
Elena Pici
Parathënie
Duke marrë parasysh që Qershori ishte një muaj elektoral i ngarkuar dhe shumë Ministra dhe drejtues të tjerë të lartë anashkaluan shpesh përgjegjësitë e tyre shtetërore gjatë orarit të ushtrimit të funksionit, na duhet të përgëzojmë Ministrin Cani si ndër të paktët më të përkushtuar ndaj detyrës së tij dhe që rrallë u shfaq, të paktën publikisht, gjatë kësaj fushate (prania e tij u vu re vetëm në një event elektoral, por që zhvillohej gjatë fundjavës).
Gjithashtu, website i Ministrisë së Financave dhe Facebook-u respektiv kanë vazhduar të jenë aktivë, duke publikuar lajme dhe deklarata. Disi aktiv kanë qenë edhe mjetet e komunikimit publik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilat kanë publikuar kryesisht lista debitorësh, duke u fokusuar në mbledhjen e borxhit tatimor. Ndërkohe që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duket tërësisht inekzistente, me asnjë lajm publikim gjatë këtij muaji, duke na shqetësuar me “qetësinë” e saj: A punohet në dogana? Kur do të emërohet një drejtues definitiv? Po me Crown Agent si po vijohet?
Borxhi i jashtëm vazhdon të rritet
Ministria e jashtme ka deklaruar se në tremujorin e parë 2015, stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në rreth 441.1 miliardë lekë ose 29.57% e PBB, duke shënuar kështu një rritje me 28.7 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2014. Leku rezulton të jetë nënvlerësuar më tepër ndaj monedhave SAR, AED dhe USD, për secilën me nga 13.40 për qind. Efekti shtesë në stok nga disbursimet është 10.2 miliardë lekë ose 2.5% e totalit të fundit të vitit 2014, ndërsa shtesa, e cila vjen si rezultat i luhatjeve të kurseve të këmbimit, është 18.6 miliardë lekë ose 4.5%. Efekti i shtesës si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit do të thotë që kemi të bëjmë me një nënvlerësim të monedhës vendase kundrejt monedhave që kompozojnë stokun e borxhit të jashtëm. E gjithë kjo situatë tregon se pavarësisht se është një monedhë e pavarur, leku ka një varësi ndaj euros, e cila aktualisht po zhvlerësohet gjithashtu, kryesisht për shkak të krizës greke.
Në parim kjo shtesë ndikon mbi nivelin e borxhit vetëm gjatë raportimeve, dhe jo domosdoshmërisht ka efekte financiare për buxhetin e shtetit. Rëndësi të veçantë marrin kurset e këmbimit të monedhës vendase kundrejt monedhave të tjera në periudhën kohore të disbursimit dhe periudhën kohore të likuidimit të ripagesave. Megjithatë duke parë trendin, Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë duhet të marrin masa paraprake për të mbrojtur vlerën e monedhës, sepse në një pikë të caktuar kjo mund të passjellë probleme me menaxhimin e likuiditetit ose të bjerë ndesh me politikat monetare dhe të krijojë çrregullime të treguesve makroekonomikë.
P.S. Sigurisht jo në lidhje me borxhin, por për ndokënd që parashikon pushime në vendet që aplikojnë monedha ndaj të cilave leku është zhvlerësuar, do të duhet të parashikojnë disa shpenzime më shumë.
Të ardhurat buxhetore sërish jo të kënaqshme
“Administrata doganore dhe ajo tatimore realizuan një nga bilancet më të këqija në shumë kohë për periudhën Janar – Maj 2015, ndërkohë që shpenzimet buxhetore u mbajtën të pakta duke hequr nga ekonomia para për konsum dhe investime”. Kështu raporton Gjergj Erebara nga Reporter.al. Sigurisht që përqasja e gazetarit bie ndesh me shifrat e publikuara nga Ministria e Financave të cilat faktojnë se në këtë periudhë ka pasur një rritje me 5.1 përqind po ta krahasojmë me vitin 2014, por ama Erebara ka plotësisht të drejtë pasi kjo rritje është larg pritshmërive për një rritje të paktën 10 përqind, sidomos në një kohë që shumë taksa u rritën që prej Janarit 2015. Në mënyrë të habitshme të ardhurat tatimore dhe doganore patën ecurinë më të keqe pikërisht në ato zëra ku rritja e taksave ka qenë më e ashpër. Kështu, nga te ardhurat nga tatimet dhe doganat qeverisë i mungojnë 11 miliardë lekë, ku problemet më të mëdha u shënuan te të ardhurat nga akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat nacionale.
Jo vetëm si pjesë e premtimeve elektorale të kësaj mazhorance, por me siguri edhe për të kompensuar këtë performancë jo të mirë në të ardhura, qeveria ka mbajtur të ulëta shpenzimet, duke shpenzuar për pesëmujorin Janar-Maj 14 miliardë lekë më pak se plani. Besojmë se një rishikim i buxhetit nuk do të jetë i vonë, në mënyrë që të përballohet sa më mirë zhvillimi ekonomik me të ardhura më të ulëta se plani.
Trajnimi i administratës fiskale: një hap i mirë, por a mjafton?
Ministria e Financave ka raportuar gjatë këtij muaji se Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore gjatë pesë mujorit të parë të 2015, ka zhvilluar disa trajnime pa pagesë për punonjësit e administratës tatimore dhe doganore. Trajnimet kanë qenë kryesisht për punonjësit e rinj, por edhe për trajnimin në çështje specifike që kanë të bëjnë me njohjen me të rejat në fushën fiskale. Kjo qendër raporton se janë trajnuar 950 punonjës të të gjitha funksioneve dhe së në fund të gjithë iu nënshtruan testimit të njohurive. Pikërisht kjo është dhe çështja më e nxehtë e këtij lajmi. Nëse do të analizonim kurrikulën, materialet që janë shpërndarë për studim apo lektorët e këtyre trajnimeve, mund të përgëzojmë qendrën për punën e saj. Pikëpyetja qëndron në faktin: A e ndoqën këtë trajnim të gjithë ata që ishin të detyruar dhe nëse jo, a pati masa respektive? Po në lidhje me testimin e njohurive, cilat hapa pasuan rastet kur të trajnuarit nuk morën as minimumin e pikëve? Procesi në tërësi mbetet një hap i mirë, por duhet të vazhdojë të mbështetet në meritokraci.
Referenca
- Gazeta Shqip. Qershor 2015. Ministria e Financave: Leku eshte zhvleresuar ndaj nente monedhave.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/06/18/ministria-e-financave-leku-eshte-zhvleresuar-ndaj-nente-monedhave/ - Ministria e Financave. Qershor 2015. Si dhe pse u rrit borxhi i jashtem. http://www.financa.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/ministria-e-financave-si-dhe-pse-u-rrit-borxhi-i-jashtem&page=1
- Ministria e Financave. Qershor 2015. Trajnim i Administrates Fiskale http://www.financa.gov.al/al/njoftime/lajme/trainimi-i-administrates-fiskale-rruga-per-mireadministrimin-dhe-rritjen-profesionale&page=1
- Reporter.al. Qershor 2015. Qeveria deshton me te ardhurat buxhetore.
http://www.reporter.al/qeveria-deshton-me-te-ardhurat-buxhetore-janar-maj-mungojne-6-6-miliarde-leke/