![Gerion Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
“Shurdhimi” i zgjedhjeve lokale
Muaji Maj ka paraqitur një zgjedhje të vështirë për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS). Mes mbështetjes së fushatës së zgjedhjeve lokale në rang kombëtar por sidomos me vëmendje nga Tirana dhe tensionit që sjellin gjithnjë provimet e maturës, MAS u përpoq të kryejë detyrat e saj në të dyja këto fusha.
Nuk kanë qenë të pakta rastet kur Ministrja Nikolla është shfaqur në mbështetje të kandidatit të majtë, me raste duke sjellë në fokus edhe rezultatet për të impresionuar elektoratin në funksion të kandidaturës së kandidatit që ajo mbështeste.
Gjithashtu sipas disa mediave kombëtare të shkruara Ministrja nuk i është larguar dot traditës së përdorimit të pushtetit të saj, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë tërthorazi, për vënien në dispozicion jo vetëm të burimeve njerëzore por edhe të infrastrukturës në funksion të kandidatëve të majtë gjatë fushatës elektorale. Përdorimi i pushtetit në të tilla fushata nuk është diçka që duhet të na habisë pasi është kthyer nga traditë në një pritshmëri ku askujt nuk i bën më përshtypje, duke qenë se është një teknikë e përdorur gjerësisht edhe nga qeveritë e mëparshme të majta dhe të djathta, por diferencim mund të bëjë vetëm kush më shumë e kush më pak.
Por në fund të fundit nuk ka fort impakt të gjykojmë sot Ministren se sa më shumë të reflektojmë mbi mënyrën se si populli i thjeshtë e kupton dhe e përjeton lidhjen e ndërsjelltë të interesave me qeverinë.
Zhurma dhe vrulli i fushatës i fashiti zërat e studentëve të revoltuar në lidhje me ligjin e ri të arsimit të lartë. Duket sikur nuk pati më asnjë mundësi që mesazhi të shkonte dhe diçka të lëvizte, qoftë një deklaratë e shtyrë nga përgjegjësia për t’iu përgjigjur shqetësimeve të kësaj pjese të popullsisë.
Në anën tjetër Ministrja Nikolla ndjehet mjaft e sigurtë në hapat e ndërmarrë në kuadër të ligjit të ri të arsimit të lartë duke e promovuar këtë të fundit me aspektet pozitive që sjell, sidomos në lidhje me kërkimin shkencor duke e cilësuar pozicionin e MAS si një ndihmës që hap portat për bashkëpunime mes universiteteve shqiptare dhe atyre Europiane apo edhe financimin e kërkimit shkencor përmes fondeve të BE, megjithëse mjaft universitete shqiptare kanë nisur bashkëpunimin me BE duke krijuar edhe raste mjaft të suksesshme edhe thjesht duke vënë në dijeni MAS.
Në përfundim, mund të themi se çfarëdo që të bëjmë traditës nuk i shpëtojmë dot. Partitë pushtetin që kanë do ta përdorin, do të dëgjojnë dhe përgjigjën atëherë kur u intereson dhe do të luajnë rolin e ndërmjetësit edhe kur janë një tashmë dhe loja ka kohë që ka nisur.
Panairi i ideve, thjesht një panair më shumë
Me iniciativë të disa aktorëve si “UNICEF”, “Save the Children”, “World Vision” dhe donatorët “Alpha Bank”, “Universiteti Marin Barleti” në ambientet e Muzeut Kombëtar në fillim të muajit Qershor u zhvillua “Panairi i Ideve” ku morën pjesë mbi 45 shkolla të ardhura nga 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale në vend. Në kuadër të Shkollës si Qendër Komunitare pjesëmarrësit prezantuan projekt-idetë e tyre për zhvillimin e shkollës. Kriteret e vlerësimit të këtyre projekteve ishin pjesëmarrja aktive e fëmijëve dhe të rinjve, angazhimi i komunitetit, negocim përmes projekteve, zbatueshmëria e projektit dhe promovimi gjithëpërfshirës.
Gjithashtu përfaqësues të biznesit ishin ftuar në panair me qëllim njohjen me projekt-idetë e nxënësve dhe bashkëpunimin për realizimin e këtyre ideve, si një domosdoshmëri e mëtejshme për përmirësimin e shkollave në vend. Në vazhdën e panaireve që zhvillohen në Shqipëri një event i tillë patjetër që është inovator. Por ajo çka përfaqëson më shumë ky panair duket të jetë krijimi i disa fakteve dhe hapave konkretë të idesë së Shkollës si Qendër Komunitare. Shpesh ndodh që edhe panairet në vendin tonë përdoren për qëllime politike dhe ky rast mund të jetë i tillë por prania e mbështetësve privatë dhe organizatave të huaja e kamuflon në një mënyrë këtë qëllim. Megjithëse në fund të panairit pati disa ide fituese të cilat u përzgjodhën nga një juri me përfaqësues të MAS dhe partnerëve të tjerë, nuk u kuptua qartësisht pjesëmarrja e përfaqësuesve të biznesit.
Ndoshta më shumë se sa për t’u njohur me këto projekt-ide dhe ndihmesën për realizimin e këtyre ideve, ajo çka MAS dhe aktorët e tjerë duhet të bëjnë të qartë është roli i pazëvendësueshëm i shkollës në shoqëri dhe në formimin ose deformimin e tregut të punës. Pra bizneset duhet së pari të jenë të interesuar drejt shkollës jo vetëm në infrastrukturë por edhe në përmbajtjen e programeve, teksteve dhe zhvillimit të burimeve njerëzore , të gjitha këto si elemente të cilat do të “prodhojnë” një fuqi punëtore dhe sipërmarrëse të kualifikuar ashtu siç e kërkon tregu vendas dhe ai ndërkombëtar, në mënyrë që bizneset të kenë një performancë më të lartë por edhe në konceptin e pastër të biznesit të kenë kosto sa më të pakta për kualifikimin e punonjësve të tyre.
Referenca:
- Webi zyrtar i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit: Lajme
http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/panairi-i-ideve&page=1 - Webi zyrtar i Ministrise se Arsimit dhe Sportit: Lajme
http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/nxitja-e-praktikave-politikeberese-te-informuara-nga-evidencat&page=1 - Webi zyrtar i Ministrise se Arsimit: Lajme
http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/panairi-i-ideve-ceremonia-e-cmimeve&page=1