
Flutura Gjana
Çfarë po bëhet me ujësjellës-kanalizimet?
Në monitorimin tonë të përmuajshëm gjatë 6mujorit të vitit 2015 është vënë re që Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) nuk ka realizuar asnjë veprimtari me rëndësi që lidhet me sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve. Duhet të mos harrojmë që në pikën e parë që citohet në misionin e MTI, ajo ka për detyrë: “Përgatitjen dhe zbatimin e objektivave e të politikave të qeverisë për zhvillimin e transportit e të ujësjellës-kanalizimeve në të gjitha elementet përbërëse të tyre…”. Pra shprehet mjaft qartë rëndësia e njëjtë që ka sektori ujësjellës-kanalizime krahasuar me sektorin e transportit.
Rikujtojmë se në fjalën e mbajtur (më nëntor të 2014) në Kuvendin e Shqipërisë mbi Miratimin e Projektbuxhetit 2015, Ministri Haxhinasto është shprehur: “…Do të realizojmë zgjerimin dhe përmirësimin e rrjeteve dhe cilësisë së shërbimeve, veçanërisht me ujë të pijshëm, nëpërmjet rrjetit të ujësjellësit në zonat urbane në masën 95% dhe në atë rurale rreth 79% dhe sigurisht do të rrisim mesataren e furnizimit në shkallë vendi me ujë të pijshëm në 16 orë/ditë. Po kështu një objektiv i rëndësishëm në shërbimin dhe rritjen e cilësisë në kanalizime është mbulimi me rrjet kanalizimesh në zonat urbane me rreth 86% dhe atyre rurale rreth 25%. …”.
Sipas parashikimeve të ministrit investimet në këtë sektor do të kishin një rritje me 14.8% krahasuar me buxhetin e kaluar. Kanë kaluar 6 muaj dhe nuk është bërë publik asnjë projekt që do të ndihmonte MTI për të arritur objektivat që i ka vënë vetes për këtë sektor. Si do të arrihet të kemi një rrjet të ujësjellësit në masën 95% dhe 79%, përkatësisht për zonën urbane e rurale? Si do të rritet mesatarja e furnizimit me ujë të pijshëm në 16 orë në ditë?
Arnime rrugësh me rastin e sezonit turistik
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka deklaruar se po finalizohen punimet për riparimin e disa segmenteve rrugore që mundësojnë transportin drejt zonave turistike të vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që ka përgjegjësinë e realizimit të këtyre punimeve. Ndërhyrje ka në segmentet Orikum-Llogara, Qafë Thanë-Lin-Pogradec, Gjirokastër-Korçë, Ura e Leklit–Përmet. Edhe këtë vit nuk mund të mungonte arnimi i rrugëve. Kjo është zgjidhja më e thjeshtë por me kosto më të lartë që ndërmerret para çdo sezoni turistik.
Ministria përballë akuzave të një investitori gjerman
Kompania EMS operon në terminalin lindor të portit që nga korriku i 2013-s. Aktiviteti i saj përfshin transferimin dhe depozitimin e mallrave rifugio, si minerale, qymyr, skrap, çimento, vaj ushqimor etj. Përpunimi i mallrave në terminalin lindor të Portit Detar të Durrësit është bllokuar, duke shkaktuar dëme të shumta financiare për palët kontraktore në operacionet e ngarkim-shkarkimit e transportit. Kompania EMS e ka shprehur këtë shqetësim edhe në mediat gjermane, pikërisht në gazeta “Handelblatt” ku drejtuesi i saj shprehet: “Ne nuk kemi bërë asgjë të gabuar, përveç e kemi refuzuar të paguajmë ryshfet».
Në mes të këtyre akuzave janë përfshirë dhe Ambasada Gjermane dhe Kryeministri Rama. Administratori i kompanisë gjermane deklaron se ka mjaftuar një telefonatë e Ambasadorit Gjerman me Ramën dhe ky i fundit ka urdhëruar largimin e zaptuesve. Autoriteti Portual Durrës ka deklaruar se për aktivitetet stivadore që EMS është përpjekur të ushtrojë në mënyrë të paligjshme kërkohet licencim i posaçëm. Nuk dihet pse ka ndërhyrë Kryeministri Rama në mbështetje të EMS kur APD deklaron se kompania në fjalë nuk posedon licencimin për të kryer aktivitetet stivadore.
Referenca:
- Misioni Ministrisë
http://www.transporti.gov.al/al/ministria/misioni-ministrise - Artikull: Fjala e Ministrit Haxhinasto në Kuvendin e Shqipërisë mbi Miratimin e Projektbuxhetit 2015 http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/fjalime/fjala-e-ministrit-haxhinasto-ne-kuvendin-e-shqiperise-mbi-miratimin-e-projektbuxhetit-2015&page=1
- Artikull: Përplasje në Portin e Durrësit, koncesionari gjerman ankohet te Rama
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/06/20/perplasje-ne-portin-e-durresit-koncesionari-gjerman-ankohet-te-rama/ - Artikull: Prioritet mirëmbatja e akseve kryesore për sezonin turistik
http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/ministria-e-transportit-dhe-infrastruktures-autoriteti-rrugor-shqiptar-prioritet-mirembatja-e-akseve-kryesore-per-sezonin-turistik