
Rezearta Caushaj
Ministria e Integrimit vëzhgon zgjedhjet?! – Jo në vendin tonë!
Siç pritej, i gjithë debati publik këtë muaj është përqendruar te Zgjedhjet Elektorale Vendore, të cilat janë cilësuar nga Bashkimi Europian si një test paraprak për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe për këtë qëllim ai ka patur një numër të madh vëzhguesish në terren. Ose siç është shprehur Z. Kukan: “Institucionet evropiane po ndjekin me vëmendje te posaçme procesin qe i paraprin zgjedhjeve lokale. Ato do te jene një test shume serioz dhe i rëndësishëm për vendin dhe gatishmërinë e tij për te zhvilluar zgjedhje te lira dhe te ndershme, ne përputhje me standardet evropiane. Këto zgjedhje, duhet te jene një mundësi për te provuar se vendi ka mësuar nga eksperiencat e mëparshme dhe është gati te riafirmoje ambiciet evropiane.” Nëse Bashkimi Europian shpresonte, ashtu si ne, që titullari i ministrisë së Integrimit të ishte i angazhuar pikërisht si një vëzhgues e nxitës i zbatimit të ligjit dhe rregullave demokratike, ka dalë i zhgënjyer. Me keqardhje kemi vërejtur se ky institucion si i tillë nuk ka qenë aspak pjesë e procesit dhe Znj. Gjosha ka qenë e angazhuar për prezantimin e kandidatëve të LSI dhe ka bërë detyrën e saj partiake, duke anashkaluar detyrimet ndaj qytetarëve. Do të kishim pritur, duke qenë një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për marrjen e një opinion pozitiv në shtator, bënte apel për pjesëmarrje në zgjedhje, për procedura transparente, për një dialog politik konstruktiv, për një vizibilitet më të lartë të kandidatëve. Përse nuk kemi parë një apel nga Ministri i Integrimit mbi deklarimin e burimeve financiare të partive e kandidatëve respektivë në fushatë, si detyrim kushtetues që duhet respektuar? Ministria e Integrimit, do e përsërisim sërish, duhet të jetë një model për Ministritë e linjës, por ajo që realisht bëri është që të përforconte perceptimin e gabuar të institucioneve në vend, se e rëndësishme është vetëm dita e zgjedhjeve e prej saj ajo që përcakton nëse këto të fundit kanë qenë të lira, demokratike dhe bazuar në ligj. Ajo ç’ka deduktojmë, jo vetëm nga raportet e vëzhgimit në vend, por edhe nga deklaratat e zyrtarëve europianë është se i gjithë procesi elektoral ka qenë nën lupë dhe është gjykuar hap pas hapi.
BIG BROTHER is WATCHING YOU!
Në fakt gjithë filozofia e Bashkimit Europian mbi vendosjen e një vëmendjeje të madhe mbi zhvillimin e zgjedhjeve bazohet në faktin se këto të fundit janë një tregues i jashtëzakonshëm mbi nivelin e demokracisë apo llojin e saj, pluralizmit e zbatimit të ligjit, funksionimin e institucioneve, por sepse pasqyrojnë mangësitë në të gjitha ato që përmendëm më sipër. Pyetja është a ka kaluar Shqipëria testin?! Si do e vlerësonim vetën tonë nëse do ishim në pozicionin e Komisionit Europian? Në një krahasim të raporteve të përpiluara para dhe pas zgjedhjeve, duke iu referuar në veçanti Raportit të Tretë të Ndërmjetëm të Koalicionit të Vëzhguesve Vendor dhe raportit të Gjetjeve Paraprake të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit. Disa duket se bien dakord mbi cilat kanë qenë problematikat, nga të cilat ka vuajtur procesi: duke filluar nga fakti që qytetarët nuk kanë marrë lajmërimin me shkrim për pjesëmarrjen në zgjedhje gjatë periudhës së përcaktuar nga ligji 14 janar–14 mars, në mënyrë që qytetarët të sigurohen se figurojnë në listën zgjedhore dhe mund të saktësojnë të dhënat e tyre. Problem madhor ka qenë vetë administrata e zgjedhjeve, e cila përveç debateve të politizuara dhe vendimeve jo konsistente, problemeve për regjistrimin e kandidatëve, gjithashtu ka vazhduar të projektoj një imazh si burim i të drejtës elektorale, që e kthen Kolegjin Zgjedhor nga një organ garantues i zbatimit të rregullave e shpeshherë arbitër, në një organ imponues rregullash të njëanshme. Ndër të tjera, përmenden shfrytëzimi i mediave dhe ndarja e pabarabartë e kohës televizive, eklipsimi i kandidatëve nga krerët e partive si dhe klasikja, votimi ne grup. Është për t’u theksuar se nga ana e vet BE ka shprehur vëmendje paraprake mbi 3 çështje kryesore: pjesëmarrja, shitja e votës dhe dekriminalizimi. Shqetësimi për dy të parat është shfaqur në trajtën e thirrjeve për pjesëmarrje dhe moslejimin e shitjes së votës, dy aspekte që në fakt mendohet nuk varen prej institucioneve dhe vullnetit qeveritar sepse të dyja kryhen me bashkëpunimin e vet qytetarëve. Për këtë arsye edhe Znj. Vlahutin është shprehur: “Ajo është një ditë kur ju keni të drejtën tuaj personale për të zgjedhur atë që do t’iu përfaqësojë. Vetëm disa vite më parë, e drejta e votës iu mohohej një pjese të mirë të shoqërisë edhe në disa vende të Evropës Perëndimore. Ju sot e keni fituar këtë të drejtë për të votuar dhe mos ngurroni ta shfrytëzoni për kandidatin e duhur, që do të vendosë për shërbimet dhe zhvillimin e vendit.” Fakti që raporti paraprak i OSBE/ODIHR, i cili merret parasysh nga Komisioni Europian, thekson se jashtë qendrave të votimit vazhdimisht janë hasur grupe mbështetëse të partive, të cilat i janë imponuar votuesve nuk është në favorin tonë dhe as mungesa e një hetimi mbi rastet e publikuara nga media mbi tentativat e shitjes së votës. Problematika e pjesëmarrjes gjykohet si një shprehje e besimit nga ana e qytetarëve shqiptarë mbi alternativat politike të paraqitura, por edhe ndaj procesit zgjedhor vetë.
