
Brenton Kotorri
Kryeministri i të gjithëve, në fushatë për “të vetët”
Duhet theksuar, që në fillim, se fushata elektorale për zgjedhjet lokale, e ka përfshirë të gjithë aktivitetin e kryeministrit të Shqipërisë brenda gardhit të kryetarit të partisë. Për të dytin muaj rresht, në gati çdo dalje të tijën publike, por në fakt edhe gati në gjithë aktivitetin e tij faktik, kryeministri nuk është sjellë si asgjë tjetër veçse si lider i PS. Mjafton pak vëmendje për të parë se ditari i përjavshëm i Këshillit të Ministrave nuk është programuar më që prej datës 29 maj. Ky pezullim i ditarit, nuk ndodhte që prej shkurtit të vitit 2014, kur edhe nisi të publikohej.
Në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri gjeti sidoqoftë kohën për të ftuar investitorët italianë, me një slogan shumë të gjetur: “Në Shqipëri mund të hapësh një sipërmarrje brenda 8 orëve duke paguar 1 euro.” Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 10 qershor, zëvendës-kryeministri, në mungesë të kryeministrit, ka firmosur vendimin për “Miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiveve të trupëzuara dhe të patrupëzuara, të arkivave dhe çdo dokumentacioni tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial.” Transferimi i të drejtave dhe detyrimeve nga njësitë “Komunë” tek njësitë e reja “Bashki”, mund të ndodhin edhe kështu, pra thjeshtë me një VKM, mirëpo, kjo ndodh vetëm pasi është hartuar, miratuar dhe hyrë në fuqi, i gjithë kuadri ligjor për ekzistencën dhe funksionimin e njësive të reja. Gjë e cila ende nuk ka ndodhur dhe nuk është planifikuar të ndodhë së afërmi.
Nga ana tjetër, një vendim për t’u përgëzuar është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më datë 18 qershor në lidhje me: “Miratimin, në parim, të konventës së Këshillit të Evropës “Për falsifikimin e produkteve mjekësore dhe krime të ngjashme që përbëjnë kërcënim për shëndetin publik”. Kjo do të thotë, se tashmë falsifikimi i produkteve mjekësore do të jetë një shkelje që shteti shqiptar do ta dënojë bazuar në detyrimet e lindura nga shkrimi i kësaj konvente, dhe njëkohësisht, mbrojtja e qytetarëve prej produkteve mjekësore të falsifikuara do të jetë një detyrim për shtetin, bazuar pikërisht mbi këtë konventë.
Sërish të papunë
Ndërkohë që gjatë ditëve të fushatës secili prej nesh pati mundësinë të shihte të rinj të panumërt që brohorisnin dhe tundnin flamujt e partive politike, INSTAT-i, publikon një raport mbi forcën punëtore, ku ndër gjetjet kryesore thuhet se “Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,1 %.” Shifër kjo, që edhe në rastin më të mirë, është sa dyfishi i Bashkimit Europian. I njëjti raport jep gjithsesi shifra kontradiktore, si përshembull: “Numri i të punësuarve është rritur me 103.945 persona” pastaj “Numri i personave të papunë është rritur me 3.279” ose “Shkalla e papunësisë për femrat ka mbetur në të njëjtin nivel 16,8 %, ndërsa për meshkujt ka rënë me 2,2 pikë përqindje”. Pa dashur të bëjmë aludime të pabaza, duhet sqaruar se këto statistika nuk kanë qenë të porositura në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale, për të mbështetur shifrat që kryeministri prej kohësh proklamon publikisht. Ky kontradiksion përshembull, ilustrohet edhe në artikullin e gazetës MAPO, ku thuhet edhe se “Krahasuar me vitin e mëparshëm pati një rritje të shkallës së papunësisë me 1,5 pikë përqindje.”, dhe se : “Krahasuar me vitin pararendës punësimi u rrit me 1,3 %.” Kryeministri do duhet të dalë kështu, në një deklaratë publike, pasi të realizohet një studim serioz. Duke dhënë llogari, se si qëndron e vërteta, dhe se ku është qeveria e tij në raport me premtimin për 300 mijë vende pune që e solli në pushtet.
