![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1- Dixhitalizimi i Muzeut të Shkodrës
Më 17 prill ministrja Harito inaguroi Muzeun “Oso Kuka”, muzeu i parë i dixhitalizuar plotësisht në qytetin e Shkodrës. Një projekt ndërkufitar për “Promovimin e Lidhjes së internetit të Shpejtë në zonën Kufitare të Bjeshkëve të Namuna”, i financuar nga Bashkimi Europian, Programi Ndërkufitar IPA Shqipëri- Mal i Zi. Një arritje kjo që do të duhej të shtrihej në të gjithë Shqipërinë në bashkëpunim dhe me ministrinë e Kulturës, me qëllim promovimin sa më të gjerë të kulturës dhe pasurisë tonë historike kombëtare, natyrisht brenda të gjitha limiteve të sigurisë ndaj sulmeve kibernetike apo më gjerë, duke qënë të rezervuar në publikimin e disa materialeve të një rendësie të veçantë, apo duke ndërthurur strategji për mbrojtjen nga sulme të ndryshme të kësaj pasurie kulturore.
Nga të gjitha informacionet publike, ky muze prek rreth 1200 artifakte nga fondi i Muzeut Historik të Shkodrës, të cilat i janë nënshtruar procesit teknologjik. Janë krijuar për të, audio, guida në gjuhën shqipe dhe angleze për të qenë në dispozicion të turistëve me informacione mbi muzeun dhe historinë e Shkodrës. Muzeu është pasuruar me kalimin e viteve nga dhurime, blerje, gjetje të rastit apo gërmime arkeologjike dhe nga koleksionet e familjeve shkodrane. Ai përbëhet nga sesione si ai i etnografisë, arkeologjisë, artit pamor dhe biblioteka e cila shërben si fond për studime shkencore.
Ky inagurim konsistoi në përmbylljen e fazës së parë në qytetin e Shkodrës pas rreth një viti nga fillimi i implementimit të tij dhe tashmë pritet të vazhdojë më tej me një projekt për aksesin në internet edhe në zonën e Bjeshkëve të Namuna.
Një hap pozitiv ky, në funksion të programeve të integrimit në familjen Europiane, ku mund të themi se kemi ende shumë punë për të bëre, pa harruar dhe shtrirjen apo një akses më të gjerë të internetit edhe në zona të tjera të Shqipërisë, si dhe përmirësimin e shërbimeve publike apo lehtësimin e proçedimeve dhe rritjen e transparencës ndaj çdo qytetari Shqiptar.
Në kuadër të bashkëpunimit të dy qeverive, ministrja Harito dhe zv. kryeministri, njëkohësisht Ministër i Teknologjisë e Informacionit të Malit të Zi nënshkruan edhe një marrëveshje për vijimin e projekteve të përbashkëta ndërkufitare duke pasur në fokus projektet e teknologjisë.
Projekti aktual synon promovimin e turizmit nëpërmjet internetit duke vënë në dispozicion dhe një website për Muzeun në fjalë. Shërbime këto të munguara në Shqipëri ose të pazbatuara nga ana e palëve përgjegjëse.
Ky është një hap pozitiv në nxitjen e turizmit kulturor në vendin tonë, referuar modeleve të standarteve bashkëkohore të zhvillimit teknologjik dhe integrimit ndërkulturor.
Ne do të mirëprisnim shtrirjen sa më të gjerë në të gjithë vendin tonë të këtyre projekteve, pasi impakti do të ishte gjithnjë pozitiv dhe do të sillte lehtësira në aksesin e informacionit për qytetarët, turistët apo të apasionuarit pas historisë, trashëgimisë kulturore ose studiusve në distancë dhe do të ishte një mundësi shumë e mirë në funksion të zhvillimit dhe integrimit në një kohë më të shkurtër. Kjo duke pasur parasysh që vendi ynë disponon vlera dhe pasuri të veçanta historike të cilat mund të përbënin shumë interes për vizitorët e huaj apo vendas.
2- Administratë Publike apo Administratë Paraelektorale?
