![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
Qetësi për inovacionin?
Përgjatë muajit Qershor Ministria e Inovacionit vjen me vetëm dy dalje publike, dy ngjarje përgjatë gjithë kësaj hapësire kohore një-mujore. Ndryshe nga aktivizmi i muajve paraardhës gjatë këtj muaji dhe në ubsajtin e kësaj ministrie do të gjejmë të publikuar vetëm ngjarjen mbi trajnimin për nënshkrimin elektronik të sektorit privat dhe publik, si dhe fjalën e Ministres gjatë konferences së Sistemeve të Informacionit dhe Inovacionit në Teknologji.
Referuar raportit të muajit Maj për Ministrine e Inovacionit duhet të kujtojmë se u njohëm me prezantimin e platformës më të re të shërbimit ndaj qytetarëve, Portali i shërbimeve online të shtetit Shqiptar, e-Albania, me më shumë se 150 shërbime që përfshijnë rreth 30 institucione shtetërore. Kjo nismë vjen në sajë të modernizimit të qeverisjes nëpërmjet teknologjisë. Ne kuadër të këtyre nismave dhe programeve sipas prioritetit të këtij dikasteri për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership vijon dhe programi i portalit e-albania dhe po kështu trajnimi në fjalë.
Përdorimi i produkteve të sigurta në shërbimet publike
Nënshkrimi elektronik, 2 muaj trajnime me 350 pjesëmarrës nga sektorët publik e privat. Ky aktivitet është konceptuar si mbyllja e fushatave ndërgjegjësuese mbi përdorimin e produkteve të sigurta elektronike të cilat kanë filluar që prej muajit prill për punonjësit e administratës publike, me qëllim rritjen e performancës së tyre dhe për sektorin privat me qëllim lehtësimin e procedurave administrative. Sipas publikimit të këtij lajmi dhe ne faqen zyrtare të kësaj ministrie, ky trajnim vjen në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve publike, si një nga prioritetet kryesore të qeverisë, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike në bashkëpunim me kompaninë ALEAT dhe Qendrën Kombetare të Regjistrimit, organizuan sot aktivitetin me temë “Përdorimi i produkteve të sigurta në shërbimet publike”
Gjatë fjalës se mbajtur në këtë aktivitet, ministrja Harito u shpreh: “Qeveria është e angazhuar në mënyrë shumë të vendosur, me një plan shumë të qartë veprimi, për të nxitur shërbimet inovative, shërbimet online, lehtësimin e shërbimeve publike për qytetarët, por njëkohësisht për të lehtësuar edhe jetën e biznesit duke përmirësuar me të gjitha mjetet që na jep sot teknologjia, mënyrën se si i ofrojmë shërbimet si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat”.
Sipas ministres së Inovacionit në muajt e fundit vetëm nëpërmjet QKR kanë qarkulluar rreth 4000 mijë dokumenta elektronikë dhe ky është një hap i mirë për t’a zgjeruar edhe më shumë rrethin e përdoruesve të këtij shërbimi.
Ministrja Harito thekson se; “Qëllimi ynë është t’ju lehtësojmë jetën qytetarëve, të pakësojmë burokracitë dhe nëpërmjet kësaj të pakësojmë mundësitë për korrupsion, sepse sigurisht aty ku nuk ka më sportel, ka një mundësi më pak për korrupsion dhe kjo është ajo që kemi thënë gjithmonë, ngritja e sistemeve për të luftuar korrupsionit”. Nënshkrimi elektronik sot konsiderohet si mjeti më i sigurt në komunikimin elektronik, i cili garanton vlefshmërinë ligjore të dokumentit elektronik dhe fuqinë provuese të tij, të njëjtë me formën shkresore. Identifikimi i sigurtë dhe nënshkrimi elektronik, të cilat gjenerohen nga çertifikatat elektronike të inkorporuara në letërnjoftimin zyrtar, mundëson për qytetarët përfitimin e shumë shërbimeve në distancë. Këto çertifikata elektronike, ofrohen falas për qytetarët nga kompania ALEAT. Nga ana e saj QKR është duke ofruar nëpërmjet portalit e-Albania, ekstraktet si dokument elektronik si dhe mundësinë e aplikimit online nëpërmjet përdorimit të letërnjoftimit elektronik dhe çertifikatave elektronike të vendosura në të, për regjistrimin e një biznesi. Çdo dokument i nevojshëm për këtë proces, mund të shkakrkohet nga qytetarët, duke përdorur identifikimin e sigurt elektronik dhe nënshkrimin elektronik, si dhe të përfitohet çertifikata e regjistrimit me nenshkrim elektronik nga QKR.
Sikurse kemi theksuar dhe më parë kjo është një nismë e cila vlen të vlerësohet pozitivisht pasi është një iniciativë e drejtë dhe e duhur në përrputhje dhe me modelet bashkëkohore ndërkombetare dhe sipas standarteve Europiane e botërore të shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjithashtu vlen dhe për rritjen e kapaciteteve të Administratës publike Shqiptare njëkohësisht dhe sektorit privat në ofrimin dhe përdorimin e shërbimeve publike. Por nëse kemi trajnuar një brez, natyrisht nuk duhet të ndalemi me kaq, pasi nevoja për informim është më e gjere në nivel institucional publik po aq dhe privat apo më gjerë. Do të ishin te vlefshme dhe fushatat e tjera sensibilizuese, informuese ndaj publikut dhe çdo qytetari që do të jenë përfituesit direkt të këtyre shërbimeve, ndaj për këtë themi se duhet një informim akoma me i gjerë dhe instrumenta adeguatë në sensibilizimin dhe nxitjen e përdorimit të këtyre platformave bashkëkohore.
Mund të ritheksojmë se sfidë mbetet çdo nismë Inovative në të gjithë shoqërinë si mjet i zhvillimit dhe punësimit në përputhje me trendet bashkekohore dhe modelet e vendeve të përparuara. Gjithsesi ne mirëpresim rezultatet nga çdo iniciative, project apo politikë e aplikuar nga institucionet e pushtetit qendror sikurse dhe na shqeteson heshtja e gjatë apo mungesa e dialogut me publikun për pothuaj një muaj të plotë.
Referenca:
- Webi Zyrtar i Ministrise se Inovacionit dhe Administrates Publike http://www.inovacioni.gov.al/al/newsroom/lajme/nenshkrimi-elektronik-2-muaj-trajnime-me-350-pjesemarres-nga-sektoret-publik-e-privat&page=1
- Agjencia Telegrafike Shqiptare
http://www.ata.gov.al/nenshkrimi-elektronik-2-muaj-trajnime-me-350-pjesemarres-nga-sektoret-publik-e-privat-278466.html