
Brenton Kotorri
Eksperiment për mbështetje partiake
Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale në Shqipëri, as ministri Bled Çuçi nuk mund të qëndronte larg mbështetjes së bashkëanëtarëve të partisë së tij. Në kulmin e fushatës, ky ministër inauguron me pretekstin e një eksperimenti pilot, 2 zyra shërbimi. E para në Ishëm të Durrësit, e dyta në Bradashesh të Elbasanit. Të dyja komuna, të cilat elektoralisht, Partia Socialiste i kërkonte t’i zotëronte patjetër, pasi këto zona, me hartën e re territoriale, i japin një peshë të madhe zgjedhjes së kryetarit të bashkisë së re. Pse u zgjodhën pikërisht këto dy komuna, dhe jo dy komuna të tjera të cilat mund të kishin larmi më të madhe demografike, apo rajonale, nuk u dha kurrë si përgjigje publike. Pse përshembull nuk u eksperimentua në një komunë ne veri të vendit dhe në një tjetër në jug. Apo në një komunë me më shumë biznese dhe në një tjetër me më shumë dendësi banorësh, etj. Zgjedhje që do të bënin më shumë sens për të pilotuar një projekt të tillë. Mbetet padyshim për t’u lavdëruar gjithsesi, iniciativa e Zyrave të Shërbimi me një Ndalesë. Gjithmonë e më shumë këto zyra pritjeje mund të shmangin burokracitë dhe ecejaket e tepërta të qytetarëve.
Tranzicioni pa ligj
Gjatë të njëjtit muaj, ministri mbajti një prezantim lidhur me rrugëtimin e Reformës Territoriale – Administrative. Një prezantim në të cilin nuk thuhej asgjë konkrete, përveçse retorikës së përgjithshme se “… Ministria ka përgatitur një manual udhëzues për të gjitha hapat në ditët dhe muajt e parë pas konstituimit.” Apo në fjalët po aq retorike të vetë kryeministrit të vendit “Këto njësi të reja ekonomike zhvillimi do të jenë një instrument jashtëzakonisht i vlefshëm për të adresuar pikërisht nevojën për një qasje të re ndaj burimeve natyrore dhe për një qasje të shumëllojshme, në bazë të territoreve dhe të specifikave të territoreve. Vlen të thuhet që ky është një organizim si asnjëherë më parë, përgatitet me shumë kompetencë dhe me shumë sens përgjegjësie nga qeveria, për t’ju vënë në dispozicion të zgjedhurve të rinj dhe kuvendeve të reja vendore, instrumentet për të përballuar shokun e tranzicionit.” Thënë shkurt, asnjë prej fjalive të mësipërme që konsiderohen sqaruese, nuk na sqaron asgjë se si do të kalohet juridikisht nga sistemi i deridjeshëm, te sistemi i nesërm. Kjo teksa aktualisht nuk kemi një të sotme për këto njësi të reja juridike. Aktet nënligjore dhe rregulloret e funksionimit të njësive të vjetra nuk mund të aplikohen automatikisht tek njësitë e reja. Kjo, pasi juridikisht, aktet “e vjetra” nënligjore, kanë vdekur bashkë me njësitë e “vjetra” të pushtetit lokal. Kjo do të thotë se që prej 22 qershorit, 61 bashkitë e reja kanë të drejtë të ekzistojnë juridikisht, por nuk kanë asnjë të drejtë të veprojnë dhe funksionojnë. Çdo veprim institucional pa një bazë ligjore, është shkelje jo thjesht e Kushtetutës në nenet 108, 113, dhe 115 të saj, mbi Qeverisjen Vendore, por praktikisht del jashtë sensit të parimit të shtetit ligjor që qeveriset përmes ligjeve dhe jo përmes hamendësimit.
Shifrat pa dobi
Së fundmi, edhe pse në mënyrë jo shumë të dukshme, diku nëpër Website-in zyrtar, mund të gjenden statistikat e reja të stopkorrupsionit.al, e sidoqoftë, askund brenda apo jashtë organeve të komunikimit publik të shtetit nuk u jepet përgjigje këtyre katër pyetjeve:
Ministria tregon se denoncime të mbyllura janë 3853.
1- Çfarë domethënë në këtë rast “të mbyllura”?
2- Sa është raporti i pasverifikimit kur të drejtë ka pasur qytetari denoncues me rastet kur nuk ka pasur të drejtë (në pretendimin e tij)?
3- Nëse ka pasur ndonjë rast (në këto 3853 raste të mbyllura), në rastet kur qytetari ka pasur të drejtë, si është proceduar me zyrtarin përkatës?
4- Sa zyrtarë, të verifikuar si të korruptuar janë paralajmëruar, sa janë pezulluar dhe sa janë pushuar nga shërbimi?
Ndërkohë askush në media, as nga opozita politike, dhe as nga shoqëria civile nuk i bën këto pyetje.
Referenca:
- Webi Zyrtar i Ministrise se Shtetit per Ceshtjet Vendore
- Webi Zyrtar i Ministrise se Shtetit per Ceshtjet Vendore: Lajme
- Facebook: Ministri per Ceshtjet Vendore
- Raport, Prill Ministria e Shtetit per Ceshtjet Vendore. appatank.org
- Kushtetuta e Republikes se Shqiperise. (PDF)