
S. Kondi
1-Roli i munguar i diplomacisë për zhvillimin ekonomik të vendit
Mediat dhe ambasadat e huaja kanë vënë alarmin për sulme të mundshme terroriste në plazhet e luksit të Europës, në vende si Spanja, Italia, apo Franca[1]. Resortet e njohura turistike në Sharm El Sheikh të Egjiptit kanë kohë që janë të braktisura si pasojë e sulmeve terroriste dhe kjo vendndodhje dëfrimi është kthyer tashmë në një qytet-fantazmë. Edhe plazhet e luksit dhe muzetë e njohur të Tunizisë janë tronditur nga një valë shpërthimesh të kamikazëve xhihadistë. Turqia gjithashtu është shndërruar në një arenë të nxehtë shpërthimesh të shumta terroriste, që kanë shkaktuar me dhjetëra të vdekur e të plagosur.
Rusia, gjithashtu, e cila e ka pasur si një vend-destinacioni kyç Malin e Zi për turizmin e saj, ka njoftuar se do t’i ftojë qytetarët e vet që ta braktisin këtë vend, pas hapjes së bisedimeve të vendit tonë fqinjë për t’u bërë anëtar i NATO-s me të drejta të plota. Duhet pasur parasysh, se turistët rusë janë gjithashtu ndër shtetasit e parë që popullonin deri vjet edhe plazhet e Turqisë. Frika e terrorizmit tashmë është e përhapur kudo. Por si i është përgjigjur Shqipëria kësaj sfide të papritur dhe joshëse që i është paraqitur befas? Duhet thënë se institucionet shtetërore shqiptare, përgjegjëse për mbrojtjen e interesave të vendit, janë shfaqur të ngurta dhe të pandjeshme ndaj këtij trendi të ri global.
Në vend që të dinte të përfitonte nga kjo situatë dhe t’iu orientohej tregjeve potenciale turistike dhe ekonomike, vendi ynë ka vijuar rutinën e tij të një pune të pa-koordinuar dhe mbi të gjitha pa evidenca shkencore. Agjencia Kombëtare e Turizmit, për shembull, ka vijuar me panairet e saj qindra mijëra euroshe në Berlin dhe Londër, ndërkohë që statistikat për vitin e fundit treguan një rënie të numrit të turistëve gjermanë.[2] Përgjegjësi kyçe për këtë situatë ka Ministria e Punëve të Jashtme. Është ajo që ka departamente të specializuara që kanë njohuri të detajuara lidhur me situatat globale në momente të caktuara.
Kjo e fundit, në rast se vazhdon të bëjë punën e saj rutinë të raportimit të ambasadave me kabllograme dhe nuk del nga lëvozhga për ta vënë informacionin në dobi të institucioneve të tjera, duke instaluar një komunikim intensiv dhe të vazhdueshëm me to, si dhe duke krijuar një strategji dhe një plan afatgjatë lidhur me këtë çështje, rrezikon që të shpërdorojë një mundësi të artë që po i paraqitet vendit tonë. Shqipëria është vend i paprekur nga terrorizmi, gëzon një tolerancë të konsiderueshme fetare dhe ka mundësi të mëdha turistike.
MPJ duhet të vendosë menjëherë në dispozicion të Ministrisë së Ekonomisë dhe të institucioneve të saj të varësisë, shifra, studime dhe informacione që i zotëron përmes kanaleve të veta diplomatike. Ajo duhet të ofrojë informacione me fakte e shifra konkrete për sa u përket ndryshimit të trendëve dhe flukseve turistike në Europë dhe më gjerë si pasojë e terrorit, emigrimit masiv dhe shkaqeve të tjera social-ekonomike në mënyrë që dikasteri i Ekonomisë të ketë një bazë logjike ku të mbështetet dhe të mos vazhdojë më me panaire të pastudiuara në Londër apo Singapor, kur turistet potencialë masivë të Shqipërisë ndodhen në vende si Rusia, Polonia, etj. Me siguri, një gjë e tillë, do të ishte më dobiprurëse se sa postimet e ambasadave dhe të vetë MPJ në profilet përkatëse në FB të ndonjë video me pamje të bukura të bregdetit shqiptar apo të flamurit tonë kombëtar.
