![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
Muaj restaurimesh…
Në morinë e aktiviteteve të shumta, publikimeve dhe daljeve mediatike që vijnë nga Ministria e Kulturës këtë muaj spikasin disa veprimtari. Gjatë Muajit Qershor janë ndërmarrë një sërë vendimesh dhe iniciativash në lidhje me objektet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Por nëse do të lidhnim aktivitetin e zgjeruar dhe veprimtaritë publike të dikastereve të vendit tonë përfshi këtu dhe Ministrinë e Kulturës, ndonjëherë mendja të shkon tek çastet paraelektorale ku vihet re një gjallëri dhe aktivizëm më i madh në çdo nivel, sipas kulturës tonë.
Nëse do të shihnim faqen zyrtare të kësaj Ministrie do të mendonim se jo vetëm heshtja parazgjedhore, por edhe ajo paszgjedhore kanë zënë vend aty që prej datës 18 Qershor, datë kur janë kryer publikimet e fundit për këtë muaj.
Cilat janë me konkretisht zhvillimet pranë kësaj Ministrie?
Muaji qershor çelet me deklaratën për shtyp (publikuar dhe ne ueb sajtin e MK) mbi vendimin e KKR-së për restaurimin e objektit të ish Hotel-Dajti.
NJOFTIM PËR SHTYP
Vendim KKR për objektin ish-Hotel Dajti.
Më datë 01.06.2015, në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, u shqyrtua ndërmjet të tjerash, projekti:
“Rikonstruksioni dhe ndërtimi i objektit ish-Hotel Dajti Tiranë-Projekti i Zbatimit”, me porositës Bankën e Shqipërisë.
Pas disa orësh diskutimi, të alternativave dhe të hapësirave ligjore, KKR thellësisht e shqetësuar për gjendjen e degraduar të godinës së ish-Hotel Dajtit, me synimin për të shpëtuar objektin nga degradimi i mëtejshëm, mbështetur në kompetencat dhe detyrimet ligjore të saj, vendosi:
1) Të miratojë restaurimin e objektit “Ish-Hotel Dajti”, si Monument Kulture i Kategorisë II, duke ruajtur të pandryshuar pamjet e tij të jashtme dhe duke respektuar rifiniturat, volumetrinë ekzistuese dhe të gjitha dëshmitë historike të tij.
2) Të mos miratojë të gjitha shtesat e tjera të propozuara nga projekti brenda perimetrit të territorit të objektit.
Pra, pas marrjes së hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë dhe pas shumë shtyrjesh u mor vendimi në fjalë. Një vendim i shumëpritur dhe i drejtë për një objekt të një rëndësie të veçantë i cili deri më tani prehet në qendër të kryeqytetit si një prej atyre mullinjve të vjetër, përroi i të cilit është shteruar që prej dy dekadash. Objekt që nuk i ka rezistuar kohërave moderne të ndërtimeve të shkëlqyera me fasada xhami, por thjesht prehet si një objekt trashëgimie. Kur kalon para Hotel Dajtit ndoshta shumëkush do të përjetonte një ndjesi angështie, keqardhje apo përbuzëse për një objekt i cili i përket periudhës së Italisë fashiste.
Por çfarë rëndësie ka Hotel Dajti aktualisht?
Ndërtesat si Hotel Dajti janë më shumë sesa një hotel. Ato janë monumente kulture që përfaqësojnë stilin e ndërtimit, arkitekturën dhe madje janë identifikues të kulturës së të shkuarës, duke përçuar vlera, zhvillime dhe elemente historike. Pas marrjes së vendimit për restaurimin, ngrihet një pyetje teknike: sa duhet të ndryshoje (fasada) dhe sa duhet te ruhet origjinaliteti i objektit?! Një pyetje tjetër që na vjen ndërmend është për sa i përket operimit; a do të jetë, do të mbetet nën zotërimin e shtetit, apo pasi t’i kushtojë shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë barra e rikonstruktimit do t’i shitet me ankand të ndershëm privatëve njëlloj si Hotel Tirana dhe si shumë objekte e prona të Ministrisë së Mbrojtjes?! Këtë do ta tregojnë zhvillimet e mëtejshme gjatë punës dhe bashkëpunimit të të gjithë aktorëve të përfshirë kryesisht me Bankën e Shqipërisë.
