![I. Xhafaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/I.-Xhafaj-300x300.jpg)
I. Xhafaj
1- Ligji i ri i Ndihmës Ekonomike
Është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë projektligji i hartuar nga MMSR “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”, i cili hyn në fuqi më 1 shtator 2016[1]. Ky projektligj vjen si një shtrirje e skemës ekzistuese të dixhitalizuar të ndihmës ekonomike në 9 qarqe të tjera të vendit, pas një periudhe 2-vjeçare pilotimi në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Ky projektligj konsiderohet i një rëndësie të veçantë nga qeveria shqiptare, pasi synon dixhitalizimin e plotë të procesit të shpërndarjes së ndihmës ekonomike, me qëllim ngritjen e Regjistrit Elektronik Kombëtar dhe dhënien fund të abuzimeve me skemën ekonomike.
Disa aspekte pozitive që sjell ligji i ri lidhen me skemën e re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar tashmë në modelin bio-psiko-social, duke zëvendësuar konceptet e mëparshme të modelit mjekësor. Bazuar në modelin e ri, “në ndërtimin e aftësisë së kufizuar kontribuojnë një shumëllojshmëri faktorësh: faktorë biologjikë (mjekësore), por edhe faktorë psikologjikë, të tillë si emocioni, vetëvlerësimi dhe faktorë socialë, veçanërisht veprimi/reagimi i njerëzve apo stereotipat, stigma dhe sjelljet e tjera diskriminuese”. Kjo është një risi mjaft pozitive e ligjit, i cili do të mundësojë që shumë persona, të cilët nuk kanë dëmtime fizike apo biologjike, por që aftësia e kufizuar u është shkaktuar prej traumave të tjera psiko-sociale, do të mund të përfitojnë ndihmë ekonomike, nëse kjo vërtetohet pranë komisionit të Drejtorive Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Një tjetër ndryshim në ligj lidhet me formën e ndihmës ekonomike, e cila nuk do jetë më e pjesshme, por vetëm e plotë.
Megjithatë ligji ka disa kufizime dhe mangësi, të cilat nuk shpjegohen se si do të kapërcehen. Kështu, ligji rrit në një mënyrë të theksuar burokracinë, pasi lista e dokumenteve dhe numri i institucioneve që duhet t’iu drejtohen personat që aplikojnë për ndihmën ekonomike, është tepër i madh. Përfituesit e ndihmës ekonomike duhet të jenë pashmangësisht të lidhur me Zyrat e Punës dhe me tregun e punës, duke u paraqitur çdo muaj pranë tyre dhe në rast refuzimi të punës, ata përjashtohen nga ndihma ekonomike. Në projektligj dhe në relacionin shoqërues përmendet disa herë se përzgjedhja e përfituesve realizohet nëpërmjet përdorimit të formulës së pikëzuar (një formulë e vazhdueshme me 44 variabla) për targetimin e familjeve më të varfra, por nuk ka asnjë lloj informacioni mbi këta 44 indikatorë që do të përdoren në formulën e pikësimit. Nga ana tjetër, ngelet ende e paqartë sesi autoritetet zyrtare do të veprojnë për zgjidhjen e një sërë problemesh që lindin me skemën e dixhitalizimit, si për shembull pajisjen me internet të njësive të qeverisjes vendore në zonat më të thella të vendit, trajnimit dhe rritjes së kapaciteteve të një numri të madh punonjësish, njësive qendrore e vendore, që do të merren me administrimin e skemës, etj. Problemet thelbësore që ky ligj duket se nuk do t’i zgjidhë lidhen me vlerën e vogël të ndihmës ekonomike, që nuk shërben për të plotësuar as nevojat më jetike të individit. Banka Botërore raporton që 47% e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri me më pak se 5$ në ditë[2].
Për më tepër, edhe pse projekti pilot i ndihmës ekonomike ka 2 vjet në zbatim për 3 nga qarqet më të mëdha në vend, është e pamundur që të gjesh ndonjë progres raport mbi ecurinë e tij, rezultatet e pritshme, objektivat e arritura, etj. Sipas deklaratave të zyrtarëve të lartë të Shërbimit Social në Shqipëri, skema e re e përllogaritjes së ndihmës ekonomike, nëpërmjet formulës së pikësimit, ka mundur të largojë rreth 23 mijë familje dhe rreth 1000 persona me aftësi të kufizuar si abuzues të skemës së ndihmës ekonomike[3]. Megjithatë, në vitin 2015 u paraqitën 250 ankesa në zyrën e Avokatit të Popullit, me pretendimin se ishin larguar padrejtësisht nga ndihma ekonomike.
