![E. Bejkollari](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Bejkollari-300x300.jpg)
E. Bejkollari
1- KESH (nuk) e merr humbjen seriozisht!
Ndonëse më 8 prill 2015, ministri Gjiknuri në fjalën e tij premtoi mirëadministrim të KESH-it[1], shifrat tregojnë një rezultat tërësisht ndryshe. Një mirëadministrim në mos rezultat pozitiv, do sillte së paku një bilanc as me humbje dhe as me fitim, e megjithatë MEI as këtë gjë nuk ka arritur ta bëjë. Auditimi i kryer nga KLSH më datë 20.07.2015 në KESH ka nxjerrë rezultate vërtet “të frikshme”[2]. Midis 6 shoqërive ku shteti zotëron mbi 50% të aksioneve, ishte dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare. Të gjitha ato kanë dalë me humbje, ndërkohë që një vit më parë pasqyrat financiare rezultonin me fitim. Diferenca është e konsiderueshme: humbja llogaritet në vlerën e 22,317,498 mijë lekëve, kur një vit më parë fitimi ishte 7,977,061 mijë lekë. Tre faktet më shqetësuese janë:
- Peshën më të madhe në këtë humbje për vitin 2014, e zë rezultati financiar i shoqërisë “Korporata Energjetike Shqiptare (KESH)” sh.a., me 22,240,664 mijë lekë, ose 99.6% të të gjithë humbjes së këtyre shoqërive.
- Nuk ka një analizë të hollësishme, ku të jenë përcaktuar përgjegjësitë për humbjen. Një analizë e tillë, që do të përcaktonte “fajtorët”, do bënte të mundur zbatimin e një strategjie që u premtua fillimisht nga ministri Gjiknuri. Pra mirëmenaxhimin!
- Ndonëse nga ekspertët u dhanë rekomandime për përmirësimin e gjendjes financiare, deri më tani, sipas raportit, nuk është dhënë ende asnjë shenjë sesa po merren parasysh këto rekomandime.
Auditi i sipërpërmendur është realizuar mbi të dhëna për periudhën kontabël 01.01.2014 deri më 30.09.2015. Vetëm për muajin shkurt dhe mars 2016, KESH-i gjeneroi 4 milionë euro të ardhura nga eksporti i tepricës energjitike nëpërmjet 3 tenderave. Ndërkohë, në fund të muajit që lamë pas, shifra e të ardhurave arriti në 9 milionë euro nga eksporti i energjisë. [3]
Më 4 prill u bë i ditur lajmi se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) synon të mbështesë reformat e ristrukturimit të ndërmarrjes shtetërore të Shqipërisë, KESH-it , duke rifinancuar borxhin e saj afat-shkurtër me një kredi me vlerë 218 milionë euro. Kështu që me të ardhurat e shitjes së energjisë, që deri më tani kanë qenë në rrugë të mbarë, dhe me anë të ristrukturimit të KESH-it, pritet që në të ardhmen të shohim premtimin e bërë nga ministri Gjiknuri.
2- Kur “na tërheq veshin” PE, gjendja duhet të jetë serioze!
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2015, kryeministri premtoi se mbi lumin Vjosa jo vetëm që s’do ndërtoheshin hidrocentrale, por do arrinin dhe ta kthenin atë në një Park Kombëtar.[4] Megjithatë më 10 gusht 2015 në Fletoren Zyrtare u botua vendimi për dhënien me koncesion të HEC-it të Poçemit dhe për ndërtimin e një HEC-i të dytë në Vjosë.[5]
Një vit më vonë, më 17 mars 2016, qeveria mbylli tenderin për të cilin vetëm një kompani ishte e interesuar. I gjithë procesi, që nga rruga e ndjekur e deri tek vlerësimet e ndërkombëtarëve, është shqetësues:
- Koncesioni i dhënë me propozim të pa kërkuar (formë e cila më parë është denoncuar nga Partia Socialiste) hap rrugë për abuzime. Pse? “Problemi është që koncesioni i pa kërkuar është një formë që teorikisht duhet të përdoret për projekte të panjohura për qeverinë, ndërkohë që kaskada e Vjosës është studiuar që nga vitet ‘70të dhe hidrocentrali i Poçemit është përcaktuar që në atë kohë për t’u ndërtuar pranë grykëderdhjes së Vjosës” shkruan Reporter.al
- Në Progres Raportin e vitit 2015 është thënë fare qartë se zonat e mbrojtura dhe me vlera të larta natyrore duhet të ruhen. Para se në këto zona të investohet në HEC-e, duhet të garantohet mbrojtja.[6]
- Më 15 prill u publikua dhe lajmi që Parlamenti Europian kishte shfaqur shqetësimin për ndërtimin e një HEC-i mbi lumin Vjosë. Në pikën 23 të rezolutës së Komisionit të Zgjerimit, e miratuar në Bruksel , Parlamenti Europian i bëri thirrje qeverisë sonë që të “kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zona të ndjeshme mjedisore si lumi i Vjosës si edhe në zona të mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese.”[7]
Të tre pikat e mësipërme tregojnë se shqetësimi dhe reagimi edhe i shoqërisë civile nuk janë pavend. Fakti që një investim i tillë ka detyruar të reagojnë edhe organet e larta ndërkombëtare, na shtyn të pyesim: sa duhet të jenë përfitimet e qeverisë nga ky projekt, për deri sa ajo vepron në kundërshtim me udhëzimet e Parlamentit Europian dhe përfaqësuesve më të lartë të tij?