Një tjetër zhvillim vetëm dy ditë para zgjedhjeve vendore vjen nga ana e Ministrisë së Kulturës e cila në një dalje publike dhe deklaratë për shtyp denoncon shkeljet e ligjit nga Bashkia e Tiranës lidhur me prishjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, siç do të ishte rasti i një vile në një zonë të Tiranës. Fragment nga Deklarata:
Ministria e Kulturës sqaron sa më poshtë:
Duke u gdhirë data 16-06-2015 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare u njoftua se në Tiranë kishte nisur të prishej një vilë. Pas verifikimit rezultoi se është vila me numër identifikimi V–11 në rrugën “Asim Zeneli”. Kjo vilë është vendosur në mbrojtje paraprake me vendim të KKR-së, të datës 15 korrik 2014 (bashkëngjitur).
Ky vendim prodhoi pasaportën e mbrojtjes paraprake (bashkangjitur), vendim i cili u rinovua në datën 16.01.2015 nga KKR, dhe që vijon të jetë në fuqi.
Pas kësaj ngjarje, Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria rajonale përkatëse, u vunë në lëvizje menjëherë dhe ndërmorën të gjitha hapat e parashikuar nga ligji.(…) (deklaratën e plotë e gjeni në faqen zyrtare te MK).
Reagime dhe ndërhyrje të kësaj natyre duhet të jenë të vazhdueshme dhe në mënyrë konstante nga institucionet e vartësisë dhe në vëmendjen e vetë Ministrisë, jo vetëm në raste të veçanta apo momente parazgjedhore, të çfarëdo niveli.
Një tjetër zhvillim i muajit qershor me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës është mundësimi i funksionimi sistemit Wireless në te gjithë mjediset e Muzeut Ikonografik Onufri dhe Muzeut Etnografik të Beratit, sistem i cili do të ndihmojë në lehtësimin e marrjes dhe aksesimit të informacionit për muzeumet, nëpërmjet sistemit QR code, që është një produkt i cili ndihmon vizitorët për të marrë informacion Audio-guidë për të dy muzeumet, nëpërmjet faqes saj të uebit. Ky është një shërbim që ofrohet pa pagesë për vizitorët, vendas dhe ata të huaj.
Çdo vizitori i bëhet e mundur aksesimi i informacionit me sallat në 3 gjuhë të ndryshme: (shqip, Anglisht, Italisht), në përdorim personal.
Këto janë nisma dhe zhvillime të cilat tashmë nuk duhet të mungojnë në asnjë prej muzeve apo objekteve të trashëgimisë kulturore të vëna në dispozicion të publikut vendas apo atij të huaj, madje duhet të zhvillohen më tej për të ofruar me shumë opsione dhe shërbime, si nga afër po ashtu edhe në distance, për të folur në gjuhën bashkëkohore të teknologjisë botërore dhe për të lehtësuar shumë procedura. Natyrisht një vëmendje e veçantë i do kushtuar edhe mirëmenaxhimit të faqeve zyrtare të institucioneve publike shqiptare, këtu që nga ajo e vetë dikasterit në fjalë deri te të gjitha institucionet e vartësisë (përfshi muzetë apo objektet e tjera të trashëgimisë), që te mos kemi te bëjmë vetëm me projekte periodike apo të copëzuara, por të unifikuara në një rrjet të vetëm shërbimesh dhe sa më cilësor. Një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit dhe mirëfunksionimit të çdo projekti do të ishte bashkëpunimi sa më efektiv ndërmjet Ministrive, si përshembull ai ndërmjet asaj të kulturës me të Inovacionit për të gjeneruar projekte bashkëkohore që do ta çonin përpara zhvillimin kulturor dhe do të ndihmonin në promovimin, aksesimin dhe ofrimin e shërbimeve në një shkallë më të gjerë dhe sa më pranë publikut të interesuar, jo të mbetemi vetëm në zhvillimin e projekteve brenda kuadrit Ministri dhe institucion vartësie. Gjithashtu i rëndësishëm do të ishte dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me atë të Turizmit sidomos në çastet e pikut turistik në kohë sezoni, kur prurjet janë shumë herë më të mëdha dhe duhet promovim më i gjere, atëherë trinomi Turizëm, Kulturë dhe Inovacion do të ishin ideale për një impakt dhe punë më të mirë kundrejt çdo niveli publik dhe do të ofronin produkte e shërbime shumë herë më cilësore dhe efiçente. Asnjëherë nuk është vonë për të shqyrtuar plane dhe strategji të reja, mendojmë se duhen konsideruar.
