1- Huamarrje apo taksim për mirëmbajtjen e rrugëve?
Më 10 prill u nënshkrua një tjetër Marrëveshje Huaje me Bankën Botërore, hua që do të shërbejë për financimin e projektit: “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore Bazuar në Rezultate”. Huaja e akorduar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BB), ka termat e mëposhtëm:
- Shuma – 65,900,000 Euro
- Tarifa Front-end – 0.25% e shumës së huas
- Tarifa e Angazhimit – 0.25% në vit mbi balancën e pao-tërhequr të huasë
- Maturimi – 22.5 vjet nga të cilat 7 vjet pa pagesë principali
- Interesi – Norma Referencë (EURIBOR 6-mujor)plus Marzhin e Pandryshueshëm (1%)
Projekti u tha se do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe parashikohet të përfundojë më 31 Dhjetor 2021.
“Mendoj që me këtë projekt të rëndësishëm, ku kemi rreth 80 milionë $ nga projekti dhe një fond që e ka ofruar Qeveria Shqiptare prej 50 milionësh $”, komentoi huamarrjen Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, “Do të thosha se kemi një fond të kënaqshëm për të garantuar një cilësi të lartë mirëmbajtjeje për rrugët e vendit për pesë vitet e ardhshme.”
Kur tashmë janë në dispozicion 130 milionë $ “për të garantuar cilësi të lartë mirëmbajtjeje për rrugët” siç tha Ministri Haxhinasto, atëherë pse po ndërtohet Strategjia Ndërkombëtare e Taksimit Rrugor (?), një projekt që kushtoi 149 117 Euro për buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, i cili kishte si qëllim taksimin e rrugëve dhe sigurimin e një fondi për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor. Ku do të shkojnë paratë që do të merren nga taksimi i segmenteve të rrugëve që do të përcaktojë Egnatia Odos, kompania e zgjedhur për konsulencë (?). Ndoshta nuk do t’i shkohet deri në fund këtij projekti dhe do të ngelet thjesht një tjetër projekt që dikush të përfitojë para.
Një argument tjetër që i shtohet argumentave kundër taksimit të rrugëve që janë përmendur në artikullin monitorues të muajit mars.
2- Patenta me pikë ndërkohë që sinjalistika mbetet problem
Më 22 Prill hyri në fuqi sistemi i patentës me pikë. Në faqen e website-it të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës u vu në dispozicion Tabela e pikëve për shkeljen e normave të sjelljes për çdo drejtues mjeti. Në këtë dokument është përcaktuar sasia e pikëve që do të hiqen për çdo shkelje nga ana e drejtuesve të mjetit. Çdo person që është mbajtës i lejes së drejtimit fillimisht zotëron një sasi prej 20 pikësh, të cilat do të zbriten në rast shkeljesh apo mund të ngrihen me dy pikë në rast se në harkun kohor prej dy vitesh nuk kryhet asnjë shkelje.
Dihet që zbatimi i lejes së drejtimit me pikë vjen si unifikim i kësaj praktike dhe me vendet e tjera të BE-së. Ideja për të disiplinuar qarkullimin është e mirë. Por realisht a janë kushtet e duhura për të filluar edhe në Shqipëri zbatimi i patentës me pikë? Rrugët janë akoma jashtë standardeve, dhe shmangia e vendeve të dëmtuara shpeshherë bëhet shkak për aksidente apo për shkelje të rregullave të qarkullimit. Mungesa e sinjalistikës është një nga arsyet kryesore që përmendet pothuajse në çdo aksident rrugor që ndodh. E duke marrë parasysh këtë fakt, përpos ndryshimeve të Kodit Rrugor do të ishte e udhës të ndërmerreshin plane urgjente për vendosjen e sinjalistikës. Më parë duhej arritur sjellja e rrugëve në standardin e duhur e më pas të aplikohej kjo praktikë. Aplikimi i patentës me pikë në këto kushte lë shteg vetëm për abuzime. Efektivët rrugorë mund ta përdorin si shantazh për korrupsion ndaj drejtuesve të mjeteve.
Ministri ka cituar se këto masa që po merren kanë si qëllim vetëm mbrojtjen e jetës së vetë qytetarëve. Por kjo ishte arsyeja që u dha edhe kur u vendos rritja e gjobave për çdo shkelje. Por realisht numri i aksidenteve nuk është ulur edhe pse gjobat janë 4 fishuar, gjë që bën të mendosh se nuk po aplikohet politika e duhur.
3- Hekurudha Tiranë – Durrës
Më 15 prill, nga Ministri Haxhinasto u firmos një tjetër kontratë konsulence me kompaninë Rail Consulting Joint Venture “JV RAILCON”. Ka një marrëveshje mes Qeverisë Shqiptare dhe BERZH, për hartimin e projektit të detajuar të linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës dhe vlerësimin financiar\ekonomik të gjithë rrjetit hekurudhor në vend. Marrëveshje që ka për qëllim rigjallërimin e hekurudhave shqiptare dhe zhvillimin e transportit hekurudhor. Pra do të jetë kompania “Rail Consulting Joint Venture” që do të realizojë hartimin e këtij projekti.
Linja Durrës-Tiranë është linja me volumet e trafikut më të larta për hekurudhat, pasi ajo lidh dy qytetet më të mëdha në vend (kryeqytetin-Tiranën dhe Durrësin) dhe siguron kalimin për në portin më të madh të mallrave, në Durrës.
Ajo që duhet theksuar është fakti që nga ana e Ministrisë nuk jepet asnjë detaj për këtë kontratë konsulence. Sa i kushton Ministrisë kjo konsulencë dhe sa do të jetë kohëzgjatja e hartimit të këtij projekti. Për të mos harruar që nuk mundëm të gjenim asnjë informacion për kompaninë “Rail Consulting Joint Venture”. Kush është “Rail Consulting Joint Venture”? Pse u përzgjodh kjo kompani për të hartuar këtë projekt?
Referenca:
- Mirëmbajtje dhe siguri rrugore, nënshkruhet huaja me Bankën Botërore http://www.financa.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/mirembajtje-dhe-siguri-rrugore-nenshkruhet-huaja-me-banken-boterore
- Nënshkruhet Marrëveshja e Huasë me Bankën Botërore për financimin e Projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”
http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/nenshkruhet-marreveshja-e-huase-me-banken-boterore-per-financimin-e-projektit-mirembajtja-dhe-siguria-rrugore-bazuar-ne-rezultate&page=1 - Raport Mars 2015 – Ministria E Transportit Dhe Infrastrukturës
(https://appa.brentonkotorri.com/raport-mars-2015-ministria-e-transportit-dhe-infrastruktures/ - Tabela e pikëve për shkeljen e normave të sjelljes (http://www.transporti.gov.al/files/userfiles/Qarkullimi_dhe_siguria_rrugore/Tabela_e_pikeve_per_publikim.pdf
- Firmoset kontrata e Konsulencës me “JV RAILCON” për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës (http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/firmoset-kontrata-e-konsulences-me-jv-railcon-per-linjen-hekurudhore-tirane-rinas-durres&page=1