2- Të mbrojmë fëmijët
“Të mbrojmë fëmijët” është programi më i fundit social që MMRS ka ndërmarrë me qëllim fillimin e një faze të re komunikimi me bashkitë dhe sensibilizimi për qytetarët, për të bashkëpunuar në denoncimin e çdo rasti të dyshuar dhune, abuzimi apo neglizhimi ndaj fëmijëve. Kjo fushatë dhe Autobusi #UneMbrojFemijet# do të udhëtojë në të gjithë vendin, deri më 1 qershor, kur do të prezantohet ligjin e ri për mbrojtjen e fëmijëve, i cili është në fazë hartimi momentalisht. Në kuadër të këtij programi dhe në ditën kombëtare të fëmijëve në situatë rruge, MMRS organizoi aktivitetin promovues dhe sensibilizues për këta fëmijë. Për më tepër, MMSR ka transformuar të gjitha Qendrat e saj të Përkujdesit Shoqëror në qendra, të cilat bëjnë pritjen e emergjencës. Sipas njoftimit të ministrisë këto qendra do të presin fëmijët në situatë rruge.
Problemet me fëmijët në situatë rruge nuk lidhen plotësisht me identifikimin e tyre, pasi është e lehtë të dallosh në rrugët e kryeqytetit fëmijë të mitur duke punuar apo duke lypur. Situata është edhe më e rëndë në orët e vona të natës, kur fëmijët shihen jashtë ambienteve të jetës së natës dhe nga një vrojtim i thjeshtë vërehet se ata konsumojnë cigare, lypin, flenë në rrugë, të shoqëruar nga fëmijë të tjerë të mitur ose persona të rritur. MMRS thotë se janë ngritur 26 skuadra terreni[4] në bashkitë kryesore në vend për të larguar fëmijët nga rruga, megjithatë numri i vënë në dispozicion për Task Forcën e Tiranës (067 60 13 639) është jofunksional[5].
Në kushtet kur më shumë se 1500 fëmijë gjenden në rrugë, në një ambient të papërshtatshëm për zhvillimin e tyre normal, është e domosdoshme që të amendohet dhe përforcohet sa më shpejt legjislacioni ekzistues për mbrojtjen e fëmijëve. Ngelet ende e paqartë sesi do operojnë qendrat e emergjencës, sa është kapaciteti i tyre akomodues, sa do të jetë kohë qëndrimi minimal dhe maksimal këtu i fëmijëve apo detaje të tjera të rëndësishme. Nga ana tjetër, shumë fëmijë në situatë rruge shfrytëzohen dhe detyrohen të punojnë nga persona të rritur, që në shumicën e rasteve janë prindërit e tyre. Është e nevojshme që edhe sipas Kodit të Familjes dhe ligjeve në fuqi t’u rishikohet kujdestaria e atyre prindërve që nuk kujdesen për fëmijët dhe dëmtojnë shëndetin e tyre fizik dhe emocional, duke i detyruar të qëndrojnë dhe punojnë në rrugë. Ministria duhet të tregohet më serioze në luftën për largimin e fëmijëve nga rruga dhe në vend që të dërgojë autobusë shumë ngjyrësh nëpër qytete apo të organizojë festa dhe fushata sensibilizimi, duhet të përforcojë kapacitetet dhe të organizojë të gjitha strukturat institucionale për një mbrojtje reale të fëmijëve, sidomos atyre në situatë rruge.
[1]Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9355, datë 10.3.2005, “për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”. Aksesuar për herë të fundit më 28 Prill 2016 në:
[2] Fjalimi në Kuvend i deputetes Albana Vokshi, 21 Prill 2016
[3] Ndihma ekonomike, janë larguar nga lista 23 mijë familje abuzuese – Aksesuar për here të fundit te: http://shqiptarja.com/.php?IDNotizia=242306#sthash.eRh18bkh.dpuf
[4] Unë Mbroj Fëmijët në Ditën Kombëtare të Fëmijëve në Situatë Rruge. Aksesuar për herë të fundit më 28 Prill 2016 në: http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/lajme/une-mbroj-femijet-ne-diten-kombetare-te-femijeve-ne-situate-rruge&page=1
[5] Ndihmë Për Familjet Dhe Fëmijët Në Situatë Rruge. Aksesuar për herë të fundit më 28 Prill, 2016 në: http://www.sherbimisocial.gov.al/vullnetaret-e-sherbimit-social/