
M.Tringaj
1- Turizmi rural, një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm
Zbatimi i politikave të zhvillimit bujqësor kërkon një përpjekje serioze duke filluar nga vetë Ministria e Bujqësisë e më tej në strukturat rajonale administrative. Për një zhvillim rajonal dhe në mbështetje të punësimit rural është i nevojshëm një plan veprimi strategjik gjithëpërfshirës që prek në mënyrë direkte bujqësinë shqiptare dhe vetë prodhuesit. Politikat mbështetëse duhet të veprojnë nëpërmjet strategjive ndër-sektoriale në mënyrë që të rigjenerojnë dhe nxisin veprimtari ekonomike në zonat rurale dhe në ato më pak të favorizuara, duke sjellë në këtë mënyrë krijimin e vendeve të reja të punës, shtimin e të ardhurave dhe rritjen e standardit të jetesës në këto zona. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 duhet të marrë ne konsideratë të plotë zhvillimin bujqësor dhe rural të vendit, por jo vetëm. Përveç skemave të prodhimit bujqësor jashtë arave të mbjella dhe fermave, fokusi në turizën e sidomos atë rural, nxitja e aktiviteteve artizanale kërkon një bashkëpunim më të gjerë mes institucionesh përgjegjëse. Implementimi i strategjive për ruajtjen e bio-diversitetit, të pasazheve natyrore rurale, të identifikimit të vlerave kombëtare dhe tradicionale duhet të krijojë një impakt pozitiv socio-ekonomik tek banorët, të cilët e kanë të lidhur ngushtë jetesën e tyre me këto vende. Krijimi i një shoqërie me standarde të përmirësuara të jetesës në zonat rurale dhe zbutjen e hendekut të pabarazisë sociale mes zonave rurale dhe asaj urbane për sa i përket standardit të jetesës dhe të ardhurave kërkon një formulim rigoroz të skemave mbështetëse financiare dhe trajnuese.
Shfrytëzimi i potencialit në sektorin e turizmit rural mbetet ende një mangësi e theksuar e politikëbërjes, pasi ky potencial minohet nga ekzistenca ende e një infrastrukture të rrënuar, nga financimi i vonuar dhe shpesh i pashoqëruar me trajnime të nevojshme për rritjen e standardit të shërbimit. Përveç sa më sipër, shpesh hartimi i skemave dhe i politikave nuk përfshin grupet e interesit dhe ata që drejtpërdrejte preken nga këto skema. Këto duhet t’u adresohen nevojave prioritare të individëve, ose komuniteteve, aktiviteti ekonomik i të cilëve, për shkak të vendndodhjes së tyre apo angazhimeve konkrete, lidhet me turizmin rural. Në një vend ku turizmi duhet të shpaloste denjësisht begatinë dhe bujarinë e natyrës, dekadat e tranzicionit jo vetëm injoruan nevojat për nxitjen e zhvillimit të turizmit rural, por edhe lejuan me dashje të plotë shkatërrimin e mjedisit me pasoja të pariparueshme. Në emër të propagandës për modernizim dhe afrim me Perëndimin, sot kemi një bregdet totalisht të gjymtuar nga betonizimi, pyje të tëra të shfarosura, pasuri ujore të shfrytëzuara barbarisht dhe të ndotura në nivele të frikshme. Në këto kushte, kur është tejet e vështirë të zhbëhen masakrat natyrore, është e rëndësishme të ruajmë sa të jetë e mundur ato pak zona rurale ku peizazhi natyror është mbresëlënës, ku helmi “i modernizimit” nuk ka depërtuar dhe ku për fat natyra është ende e virgjër. Udhëtimi me këmbë apo me biçikleta në shtigjet natyrore, bujtinat në alpet e Veriut apo dhe shtëpitë pritëse në jug dhe veprimtaritë artizanale janë vetëm pak nga ato që turizmi rural mund të ofrojë në kushtet aktuale. Nevoja për mbijetesë ekonomike ka bërë që banorët e zonës t’i bëjnë edhe një nder vendit pa kërkuar asgjë mbrapsht: promovimin e traditës dhe kulturës ashtu siç janë në të vërtetë, të paprekura nga ndikime të tepërta të “modernizimit”.
