
Megi Llubani
Një qershori dhe festimet
Mund të thuhet me bindje se muaji qershor ka qenë një muaj tepër i ngarkuar me aktivitete nga më të ndryshmet. Aktivitete që në pjesën më të madhe të tyre lidheshin fatkeqësisht më tepër me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, se sa me performancën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Për ta nisur me një notë pozitive, dita e parë e këtij muaji e gjeti ministrinë në festimet e ditës ndërkombëtare të fëmijëve. Ndërkohë që një pjesë e mirë e shoqërisë ishte kapur nga ethet e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale, ministrja Kodheli nuk hezitoi ta fillonte muajin qershor, duke festuar me fëmijët e ushtarakëve shqiptarë.
Askush nuk bën dhurata ‘’falas’’
Javën e parë të muajit, disa lajme në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, i kushtohen ndihmës së çmuar të qeverisë së Turqisë ndaj zhvillimit të kapaciteteve materiale dhe njerëzore të forcave të armatosura shqiptare. Sikundër muaj më parë, Turqia sërish dhuron një numër automjetesh që sipas ministrisë do të përdoren për transportimin e ushtarakëve në misione të ndryshme. Fatkeqësisht e njëjta pyetje duhet të ngrihet: Cilat janë kushtet e këtij dhurimi (ose bashkëpunimi siç e quan ministria, ndërkohë që të paktën nga jashtë bashkëpunimi duket i njëanshëm)? Për hir të mungesës së transparencës mbi këtë dhurim duhet të pyesim veten rreth detajeve të këtij bashkëpunimi, çfarë kërkohet në këmbim dhe si do të përdoren ekzaktësisht këto mjete të reja të dhuruara? Një nga mësimet kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare, e veçanërisht të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është se asnjë entitet shtetëror dhe jo shtetëror nuk bën ‘’dhurata falas’’, por ato kanë pothuajse gjithnjë një prapavijë të ushtrimit të influencës diplomatike. Cila është në këtë rast interesi pas këtij dhurimi të dytë e të vazhdueshëm nga ana e Turqisë?
2000 lekë për dëshmorët
Në datë 10 qershor Ministria e Mbrojtjes përmes një lajmërimi në faqen zyrtare në internet paraqet një vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e masës së trajtimit financiar të familjarëve të dëshmorëve me 2000 lekë. Ky vendim i referohet Vendimit nr. 151 datë 25.04.2002 ‘’Për statusin dëshmor i atdheut’’. Këtij të fundit i janë bërë ndryshime të vazhdueshme deri në vitin 2008, kryesisht lidhur me rregullime estetike. Por ajo që vihet re është se masa e shpërblimit për herë të parë ndryshohet pas 13 vitesh nga hyrja në fuqi e vendimit dhe shtesa është tejet qesharake, sikur të mos ishte mjaftueshëm qesharak shpërblimi origjinal prej 5000 lekësh. Me shtesën e re familjet e dëshmorëve shqiptarë do të jenë në gjendje të mbulojnë shpenzimet ushqimore për 1-2 ditë maksimumi. Përtej anës pozitive të rikujtimit se ekziston edhe kjo kategori në shoqërinë shqiptare, vetë masa e shpërblimit dhe shtesa prej 2000 lekë është pak të thuhet se janë qesharake.
Çudira elektorale
Pjesëmarrjes në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatën e muajit maj dhe qershor për zgjedhjet lokale në vend nuk i shpëtoi as ministrja e Mbrojtjes, e cila e kish fokusuar vëmendjen e saj në qytetin e Lezhës. Megjithëse një prej takimeve të para të fushatës u zhvillua në një ditë pushimi nga detyra zyrtare e Znj. Kodheli si ministër i mbrojtjes, ajo gjithsesi nuk mund t’i shpëtojë tagrit të këtij roli dhe institucionit që ajo përfaqëson. Për më tepër takimi u zhvillua me mësues të këtij qyteti ku ministrja foli për një temë që në fakt nuk i takon aspak asaj: reformat në arsim dhe domosdoshmërinë e zgjedhjes së kandidatit të majtë si drejtimi i duhur për vijimin e tyre.
Ku duhet të qëndrojë vija ndarëse ndërmjet figurës së zonjës Kodheli si një politikane e partisë që tashmë është në qeverisje dhe figurës së saj si një tekniciene ose ministre të cilës i është besuar një institucion tejet i rëndësishëm për sigurinë e shtetit shqiptar. Së bashku me kolegët e saj në ministritë e tjera, Znj. Kodheli duhet të ruante paanshmërinë në këto zgjedhje për dy arsye: Së pari për të mos lëkundur besimin e qytetarëve tek ky institucion dhe personi që e drejton atë dhe së dyti për të mos lejuar abuzimin me detyrën për shkak të angazhimit në një fushatë elektorale lokale. Sikundër identifikohet edhe në raportin e OSBE/ODIHR ‘’Një numër personalitetesh të larta nga partitë e mëdha qeverisëse përdorën aktivitetet dhe burimet shtetërore për qëllimet e fushatës’’, diçka që krijon një lloj frike tek votuesit për hedhjen e votës pa frikë ndëshkimesh të mëvonshme.