Përpos zhvillimeve inovative pozitive nuk duhet të harrojmë proçese në zhvillim e sipër të projekteve paraardhëse. Nëse do të shihnim website-in e Administratës Publike, do të gjejmë një numër të konsiderueshëm thirrjesh për aplikime mbi punësimin në administratë, të cilat vijnë rreth dy muaj para zgjdhjeve lokale. Eshtë kjo një rastësi apo vazhdimësi e programit për mirëmenaxhimin dhe rritjen e transparencës mbi proçeset e punësimit dhe selektimit sipas të gjitha kërkesave përkatëse?
Nëse do t’i referohemi raportit të muajit shkurt, kohë kur sipas të gjitha njoftimeve të bëra nga kjo administratë pritej çelja e një faze të re rekrutimi pas ndërhyrjesh në reformimin e sistemit online të aplikimeve pas shumë muajsh inefiçence të këtij sistemi, pritej një lehtësim në mënyrat e aplikimit për të marrë pjesë në konkurset që do të zhvilloheshin në grup. Ndërkohë nga kontestime të vazhdueshme të qytetarëve, problematikë mbetet transparenca ne lidhje me keto procese pasi shumica deklarojnë të kenë pasur të bëjnë në mënyrë të vazhdueshme me konkurse fiktive dhe se proceset e përzgjedhjes së fituesve kryhen jashtë këtij formati dhe vendosen paraprakrisht, që para momentit të shpalljes së thirrjeve çka i bën ata pesimistë dhe mosbesues ndaj këtyre proceseve. Sikurse një pjesë e tyre mbeten të pakënaqur nga kërkesa e numrit te dokumentacionit të cilit duhet ta sigurojnë hap pas hapi për ta hedhur në sistem (në profilin individual të aplikimit) në çdo institucion përkatës ku shpesh hasin në vonesa apo pengesa të ndryshme në marrjen e shërbimeve.
Prandaj problematikat që vazhdojnë të prekin këtë aktualitet sipas kontestimeve publike apo debateve të ndryshme mbeten raportimet mbi mos-menaxhimin e mirë të proceseve selektive e kompetitive, si dhe mungesën e transparencës nga ana e institucionve përkatëse edhe nepërmjet procedimeve online.
Nga muajt paraardhës lajmi mbi strategjinë e re sipas standareve të BE-së u konsiderua dhe do të ishte një nismë e mirë në modernizimin apo rritjen e përformancës së administratës publike shqiptare, si një domosdoshmëri dhe garanci drejt zhvillimit dhe rritjes së kapaciteteve për mirëfunksionimin e çdo institucioni. Por mesa duket mbivendosja e reformave dhe problematikat aktuale ndikojnë në implementimin e programeve të reja dhe krijojnë pakënaqësira tek qytetarë apo ish punonjës të administratës shqiptare, duke bërë të jënë më skeptikë ndaj nismave të reja dhe të kënë dyshime të caktuara mbi mbarëvajtjen e proçeseve të punësimit.
Njëkohësisht jemi të ndërgjegjshëm që sfida e “modernizimit dhe e rritjes së performancës së administratës publike shqiptare” është treguesi më i qartë i asaj që jemi dhe asaj që do të jemi nesër në bashkësinë e shteteve të BE. Të shpresojmë se Ministria e Inovacionit dhe Administratës publike si përgjegjësi kryesor ligjor për realizimin, të ketë ndërgjegjësimin dhe vullnetin po aq të lartë përpos përgjegjësisë ligjore, pasi mbetet indikatori dhe rregullatori i këtyre nismave dhe programeve. Gjithashtu mirëpresim dhe reformat në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, por pa kosto mbi administratën aktuale dhe duke ofruar një trajnim sa më të gjerë, jo vetëm të nënpunësve aktualë por edhe të qytetarëve që janë në proces rekrutimi. Gjiyhashtu dhe një informim më të gjerë nëpërmjet seksioneve informuese të atyre që synojnë të bëhen pjesë e këtyre strukturave në të ardhmen.