![Rezearta Caushaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/11042072_10152755179952098_1617951722_n-211x300.jpg)
Rezearta Caushaj
1- Strategjia Kombëtare e Strehimit
Ministria e Zhvillimit Urban në datën 20 prill ka zhvilluar workshopin mbi hapat e realizuara për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Strehimin ose më saktë është diskutuar në këtë workshop, vizioni, qëllimi dhe objektivat e saj, të cilat bashkë me analizën e situatës dhe vlerësimin e nevojës për strehim, konsiderohen të përfunduara dhe janë përfshirë tashmë në dokumentin aktual. Duke qënë se në njoftimin e Ministrisë përmendet se ky dokument është hartuar më ndihmën e PNUD, ku për analizën e situatës është shfrytëzuar një studim i publikuar nga ky i fundit mbi nevojat për strehim në Shqipëri në gusht 2014. Ky është një rast në të cilin duam të përgëzojmë Ministrinë e Zhvillimit urban për cilësinë e studimit në fjalë, i cili i zhvilluar në 3 bashki ka evidentuar jo vetëm nevojat reale për strehim, por edhe ç’ është më e rëndësishmja, si janë zbatuar politikat në institucionet vendore dhe sa efikase kanë qënë ato. Ky studim ka evidentuar se politikat e zbatuara kanë qënë problematike, duke filluar jo vetëm nga mungesa e bashkëpunimit midis institucioneve vendore me ato qendrore, fakti që shumë qeveri përdorin këto programe për të shpërblyer mbështetësit e tyre, por edhe procedurat diskriminuese të bankave të cilat e bëjnë të pamundur që një familje e varfër të përfitojë nga programi i strehimit, fakti që zakonisht përfitojnë persona me të ardhura të qëndrueshme në vend të personave pa këto të ardhura, fakti që ka diskriminim gjinor apo fakti që problemi i strehimit ndërthuret me shumë problematika të tjera si depresioni, papunësia e analfabetizmi. E vetmja gjë që ende nuk është përmendur nga Ministria e Zhvillimit Urban është nëse një iniciativë e tillë do të bashkërendohet me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke qënë se në fund të fundit bëhet fjalë për programe të ndihmës sociale. Shpresojmë që gjithsesi strategjia që do të prezantohet realisht të ofrojë zgjidhje konkrete dhe procedura të thjeshtëzuara, në të cilat të fitojnë akses pikërisht ata qytetarë të cilët kanë vërtetë nevojë.
2- Reforma territoriale apo reforma mbi token?!
Nga ana tjetër Znj. Gjermeni që drejton Ministrinë e Zhvillimit Urban në një leksion të hapur në Universitetin e Elbasanit theksoi se një nga gjërat që është evidentuar nga studimet mbi zhvillimin e qyteteve është “mungesa e planeve vendore, mosfunksionimi i strukturave dhe institucioneve publike, ka krijuar një precedent të dhembshëm në vend, me uzurpimin e hapësirave publike dhe krijimin e lagjeve të reja në mungesë të plotë të infrastrukturës urbane” si dhe se “i gjithë fokusi ynë si Ministri, është përqendruar në gjetjen dhe zbatimin e modeleve më të mira, për një rigjenerim urban të unifikuar të territorit, jo vetëm me qëllim, kohezionin social dhe zhvillimin e zonave informale por mbi të gjitha, në krijimin dhe gjenerimin e mundësive të reja ekonomike, për banorët e këtyre zonave.” Ajo çka Ministri ka zgjedhur te theksojë nuk është e pavërtetë, por vëmë në dyshim zhdukjen e informalitetit si koncept kryesor në reformën territoriale. Fatkeqësia e vendit tonë nuk janë thjeshtë ndërtimet pa leje, por, edhe ndërtimet me leje pa përmbushur kriteret e caktuara apo duke injoruar planet urbanistike që i shkojnë përshtat qendrave urbane. Pyetja që lind është a do të prishen të gjitha ndërtimet të cilat janë ndërtuar pa kriter? Në të njëjtën kohë, koncepti kyç në reformën territoriale duhet të jetë reforma e tokës, pa zgjidhjen e së cilës, do persistojnë ende probleme. Nga ana tjetër, ende nuk kemi parë në kuadër të reformës territoriale për të cilën Ministri flet, një strategji vendore apo një strategji vendore të sinkronizuar në shkallë kombëtare dhe i ashtuquajturi program Fondi për Zhvillimin e Rajoneve nuk kualifikohet si i tillë, duke qënë se është thjesht një mënyrë nëpërmjet të cilës njësitë vendore aplikojnë për projekte. Nëse reforma është në veprim, të tilla problematika duhet të ishin trajtuar dhe duhet të kishin marrë një zgjidhje përfundimtare. Në fakt të tilla problematika duhet të gjejnë një trajtim më përpara se Ministria të tregohet aq largpamëse sa të paraqesë taksen mbi pronën, e cila u diskutua nga Drejtori i Politikave të Zhvillimit të Territorit, në Ministrinë e Zhvillimit Urban z. Nertil Jole, i ftuar në emisionin “Ditë e re” në “Ora news”. Natyrisht që kjo taksë do të sjellë të ardhura shtesë për institucionet vendore, që përkthehet në më tepër investime për qytetet, por si do të ndikojë një tjetër taksë në xhepat e qytetarëve?
3- Hiqen barrierat për lejet e ndërtimit
Ndërkohë që në intervistën e mësipërme Z. Jole thotë së procedurat për lejet e ndërtimit abuzive, (ku u mor si shembull ndërtimi i kullave pranë digës së Liqenit Artificial), janë bërë më rigoroze. Kjo në një kohë kur është njoftuar se qeveria, nëpërmjet Strategjisë për Biznesin dhe investimet 2014- 2020 ka shkurtuar procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit, duke shkurtuar afatin për regjistrimin e pronës, por edhe për marrjen e lejeve të ndërtimit. Nuk dihet se si do të harmonizohen rigoroziteti i procedurave të ndërtimit me lehtësimin e procedurave duke qënë se bizneset janë ato të cilat kanë përfituar nga lejet abuzive të ndërtimit dhe ato të cilat i kanë bërë një dëm të madh hapësirave urbane.
Si përfundim mund të themi se Ministria bën një punë shumë të mirë për promovimin e ‘punës së saj” duke qënë se ajo organizon konkurse për shkolla të mesme për projekte të ndryshme, të cilat mund t’i gjesh në faqen e Facebook-ut, ndërkohë që ajo që pritet prej kësaj Ministrie është që projektet të zbatohen.
Referenca:
4http://www.shekulli.com.al/p.php?id=41284