![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
Parathënie
Ministri Naço, ashtu si edhe shumë ministra të tjerë të këtij kabineti, nuk i ka shpëtuar angazhimit të tij në fushatë, që dhe nënkupton lënien pas dore të detyrës shtetërore. Megjithatë, duhet thënë se si numër herësh, angazhimet e tij kanë qenë shumë më të moderuara se e disa prej kolegëve te tij ministra.
Mediat kanë monitoruar dy prej takimeve të Ministrit Naço në Kuçovë me datë 8 dhe 16 Qershor, që janë përkatësisht ditë e hënë dhe ditë e martë. Në rastin e parë, Ministri ka prezantuar kandidatët për Këshillin Bashkiak, kurse rasti i dytë ka qenë i paprecedent dhe është denoncuar në platformën ZaLart. Ministri ka qenë i pranishëm në një ndeshje mundjeje mes te rinjsh, ndërkohë që i gjithë aktiviteti zhvillohej nën flamuj të forcës politike që Ministri përfaqëson, si dhe nga vajza të mitura veshur me bluza të vogla që mbanin logon respektive të kësaj partie. Mendojmë që do të ishte më e hijshme që Ministri të kujdesej më shumë për cilëndo dalje të tij publike, qoftë kjo edhe në periudhë fushate.
Finalizohet analiza në sistemin e drejtësisë
Me siguri ngjarja më e rëndësishme gjatë këtij muaji në lidhje me Ministrinë e Drejtësisë ka qenë prezantimi i dokumentit “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri -2015”, më 8 qershor 2015, në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, në prezencën e mbi 200 të ftuarve. Me këtë paraqitje publike Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë përmbylli fazën e parë të realizimit të Reformës në Drejtësi. Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë është një përshkrim tërësor i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe i rezultateve që ka dhënë sistemi që nga viti 1998.
I gjithë procesi ka marrë komente të shumta, disa edhe surprizuese nga zyrtarë të lartë vendas dhe të huaj. Shefja e Delegacionit të BE, ambasadorja Romana Vlahutin, ka vlerësuar angazhimin dhe këmbënguljen e Komisionit të Posaçëm të Reformës, si dhe shprehu mirënjohje për ekspertët, të cilët sipas saj, kanë punuar në mënyrë aq të mirë që të gjejnë zgjidhje të duhura që të jenë të përafruara me standardet e BE-së. Ndërkohe, ambasadori Lu, tekstualisht u shpreh: “ Mund të ketë reformë në drejtësi edhe pa opozitën, por reforma mund të ishte më e mirë, po të ishte e plotë dhe gjithëpërfshirëse. SHBA e mbështet këtë proces. Gjyqtarët e korruptuar duhet të dinë se ndryshimi po vjen”. Por, presidenti Nishani nuk është i të njëjtit mendim. Ai ka kritikuar ashpër shumicën e qeverisë për një reformë të njëanshme, pa përfshirjen e opozitës dhe pa rezultate konkrete.
Jemi të mendimit që kjo fazë e parë e reformës ka qenë mëse e nevojshme, është punuar me ekspertë të fushës, por ritmi i punës mund të kishte qenë edhe më efecient, sidomos në një kohë që Kryeministri Rama ka premtuar përmbushjen e pesë kritereve të BE-së brenda Shtatorit 2015.
Një koncesion i madh në horizont
Procedura është hapur më 19 Qershor dhe ofertat janë të vlefshme nëse vijnë deri me datë 20 Korrik. Bëhet fjalë për një koncesion të madh, me një shtrirje kohore prej 20 vitesh dhe ku priten të investohen në formën e shërbimit miliona euro. Koncesioni ka si synim të privatizojë për 20 vite shërbimin shtetëror përmbarimor.
Portali Shqiptarja.com sqaron se koncesioni i këtij shërbimi do ketë si qëllim vetëm ekzekutimin e vendimeve penale me gjobë, vendimeve për shpenzimet procedurale në të gjitha fazat e procedimit penal si dhe detyrimin civil që shpesh herë gjykata merr në një vendim penal. Megjithatë mbetet e paqartë arsyeja e këtij koncesioni, duke qenë se në Shqipëri përveç përmbarimit shtetëror ekzistojnë edhe plot subjekte private të përmbarimit, të cilave palët e interesuara mund t’u drejtohen. Me siguri pritshmëria dhe kalimi i këtij shërbimi në sektorin privat është që t’i japë një tjetër nivel punës dhe të rrisë shërbimin. Por njëkohësisht të paqarta mbeten mënyra e veprimeve në praktikë të këtij shërbimi dhe çmimet që kompania fituese e këtij koncesioni do të vendosë për çdo ekzekutim të vendimeve gjyqësore. Të gjitha këto detaje janë lënë për t’u qartësuar në kontratën që do nënshkruhet me ministrinë e Drejtësisë dhe kompaninë fituese, megjithëse kjo mund të përngjajë pak vonë nëse do të ketë kontestime nga ekspertë të sistemit të drejtësisë.
Referenca:
- Euralius.eu. Qershor 2015. Prezantim i dokumenti “Analiza e sistemit te drejtesise ne Shqiperi”. http://www.euralius.eu/
- Euralius.eu. Qershor 2015. Takimi i dyte i komitetit te aktoreve te interesuar. http://www.euralius.eu/sq/aktivitete/aktivitete/139-takimi-i-dyte-i-komitetit-te-aktoreve-te-interesuar-euralius-iv-konsolidimi-i-sistemit-te-drejtesise-ne-shqiperi
- Gazeta Panorama. Qershor 2015. Nishani “shperthen” kundra mazhorances. Reforma ne drejtesi e njeanshme. http://www.panorama.com.al/nishani-shperthen-kunder-maxhorances-reforma-ne-drejtesi-e-njeanshme-spo-perfshihet-opozita/
- Shqiptarja.com. Qershor 2015. Privatizohet permbarimi. https://shqiptarja.com/m/aktualitet/privatizohet-perbarimi-ministri–nasip-naco-koncesion-20-vjecar-300193.html
- Tema Online. Qershor 2015. Reforma ne drejtesi. Ambasadori Lu “shuplake” PD-se. http://www.gazetatema.net/web/2015/06/08/reforma-ne-drejtesi-ambasadori-lu-shuplake-pd-se-mund-te-behet-dhe-pa-opoziten-disa-gjyqtare-duhet-te-cohen-ne-burg/