Për më tepër, në këtë fushatë është vënë re një fenomen jo etik në karakterin e premtimeve ndaj votuesve. Jo vetëm ministrja e Mbrojtjes por edhe politikanë të tjerë të partisë në pushtet kanë përdorur këtë kartë për të ‘’bindur’’ votuesit shqiptarë të votojnë këtë alternativë në konfiguracionin e ri lokal të Shqipërisë që prej këtij viti. Premtimi se qeveria do të mbështesë kandidatët e majtë nëse ata zgjidhen në krye të bashkive tashmë të reformuara të vendit është jo etik dhe krijon devijim në preferencat e votuesve, duke i bërë ata të ndjehen se nuk mund të ketë alternativë tjetër përveç asaj të mbështetur nga qeveria.
Shumë vende dhe organizata të ndryshme kanë krijuar Kode etike për punonjësit e administratës publike dhe ministrat, të cilat rregullojnë sjelljen e këtyre të fundit gjatë zgjedhjeve. Një analizë e detajuar e këtyre të fundit do të ndihmonte Shqipërinë të vendoste një vijë të qartë ndarëse ndërmjet këtyre dy aspekteve të një shteti demokratik.
Ndër shembujt e shumtë të suksesshëm mund të përmendim vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, parimi 11 i së cilës shprehet se ‘’aktiviteti politik i zyrtarëve publikë jashtë qëllimit të pozicionit të tyre, në përputhje me ligjet dhe politikat administrative, duhet të jenë të tilla që të mos pengojnë besimin publik tek performanca e paanshme e funksioneve dhe detyrave të tyre’’. Megjithatë problemi në Shqipëri nuk fillon tek adoptimi i këtyre rregulloreve, por implementimi në praktikë.
Referenca:
- inistria e Mbrojtjes. Qershor 2015. Ministrja Kodheli mes fëmijëve të ushtarakëve në festën e 1 qershorit. Online: http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom-2/1150-ministrja-kodheli-mes-femijeve-te-ushtarakeve-ne-festen-e-1-qershorit
- Ministria e Mbrojtjes. Qershor 2015. Ministrja e mbrojtjes Kodheli në 70 vjetorin e clirimit të Lezhës.
Online: http://www.mod.gov.al/index.php/neësroom-2/781-ministrja-e-mbrojtjes-kodheli-ne-70-vjetorin-e-clirimit-te-lezhes - Ministria e Mbrojtjes. Qershor 2015. FA shqiptare i dhurohen 27 mjete transporti trupash ushtarake nga Turqia.
Online: http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom-2/1162-fa-shqiptare-i-dhurohen-27-mjete-transporti-trupash-ushtarake-nga-turqia - Ministria e Mbrojtjes. Qershor 2015. Rritet në masën e 2000 leke trajtimi financiar mujor i familjarëve të dëshmorëve të atdheut.
Online: http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom-2/1178-rritet-ne-masen-e-2-000-leke-trajtimi-financiar-mujor-i-familjareve-te-deshmoreve-te-atdheut - Këshilli i Qarkut Kukës, Publikime. 2002. Vendim nr. 141 ‘’Per statusin e dëshmorit të atdheut’’.
Online: http://www.kqk.gov.al/sites/default/files/publikime/vkm_nr.151_date_25.04.2002.pdf - Shqiptarja.com. Maj 2015. Kodheli: Votoni drejtimin e duhur; Tusha: Do hapim universitet në qytet.
Online: http://shqiptarja.com/zgjedhjet%20lokale%202015/2760/kodheli-votoni-drejtimin-e-duhur-tushado-hapim-universitet-ne-qytet-294400.html - OSCE/ODIHR. Qershor 2015. Deklaratë e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake. Online: http://www.osce.org/sq/odihr/elections/albania/165746?download=true
- Gazeta Tema. Qershor 2015. Tushaj premton mbështetje për biznesin. Kodheli: Projektet për Lezhën me mbështetjen e qeverisë.
Online: http://www.gazetatema.net/web/2015/05/31/tushaj-premton-mbeshtetje-per-biznesinkodheli-projektet-per-lezhen-me-mbeshtetjen-e-qeverise/ - Electoral Knowledge Network. Conduct during elections for civil servants and ministers. Online: http://aceproject.org/electoral-advice/archive/questions/replies/915147317
- United Nations Economic and Social Council. International Code of Conduct for Public Officials.
Online: http://unpan1.un.org/intradoc/groups/public/documents/un/unpan039934.pdf