![Adela Danaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Adela-240x300.jpg)
Adela Danaj
Fundi i një “lajthitje”?
Ministria e Shëndetësisë nuk ka publikuar asnjë lajm në faqen e saj zyrtare gjatë muajit Qershor. Hamendësojmë disa alternativa në lidhje me këtë situatë: 1.Ministria në fjalë nuk ka patur asnjë ngjarje të rëndësishme për të publikuar dhe nëse është kështu, çfarë ka bërë kjo ministri gjatë një muaji në një kohë ku skandalet nuk kanë qenë të vogla? 2. Lodhja nga fushata elektorale që sapo lamë pas mund t’i ketë lodhur aq shumë punonjësit e ministrisë me në krye ministrin, sa mund të kenë vendosur të bëjnë një muaj pushim përpara se të nisin pushimet e tyre verore. 3. Skandali i skemës së vjedhjes së ilaçeve të rimbursuara, mund të ketë shtyrë ministrin të reflektojë, se ndoshta nuk është koha të “shesë mend” me arritjet e ministrisë që përfaqëson.
Megjithatë, cilado që të jetë arsyeja, APPA, ngre supet përpara një situate të tillë , në një kohë kur media e shkruar dhe më pak ajo vizive, kanë denoncuar një rast të paprecedent në lidhje me abuzimet që kanë ndodhur me medikamentet.
Më datë 21 Maj, ish-kryeministri i vendit, Z. Sali Berisha, deklaroi në Parlament se shëndetësia është përfshirë në një skandal të madh, ku është abuzuar me 1.5 miliardë lekë. Ministri Beqaj pranoi rastin dhe menjëherë pas aprovimit të tij nisën hetimet në Prokurori. Ky rast supozohet të ketë funksionuar sajë një skeme të mirëorganizuar e cila konsiston në importimin e ilaçeve në Shqipëri përmes recetave false të porositura nga farmaci inekzistente duke përfituar shuma të mëdha parash, kryesisht për medikamente të cilat përdoren për sëmundje të rënda. Ky skandal nuk është mohuar nga ministri i Shëndetësisë, gjithashtu, dyshohet se në lidhje me këtë skandal ka nisur një verifikim edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Lista e gjatë e barnave dyshohet se rimbursohej ende pa u futur në Shqipëri, pasi jepeshin receta false rimbursimesh për sasi të mëdha që në vendin tonë hynin disa muaj më vonë.
Duket e habitshme se si përpara një ngjarje të tillë, i vetmi reagim i ministrit është dakordësia me ngjarjen dhe nuk ka preferuar ta bëjë publik këtë lajm skandaloz në faqen zyrtare të ministrisë. Mos ndoshta ky rast është më pak i rëndësishëm për qytetarët krahasuar me inaugurimet e ndonjë aparature në qendrat shëndetësore? Megjithatë, bërja apo jo publike e këtij lajmi në faqen zyrtare të ministrisë nuk është qëllimi kryesor i këtij raporti. Do të ishte vetëm në rast se çështja do të ishte zbardhur, do të gjendeshin përgjegjësit e vërtetë, do të merrnin dënimin e merituar dhe në fund do të jepej një zgjidhje dhe një garanci që një ngjarje e tillë nuk do të përsëritej më në të ardhmen.
Në lidhje me ngjarjen në fjalë, prokuroria ka treguar gatishmërinë e saj, kur vetëm pak ditë pas denoncimit të skandalit me rimbursimin e recetave të falsifikuara, urdhëroi arrestimin e 10 personave, mes të cilëve zyrtarë e pronarë farmacish. Nën hetim u përfshinë dhjetëra zyrtarë e farmacistë dhe mes të arrestuarve gjendet edhe Drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani
Të ndaluar deri tani:
- P. Xhuvani, Drejtor i FDKSH.
- E. Mara, Juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit.
- K. Mahmutaj, Punonjëse pranë Drejtoria Rajonale e Fondit.
- H. Roci. Administrator i Farmacisë, Lundër.
- M. Tufi, Drejtuese teknike e farmacisë Lundër.
- N. Thanasi, Drejtues Teknik i farmacisë “Nutrimed”.
- A.Spahiu, Drejtues Teknik i farmacisë Bërzhitë.
- Manaj, Drejtuese Teknike e farmacisë “Adelina”.
Ndërkohë, vjedhja nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave, përveç ndjekjeve penale, pritet të shoqërohet dhe me largime nga puna. Pas denoncimit të këtij skandali, dha dorëheqjen drejtori i Fondit të Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci, ndërkohë Drejtoresha e Komanduar e Fondit të Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore, Milva Ikonomi, pritet të vërë në zbatim masat administrative të parashikuara për personat e implikuar dhe që u përmendet emri në raportet e auditit të njësisë antikorrupsion, ndërmjet tyre, zv.drejtori i Fondit Sokol Skuraj.
Në këtë rast, është për t’u përgëzuar qëndrimi i ministrit Beqaj, i cili ka pohuar se masat administrative dhe ato penale do të vazhdojnë si në Fondin qendror, ashtu dhe në atë rajonal. Pas përfundimit të hetimeve, ministri ka pohuar se kjo çështje nuk do të mbetet vetëm në duart e prokurorisë, por edhe Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa ndaj zyrtarëve të cilët do të rezultojnë të implikuar në skemën e vjedhjes së ilaçeve që jepen me rimbursim.
Referenca:
- Ministria e Shëndetësisë:
http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme - Gazeta Mapo. Qershor 2015. Skandal me ilaçet, ja si funksiononte skema e mashtrimit.
http://www.mapo.al/2015/05/skandal-me-ilacet-ja-si-funksiononte-skema-e-mashtrimit - Gazeta Mapo. Qershor 2015. Skandali i ilaçeve! Pranga edhe Xhuvanit, drejtor i FDKSH.
http://www.mapo.al/2015/06/skandali-i-ilaceve-10-zyrtare-e-pronare-farmacish-ne-pranga - Gazeta Mapo. Qershor 2015. Skandali i ilaçeve, përgatitet largimi i Sokol Skurajt.
http://www.mapo.al/2015/06/skandali-i-ilaceve-pergatitet-largimi-i-sokol-skurajt - Gazeta Panorama. Qershor 2015. Skandali i barnave, ILKDP nis hetimet te Sigurimet.
http://www.panorama.com.al/skandali-i-barnave-ildkp-nis-hetimin-te-sigurimet/