1- Konteksti formal i muajit prill në Ministrinë e Kulturës
Muaji prill vjen disi më i qetë në aspektin e marrëdhënieve publike të Ministrisë së Kulturës, që kësaj radhe vjen me një sërë aktivitetesh kryesisht promovuese. Ai fillon me prezantimin e kishës së Shën Spiridhonit, të sapo restauruar dhe me vendndodhje në Vuno. Gjithashtu u prezantua dhe programi i rijetëzimit të zonës së Vunoit dhe Dhërmiut, gjithnjë në funksion të zhvillimit të turizmit në të ardhmen. Sipas këtij programi për vendosjen nën mbrojtjen e shtetit të këtyre dy fshatrave, do ndërhyhet në mënyrë kapilare në të gjitha rrugicat, muret, dritaret, çatitë, për t’i rikthyer këto mjedise të trashëgimisë historike dhe kulturore në një motor zhvillimi të mëtejshëm për gjithë zonën. Sipas të dhënave, në këtë zonë janë rreth 110 monumente kulture, një pjesë e të cilave edhe në Himarë[1].
Njëkohësisht gjatë këtij muaji janë sjellë në vëmendjen e publikut nga specialistë të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore site të monumenteve apo të pasurive të trashëgimisë sonë duke theksuar kështu edhe një sërë problematikash, që vijojnë të mbeten të pranishme në sferën e punës për organizimin dhe funksionimin e ekspeditave në terren për zbulimin, identifikimin dhe ndërhyrjen për mirëmbajtjen apo promovimin e tyre në publik. Në lidhje me këtë problem arkeologija Nallbani foli gjatë një konference dhe ekspozite organizuar në bashkëpunim me shkollat franko-italiane. Sipas saj, ekspozita u ideua për të promovuar trashëgiminë e rajonit të Veriut, që edhe pas rreth dhjetë vitesh gërmime vazhdon të njihet shumë pak nga publiku. Një tjetër zë është ngritur nga ana e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore për problemin e mirëmbajtjes së qytetit të Bylisit, që sipas vëzhgimeve në terren rezulton të jetë lënë jashtë vëmendjes së institucioneve kompetente për mbrojtjen dhe menaxhimin e monumenteve[2].
Krahas punës në shumë zona të vendit si ato pranë bregdetit, ku evidentimi i pasurive të trashëgimisë inkuadrohet brenda përpjekjeve për zhvillim ekonomik, bëhet i domosdoshëm angazhimi edhe në hapësira të tjera, ku ndihet e nevojshme të ndërhyhet për organizimin e ekspeditave me qëllim zbulimin, restaurimin dhe mirëmbajtjen e vlerave kulturore të trashëguara[3]. Një rëndësi të madhe merr edhe bashkëpunimi më efektiv me shumë banorë, të cilët kanë në pronësi objekte të cilësuara monumente kulture, për të mos lejuar degradimin apo transformimin e tyre të jashtë destinacionit të tyre të natyrshëm.
Pjesa tjetër e veprimtarisë së ministrisë gjatë këtij muaji vijon me veprimtari promovuese për një sërë botimesh apo aktivitete në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës dhe gjetjeve arkeologjike si ekspozita, panaire, etj.[4].
Në të njëjtën kohë, mediat kanë trumbetuar suksesin e projektit Via Egnatia[5], që ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve aventurierë, të dhënë pas kulturës historike kryesisht nëpërmjet itinerareve të organizuara në malësitë e Librazhdit. Duke marrë shkas nga ky fakt, pyetja jonë ka të bëjë me qytetin e Elbasanit: çfarë po ndodh me bazilikën në qendër të këtij qyteti, si po procedohet për mirëmbajtjen e saj, pasi, sipas disa vëzhgimeve, situata vijon të mbetet problematike? Vendndodhja e monumentit është kthyer në një ambient për fansat e dominosë apo për fëmijët, por edhe për hedhjen e mbeturinave, ndërkohë që individë, të cilët kalojnë kohën e lirë aty, s’e kanë problem të spostojnë materialin arkeologjik për t’i bërë vendit gjithë grupit që përqendrohet mbi fushën së dominosë! Situata të tilla “bëjnë thirrje” për një vëmendje më të theksuar ndaj shumë monumenteve në shkallë vendi. Ndihet çdo ditë e më shumë nevoja e ndërhyrjeve dhe përmirësimi cilësor i menaxhimit të tyre nga shumë specialistë apo institucionet lokal e ato qendror.
Ndërsa nëse do t’i hidhnim një sy seksionit të dokumenteve dhe të raporteve të monitorimit (në ueb sajtin zyrtar) të MK, do të shohim se ato nuk janë publikuar në mënyre koherente apo periodike dhe postimi i fundit daton në muajin nëntor te vitit të kaluar 2015[6]. Po gjatë këtij muaji është bërë publike thirrja për propozime konkrete dhe mbështetjen financiare të përkthimeve të literaturës shqipe në gjuhë të huaj. Për informacion, mund t’i adresoheni faqes zyrtare të Ministrisë së Kulturës[7].
[1]Trashëgimia motor Zhvillimi-http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/trashegimia-motor-zhvillimi-prezantim-i-programit-te-zhvillimit-te-fshatrave-te-bregut&page=3
[2]10-vjet germime ne rajonet e veriut te lena ne harrese- http://shqiptarja.com/kulture/2730/etleva-nallbani-10-vjet-g-rmime-n–rajonet-e-veriut-jan–l-n–n–harres–351090.html
[3]Site, Guri i Bardhë http://www.balkanweb.com/site/guri-i-bardhe-dhe-gjurmet-e-gjalla-te-pjeter-budit/
[5]Projekti Egnatia-http://sot.com.al/kultura/projektet-p%C3%ABr-egnatia-ngjallin-interesin-e-turist%C3%ABve
[6]Faqja zyrtare e MK- http://www.kultura.gov.al/al/dokumente/raporte
[7]Thirrja per propozime ne perkthime letrare-http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/call-for-proposals-support-for-literary-translation-from-albanian-to-foreign-languages&page=1