2- Siguria ushqimore që qeveria s’ia ka ngenë
Në një deklaratë goditëse në vitin 2013, ministri i Bujqësisë Panariti pohoi se nuk kishte asnjë kontroll për mbetjet e rrezikshme në produktet bimore[1]. Por ende sot nuk ka një plan kontrolli në rrafsh kombëtar për mbetjet tek bimët edhe pas premtimit se një plan i tillë do të hartohej brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Ministri pohon se padituria dhe makutëria e fermerëve për të prodhuar në sasi të mëdha dhe mungesa e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse kanë bërë që siguria ushqimore të jetë veçse një hapësirë abuzive. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është përgjegjësi kryesore për sa i përket kontrollit ushqimor. Por abuzimet me produktet bimore nga vetë prodhuesit dhe më pas mungesa e përgjegjësisë së institucioneve përkatëse për sigurinë ushqimore kanë sjellë që këta aktorë të kthehen në vrasës të heshtur të shëndetit tonë. Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta mbi sasinë e pesticideve që përdoren në bujqësi. Megjithatë, mendohet se përdoren afro 60.000 ton pesticide, ose 60 milion litra në vit. Rreth 4 litra pesticide në vit dhe më shumë se 400 mbetje të substancave kimike depozitohen në trupin tonë[2]. Nga ushqimet që konsumojmë çdo ditë ne arrijmë të marrim afro 3.000 lloje kimikatesh. Por këto shifra duket se nuk e shqetësojnë ministrin e bujqësisë për deri sa gjendja, edhe pas konstatimit të ministrit, vazhdon të jetë po ajo (!).
Ndërkaq, AKU, kërkon të qetësojë opinionin publik me deklaratën se mbetjet e pesticideve në prodhimet kryesisht të ardhura nga Lushnja janë nën normat e lejuara sipas standardeve europiane. Nëse do të ishte i vërtetë ky fakt, atëherë bllokada në Qafë-Thanë e perimeve duhet të ishte një çështje e sqaruar tashmë, por autoritetet maqedonase kanë ende rezerva lidhur me këto lloj eksportesh tonat. Nga ana tjetër, vetë Maqedonia, duke shpërfillur autoritetet shqiptare, eksporton drejt Shqipërisë një produkt si ai i qumështit, nën logon e prodhimi shqiptar “Gjirofarma”, për të cilin reklamimi në media dhe etiketimi e identifikon atë si një produkt vendi cilësor dhe sipas traditës së jugut. Por në fakt, nuk është gjë tjetër veçse një prodhim maqedonas nën “petkun” e një produkti tërësisht shqiptar. Dhe është konsumatori ai që mbetet sërish i keq informuar dhe i pambrojtur.
Përmirësimi i standardeve dhe rritja e cilësisë së inspektimeve mbetet një problem madhor lidhur me sigurinë ushqimore. Ekzistenca e tregjeve dhe e shitoreve që ofrojnë produkte në kushte krejtësisht të papërshtatshme si dhe mungesa e kontrollit rigoroz të transportit të produkteve ushqimore që shpesh janë jashtë standardeve minimale të kërkuara, përbëjnë një pjesë të një realiteti të hidhur. Kjo panoramë trishtuese plotësohet më tej me punishtet, furrat e bukës, [3]baxhot, thertoret, kushtet bazike higjeno-sanitare të të cilave diktohen edhe me sy të lirë që janë në një nivel të papranueshëm. Ky aspekt i jetës sonë të përditshme është shndërruar në një shqetësim të vazhdueshëm të konsumatorëve. Në këtë situatë Ministria e Bujqësisë mbetet përballë sfidave të forta për sa i përket sigurisë ushqimore. Dalja prej kësaj situate kërkon masa të menjëhershme, energjike dhe me rezultate konkrete.
[1]Çfare po hamë?! Një pohim shokues i Ministrisë së Bujqesise
[2]Risia e pesticideve në Shqipëri