Dekriminalizimi nga ana tjetër, është ndoshta çështja më e mprehtë sepse lidhet me një axhendë që BE po tenton të vendosë në bashkëpunim me forcat politike, mbi vendosjen e një standardi pranueshmërie të të zgjedhurve në postet publike, fakti që nuk duhet të jenë të inkriminuar. Se cili është opinioni i BE mbi këtë çështje, e pasqyron më së miri Z. Kukan kur tha se: ”Dekriminalizimi është një problem serioz, i cili duhet të adresohet në mënyrën me te përgjegjshme te mundshme për të gjitha zgjedhjet e ardhshme. Duhet të çrrënjoset njëherë e mire. Është për të ardhur keq që deri tani, ky problem nuk është zgjidhur. Mbaj mend se gjatë bisedimeve me partitë politike në dhjetor 2014, unë dhe kolegu im Flekenshtein ishim të qartë dhe mu duk sikur kjo gjë ishte e qartë për të gjithë. Është për te ardhur keq që ende ekziston si problem.” Disa nga rastet janë investiguar prej BIRN-it, në bashkëpunim me organet hetuese në vendet ku janë kapur, por që sipas politologut dhe pedagogut Afrim Krasniqi në total numërohen rreth 6 të inkriminuar, ku shumica prej tyre mund të dalë fitues.
“Është folur shumë për kandidatë të inkriminuar. E them zyrtarisht me aq sa di unë e kam informacion, 6 prej tyre janë në garë dhe 4 kanë potencial për të fituar, dhe 5 prej tyre ndodhen në zonat e riskut të madh elektoral. Ky është problem i madh, që lidhet me produktin që ne do kemi dhe atë problematikë që do të përballojnë në të ardhmen”.
A e kemi kaluar testin? Do jetë përfundimisht një vendim që do të marrë në shqyrtim të gjitha problematikat, duke filluar që nga pjesëmarrja e titullarëve të institucioneve në fushatë, mosdeklarimi i burimeve financiare, pjesëmarrja e ulët si tregues i besueshmërisë të institucionet, si dhe dekriminalizimi i dështuar.
Referenca:
- Shqiptarja.com Lajme
http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=299021 - Shqiptarja.com Lajme
http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=295403 - Mapo.al
http://www.mapo.al/2015/06/ministrja-gjosha-valle-per-fushate-me-stafin-e-shkolles - Fax.al Lajme
http://fax.al/read/news/511707/9810667/ambasadorja-e-be-se-romana-vlahutin-vezhgon-procesin-ne-vore-durres-dhe-kavaje - Mapo.al Lajme
http://www.mapo.al/2015/05/ambasadorja-e-be-per-zgjedhjet-mos-lejoni-tiu-mashtrojne - Raporti i OSBE/ODIHR, zgjedhje 2015
http://www.osce.org/sq/odihr/elections/albania/165746?download=true - Raporti i monitorimit te zgjedhjeve
http://www.zgjedhje.al/uploads/File/2014-2015/KVV-RaportiNdermjetemMonitorimi-III-ZgjedhjeLokale2015-19Qershor2015.pdf - Ora News TV.
http://www.oranews.tv/vendi/apeli-i-vlahutin-denonconi-cdo-presion-qe-u-behet-per-voten/ - ABC News Lajme
http://www.abcnews.al/lajme/politike/1/57734 - Gazeta “Koha Jonë”
http://www.kohajone.com/index.php/forum/afrim-krasniqi-gjashte-te-inkriminuar-do-t-i-fitojne-zgjedhjet