Valë restaurimesh
Ndërsa në datën 15 qershor, në Shkodër u prezantua projekti ri i Teatrit “Migjeni”. Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare e konsiderojnë këtë projekt një operacion shpëtimi për Teatrin Migjeni, pa asnjë ndërhyrje nga viti 1958. Projekti është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe fondi i akorduar për fazën e parë të punimeve kap shifrën e 86 milionë lekëve të reja.
Faza e parë e projektit , quajtur edhe faza e shpëtimit është menduar të ndërhyjë në impiantet dhe sistemet teknologjike. Konkretisht do të ndërhyhet në impiantin elektrik, i amortizuar dhe pa asnjë projekt që nga koha e ndërtimit, në impiantin mekanik të skenës dhe në impiantin e ndërrimit të ajrit. Projekti parashikon edhe ndërhyrje emergjente në sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku ekspertiza e kryer e gjen jashtë çdo sistemi funksional. Në aspektin struktural do të ndërhyhet në strukturën e mbulimit në holl, skenë dhe sallë. Elementet arkitektonikë parashikojnë ndërhyrje në çati, ku do të merren masa për vendosjen e kapriatave, binarëve, etj. Projekti parashikon ndërhyrje në katin e nëntokës në sistemin e drenazhit dhe në fasadën e të gjithë ndërtesës. Ky fond, i hapur nga qeveria shqiptare shkon paralelisht me rikonstruksionin e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, faza e pare e të cilave do të realizohet brenda vitit 2015.
Në të njëjtën kohë nisin punimet e restaurimit për Kishën e Shën Thanasit-Karavasta, projekti i të cilit u prezantua nga vetë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe deputeteti Erion Braçe në vigjilje të Pashkëve. Kisha e Shën Thanasit ndodhet në fshatin Karavasta e Re, në afërsi të lagunës së Karavastasë. Ndërtesa përfaqëson një monument historik dhe kulturor, i shpallur me vendim nr. 6, dt. 15. 01. 1963, nga Rektorati i Universitetit Shtetëror.
Kisha e “Shën Thanasit” daton në gjysmën e dytë të shek.XVIII në vitin 1778. Në vitin 1979 piktorët grabovarë (Çetirët) Gjergj dhe Joan Katro pikturuan kishën me afreske. Ndërhyrjet e fundit restauruese janë kryer në vitin 1986. Projekti është hartuar nga IMK dhe arrin vlerën e 12 milionë lekëve, punimet do të zgjasin për 6 muaj.
Ajo që vëmë re përgjatë gjithë veprimtarisë së ushtruar nga Ministria e Kulturës, është një përqendrim i theksuar i investimeve në zonën e Shkodrës. Nuk do të ishim kundër duke pasur prezente vlerat dhe rëndësinë historike e kulturore të këtij qyteti, por do të ishim për një ndarje më racionale dhe proporcionale të përqendrimit të restaurimeve dhe në zona të tjera të vendit ku mund të jenë të nevojshme dhe ndërhyrje emergjente. Sikurse në të njëjtën kohë vëmë re se janë nisur shumë projekte dhe ende nuk kemi të finalizuara konkretisht.
Prandaj theksojmë nevojën e një plani strategjik dhe vendosjen e prioriteteve në fushat e kulturës në mënyrë që në fund të mandatit të mos gjendemi me një mori projektesh të nisura, nja mal parash të shpenzuara, dhe asnjë produkt konkret, qe do të thoshin investime të paqena.
Referenca:
- Webi Zyrtar i Ministrise se Kultures
http://www.kultura.gov.al/ - Webi i muzeut te Beratit
http://www.muzeumet-berat.al/ - Qendra Kombetare e Muzeumeve
https://www.facebook.com/pages/Qendra-Komb%C3%ABtare-e-Muzeumeve-Berat/629687400420578?fref=ts - Webi i Ministrise se Kultures, Lajme
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/shpeton-teatri-migjeni-86-milione-leke-per-projektin-e-restaurimit-nga-qeveria-shqiptare&page=1 - Webi i Ministrise, Lajme
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/restaurohet-kisha-e-shen-thanasit-karavasta-asnje-nderhyrje-nga-viti-1986&page=2