Zgjedhjet si përgjegjësi e shtetit dhe qeverisë
Organizimi i zgjedhjeve është gjithmonë përgjegjësi e partisë në pushtet, dhe e qeverisë së momentit. Keq, apo mirë, organizimi i sjell pasojë ose progres te gjithë shtetit. Prej vitesh, në vendet në tranzicion, raportet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, gëzojnë një respekt të veçantë, për shkak të objektivitetit që sjellin, dhe profesionalizmit gjithashtu. Edhe në Shqipëri, raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të një institucioni si OSBE-ODIHR, na kanë paraqitur gjithmonë mangësi, dhe rekomandime konkrete. Vlerësimi bëhet për të përcaktuar nëse zgjedhjet janë në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës, me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe me legjislacionin vendas. Në raportin mbi zgjedhjet e 2015-ës, duhen shkëputur vërejtjet më serioze dhe më urgjente për t’u përmirësuar. Në një vështrim të përgjithshëm, shkëpusim prej raportit se: “…ndërkohë politizimi i vazhdueshëm i institucioneve shtetërore, dëmtoi administrimin efikas të procesit zgjedhor.” Përgjegjësi kjo direkte e kryeministrit, i cili kur u pyet në emisionin “Kapital” në “Vizion+TV”, rreth angazhimit të qeverisë së vet në fushatë elektorale, me cinizëm u përgjigj se karburanti i harxhuar prej automjeteve shtetërore do të kompensohet nga rrogat personale. Më tej raporti thekson se “Mungesa e qartësisë ligjore solli zbatim të paqëndrueshëm të legjislacionit, i cili shpesh u perceptua përgjatë linjave partiake.” Apo “Rezultatet e monitorimit të medias së MVZ-së së OSBE/ODIHR-it treguan se të gjithë kanalet televizive të monitoruara, duke përfshirë dhe transmetuesin shtetëror favorizuan një nga partitë më të mëdha në mbulimin e fushatës së tyre. Edhe pse kërkohet nga ligji, KQZ-ja nuk vendosi gjoba kundrejt stacioneve televizive për shkeljen e dispozitave mbi mbulimin e paanshëm të konkurruesve.” Tregues ky, për një mungesë totale transparence dhe paanësie nga ana e qeverisë aktuale. Sigurisht që pjesa më alarmante e këtij raporti ilustrohet nga ky segment: “Personalitetet kryesore nga partitë e mëdha qeverisëse shpërndanë çertifikata për legalizimin e pasurisë së paluajtshme në aktivitetet e fushatës, dhe një numër kandidatësh të ASHE-së përdorën aktivitete dhe burime shtetërore, duke zbehur kështu ndarjen midis shtetit dhe partisë dhe duke shkelur paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990.” Për shembull, në 1 qershor Z.Veliaj, u shfaq me Kryeministrin Rama dhe Ministren e Arsimit Lindita Nikolla për fillimin e punimeve të ndërtimit të Parkut Olimpik në Tiranë.
Të gjitha këto zhvillime, duket se nuk kanë sjellë rezultat të mirë për politikat publike kryeministrore të Shqipërisë. Sidomos, po të mbajmë ndërmend faktin se kryeministri, u ka premtuar institucioneve të BE-së, se në vjeshtë të këtij viti, Shqipëria do t’i ketë realizuar 5 prioritetet që kushtëzojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Referenca:
- Webi zyrtar i Këshillit të Ministrave: Lajme
http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme - Webi zyrtar i Këshillit të Ministrave: Fjalime
http://www.kryeministria.al/al/newsroom/fjalime - Webi zyrtar i Këshillit të Ministrave: Vendime
http://www.kryeministria.al/al/newsroom/vkm - Artikull i “Die Standard” ne ABC News
http://www.abcnews.al/lajme/politike/1/57994 - Statistikat e papunësisë në BE.
http://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/images/2/23/Unemployment_rates%2C_seasonally_adjusted%2C_April_2015.png - Artikull mbi papunësinë në Shqipëri nga MAPO.al
http://www.mapo.al/2015/04/instat-rritet-papunesia-ne-vend - Raporti i OSBE/ODIHR, mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri, 2015.
http://www.osce.org/sq/odihr/elections/albania/165746?download=true - Intervistë e Kryeministrit në Vizion+ TV
https://www.youtube.com/watch?v=iwXpNpE0mxU - Reporter.al, artikull mbi pasqyrimin e fushatës në median publike.
http://www.reporter.al/mbulimi-i-njeanshem-e-majta-ne-kqz-shpeton-nga-gjobat-televizionet/