2- Marrëdhënie në vendnumëro me Greqinë, hapa para me Vatikanin dhe SHBA-në
Edhe pse ministri Ditmir Bushati gjatë vizitës së fundit në Greqi u shpreh se pa një vullnet të mirë nga ana e palës greke për t’i zgjidhur çështjet që kanë mbetur pezull ndërmjet dy vendeve, duket se një tablo krejt të kundërt ka paraqitur një shkrim i një gazete greke, që i referohej një burimi diplomatik të vendit fqinj. Sipas artikullit në fjalë[3] , nga ana helene shihen përkundrazi me mjaft hezitim dhe me sy aspak të mirë kërkesat dhe pretendimet e ngritura nga Shqipëria.
Niveli i ngrirjes së marrëdhënieve dëshmohet edhe në aspekte konkrete. Për shembull, edhe pse komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë ndodhet në Greqi, ky vend, ndryshe nga çfarë ka nisur të ndodhë në Itali së fundmi, nuk i njeh dokumentet ligjore të lëshuara nga ambasadat apo konsullatat shqiptare atje. Kështu që, në mënyrë që një certifikatë apo dokument i gjendjes civile të jetë i ligjshëm, duhet që emigrantët të marrin rrugën për në atdhe dhe t’iu nënshtrohen procedurave të njohjes nga ana e institucioneve greke në Shqipëri. Kjo dëshmohet edhe nga një takim që Z. Bushati dhe kolegu i tij Tahiri patën me emigrantët shqiptarë në Selanik[4], ku ata folën thjesht për shpresën që dikur gjërat të ndryshojnë. Ndërkohë, është vënë re një intensifikim i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry-t në Tiranë, kryeministri Rama takoi zv. presidentin amerikan Joe Biden në Uashington. Këtij takimi iu bashkua edhe presidenti amerikan Barack Obama. Obama dhe Biden shprehën vlerësimet e tyre për tolerancën fetare në Shqipëri si dhe për kontributin e vendit në masat e marra dhe në luftën kundër terrorizmit.[5]
Gjithashtu, një gjallërim kanë njohur edhe marrëdhëniet Shqipëri-Vatikan. Në Vatikan, duhet thënë se fatkeqësisht, për arsye të një konflikti politik President-Qeveri, një figurë e shquar si Visar Zhiti, është thjesht i ngarkuar me punë dhe jo ambasador. Pas vizitës së Papa Françeskut dy vjet më parë në Shqipëri, në Tiranë u ngrit një bust për nder të tij muajin e kaluar[6]. Njëkohësisht Vatikani, pas shpalljes se në shtator do të nisë procedurën për shenjtërimin e Nënë Terezës, shpalli gjithashtu dekretin për lumturimin e 38 klerikëve shqiptarë, viktima të regjimit komunist[7], që Vatikani i konsideron tashmë martirë të Kishës Katolike.
[1]Artikull lidhur me sulmet e mundshme terroriste ne Plazhet e Evropes http://www.mapo.al/2016/04/terrorizmi-bild-rrezik-sulmesh-ne-plazhet-europiane
[2]Statistika shqetesuese per turizmin http://www.mapo.al/2016/04/pavaresisht-publicitetit-turizmi-peson-vetem-5-3-rritje
[3]Aritukull lidhur me ngerçin e marredhenieve Shqiperi-Greqi. http://www.tiranaobserver.al/lufte-nervash-mes-tiranes-e-athines-kathimerini-jemi-ne-piken-zero/
[4]Takim i ministrave Bushati dhe Tahiri me emigrantet ne Selanik http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/ministrat-bushati-dhe-tahiri-zhvillojne-takim-me-komunitetin-shqiptar-te-greqise-se-veriut&page=1
[5] Njoftimi i Shtepise se Bardhw pwr takimin Rama-Biden-Obama. https://www.whitehouse.gov/the-press-office/2016/04/14/readout-president-and-vice-presidents-meeting-prime-minister-edi-rama
[6]http://rtsh.al/lajme/bust-i-papa-franceskut-ne-tirane/
[7]Vatikani dekreton nisjen e procedures se lumturimit per 38 klerike shqiptarehttp://27.al/vatikan-papa-dekreton-38-martiret-e-kishes-shqiptare-ja-cilet-ishin/