategji kombëtare, për të ditur fatin e tyre.
Të shpresojmë që projekt-ligji i ri të hap një debat të gjerë, ku të adresohen dilemat e sipërpërmendura.
Dëgjesat Publike
Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje është gjithnjë një politikë shumë e mirëpritur, por natyrisht kur i shërben një qëllimi të caktuar. Rëndom në Faqen Zyrtare të Ministrisë gjen këtë lloj paragrafi: “Vazhdojnë dëgjesat publike në kuadër të projektit “Urbanizimi dhe integrimi social-mjedisor i zonave informale, në drejtim të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit” që MZHU dhe REC në bashkëpunim me NJQV dhe ALUIZNI, kanë ndërmarrë për disa zona informale në të gjithë vendin.
Specialistë të Drejtorisë së Ndërtimeve Informale, Legalizimit dhe Urbanizimit në Ministrinë e Zhvillimit Urban , patën më 15 qershor dëgjesën me banorët e zonës informale, “Lagjja nr. 1” në Sarandë. Takimi u fokusua tek diskutimi i hapur me banorët dhe përfshirja e tyre në procesin e urbanizmit dhe integrimit të kësaj zone.” Ajo që ndryshon është zakonisht vendi I zhvillimit, por asnjëherë nuk jepet informacion se çfarë problemi hasin këta banor apo në ç’mënyrë do të pasqyrohet kjo në implementimin e politikave të caktuara nga ana e Ministrisë. Apo mos vallë edhe këta banor janë duke pritur Strategjinë Kombëtare?!
Ndërkohë që qytetet, lagjet e të cilave janë përfshirë në projekte ndërtimi lëngojnë tashmë jo vetëm nga masakrat urbane, por edhe nga prishjet e IKMT-së, e cila nuk merr përsipër të pastrojë pas vetes. Pyesim veten a ka menduar ndonjëherë Minstria të hedhë një plan ndërtimi para se të angazhohet me prishje?
Referenca:
- Webi Zyrtar i Ministrise se Zhvillimit Urban
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/degjesa-publike-me-komunitetin-e-zones-informale-ne-sarande - Webi Zyrtar i Ministrise se Zhvillimit Urban: Lajme
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/fjala-e-ministres-gjermeni-mbajtur-sot-ne-kuvend-mbi-projektligjin-per-disa-ndryshime-ne-ligjin-per-legalizimin-urbanizimin-dhe-integrimin-e-ndertimeve-pa-leje&page=1