3- Çlidhje ka Panama Papers me ne?
Skandali « Panama Papers » krijoi një periudhë pështjelluese për një sërë vendesh. Mijëra dokumente zbulonin emra kompanish dhe figurash të famshme që kishin “fshehur” paratë në vendet « offshore ». Midis tyre ishte dhe “Dinaric International Energy”, që po ashtu ka në pronësi kompaninë “Albanides Energy”. Çlidhje ka kjo me ne? Më 19 prill u publikua në Fletoren Zyrtare [8] marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe kësaj kompanie, një marrëveshje e cila i jepte asaj të drejtën e kërkimit, të zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në “Bllokun 8”, në verilindje të vendit. Ndonëse aksionerët dhe bordi i “Dinaric International Energy” nuk dihen, lajmi që ajo ka transferuar aksione në këto vende “offshore” u bë i ditur nga “Bloomberg”.[9]
Çështja që dukshëm është mjaft delikate, detyroi dhe vetë Ministrinë e Energjisë dhe të Industrisë të dilte me një deklaratë zyrtare. Në të thuhet se MEI nuk ka asnjë të drejtë ligjore për të diktuar apo kufizuar të drejtën e kompanive për të transferuar aksionet e tyre, ndonëse me to mund të ketë nënshkruar marrëveshje. Sipas saj, pjesa më e madhe e kontratave hidrokarbure në Shqipëri dhe jashtë saj janë nënshkruar me shoqëri, aksionerët e të cilave janë të regjistruar në këto vendet “offshore”. [10]
[1] Fjalimi i mbajtur nga ministri Gjiknuri në lidhje me skemat lehtësuese për borxhet e prapambetura.http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/fjalime/sektori-energjetik-po-rimekembet-borxhet-po-ulen
[2] Raporti Përfundimtar i Auditimit i ushtruar në Drejtorinë e Administrimit të Pronës Publike pranë
Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.http://www.klsh.org.al/web/pub/web_mzhet_2349_1.pdf
[3] Rifinancimi i borxhit afatshkurtër të KESH nga ana e BERZH, në vlerën 218 milionë euro.http://energjia.al/tag/kesh/
[4] Ballafaqimi i premtimit të vitit 2015 dhe shkelja e tij.http://www.reporter.al/rama-shkel-premtimin-per-hidrocentralet-mbi-lumin-vjose/
[5] Botim në Fletoren Zyrtare, 10 gusht 2015.http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/145-2015.pdf
[6] Progres Raporti i vitit 2015 për Shqipërinë, në faqen 68 kërkohet mbrojtja e Zonave të Mbrojtura.http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2015/20151110_report_albania.pdf
[7]Parlamenti Europian bën thirrje të kontrollojë ndërtimin e HEC-it në zonën e lumit Vjosë.http://www.reporter.al/parlamenti-europian-i-shqetesuar-per-hidrocentralet-ne-lumin-vjose/
[8] Botim i datës 19 prill, 2016 në Fletoren Zyrtare.
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/63-2016.pdf
[9]“Guaskat” e “Bllokut 8”; Vendimi i qeverisë, për “Albanides Energy”?http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=323654&ref=ml
[10]Deklaratë për shtyp e MEI-t në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me “Albanides Energy”.http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/sqarim-i-mei-per-marreveshjen-hidrokarbure-te-bllokut-nr-8&page=1