
Adela DanajR
1- Marinza, pasuria kombëtare që gjeneroi fatkeqësi
Më datë 1 Prill në një nga zonat më të pasura me burim nafte në Shqipëri ndodh një shpërthim i kushtueshëm gati katastrofik në termat shëndetësorë, po aq sa dhe në dëmet që i ka shkaktuar mjedisit. Kompania private Bankers Petroleum Albania Ltd, prej më shumë se 10 vitesh operon në Shqipëri dhe shpeshherë nuk kanë qenë të pakëta akuzat e ngritura ndaj saj. Gjatë muajit shkurt të këtij viti, gazetari Ylli Rakipi, në emisionin “Të paekspozuarit” transmetoi një investigim që hedh dritë mbi koncesionin që qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë Bankers Petroleum për fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, fushë e cila është zbuluar për herë të parë në vitin 1928 dhe sot mbetet një ndër fushat më të mëdha me përmbajtje nafte në Evropë.
Fillimi i historisë së kësaj fushe naftëmbajtëse, në fakt nuk nis në vitin 2004, atëherë kur kompania Bankers Petroleum ka lidhur kontratën me qeverinë shqiptare, por në vitin 1993 kur qeveria hyri në negociata me kompaninë angleze Premier Oil dhe një vit më vonë, më 1994, u lidh marrëveshja për Patos-Marinzën. Nga ky moment e deri në vitin 2004 ndodhën disa dinamika, si prishje kontratash, çelje kontratash të reja, dinamika të cilat u karakterizuan nga mungesa e transparencës. Në vitin 2004 kompania britanike Premier Oil vendosi papritur të tërhiqet nga Shqipëria duke i “liruar” vendin Bankers Petroleum, kompani e cila për 10 vite i ka të ardhurat mbi 2 miliardë dollarë dhe paguan tatim-fitimi më pak se një ushqimore. Megjithatë, nuk është ky problemi qendror që do të trajtohet në këtë raport.
Çështja kryesore që ngre ky raport, fokusohet te kontrolli që qeveritë në pushtet u kanë bërë këtyre kompanive. A punonin këto kompani brenda të gjitha standardeve? Kujtojmë që Patos-Marinza është një vend i banuar dhe ndodhet vetëm 10 km larg Fierit, një prej qyteteve më të mëdha në Shqipëri në lidhje me numrin e banorëve.
Sa të sigurt kanë qenë këta banorë nga viti 1994 e deri më 1 Prill kur ndodhi shpërthimi katastrofik? Në fakt, nuk ka asnjë të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë nëse janë realizuar kontrolle periodike tek këta njerëz. Nuk kemi parë dhe dëgjuar asnjë herë nëse është bërë ndonjë studim mbi dëmet shëndetësore që mund të shkaktohen në rast se puna që bëhet aty nuk është brenda standardeve të kërkuara. Në rast se deri më 1 Prill, askush nuk kishte dëgjuar për Bankers, sot ky emër mund të konsiderohet pa diskutim si “Gërdeci 2”. Nga data një 1 Prill, në Patos-Marinzë, ka njerëz të cilët kërkojnë ndihmë çdo ditë dyerve të spitaleve dhe në vend që të ballafaqohen me gatishmërinë e mjekëve mbi trajtimin e tyre, marrin përgjigje se marrja e mendëve, refluksi, dhembja e kokës, humbja e ekuilibrit apo mungesa e përqëndrimit janë simptoma të një gjendje virale dhe aspak të një shoku toksik që mund të jetë shkaktuar si rezultat i shpërthimit dhe çlirimit të kush e di se sa lloj gazrash. Çudi e madhe, të gjithë banorët e Patos-Marinzës, fiks më datë një 1 Prill e deri sot, u diagnostikuan me një virozë, që zuri vetëm ata dhe çuditërisht asnjë vend tjetër në territorin e Shqipërisë…
Sigurisht që kështu duhet të jetë, pasi kompania Bankers, menjëherë pas shpërthimit deklaroi publikisht se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, pasi gazi që është çliruar është vetëm dioksid karboni, një gaz i ëmbël dhe aspak i dëmshëm, por nuk vonoi shumë dhe po kjo kompani bëri thirrje për evakuim të zonës nga banorët. Në investigimin e çështjes në fjalë, u evidentua se një nga deputetët e Parlamentit shqiptar, Z. Erjon Braçe, në një nga shkrimet e tij në gazetën “Koha Jonë” është shprehur: “Më shumë se Bankers, mua më shqetëson heshtja. Nafta është pasuria jonë kombëtare, Bankers është thjesht një operator ekonomik që ka një marrëveshje hidrokarbure me Albpetrol. Kaq, asgjë më shumë. Pa diskutim Bankers ka përgjegjësinë të zbatojë një më një marrëveshjen dhe ligjet shqiptare në fuqi për zonën ku operon nën marrëveshje. Por nafta eshte pasuri e jona, puset e naftës gjithashtu, zonat naftëmbajtëse patjetër, ndaj ne kemi pergjëgjesinë publike për këtë pasuri. Diten kur ndodhi shperthimi shkruajta se Bankers nuk thote te verteten!! Ne fakt prej asaj dite Bankers heshti!! Nëse hesht Bankers, duhet të flasim ne”.
Për t’i shkuar më tej kësaj kauze, ajo që duam shumë të dijmë lidhet me teknologjinë e përdorur në atë pus dhe më shumë akoma lëndët e injektuara aty. Cilat lëndë janë shpërdarë dhe deri në çfarë mase ka arritur të shpërndahen këto lëndë pas shpërthimit? Sigurisht, në këtë situatë ballafaqohemi dhe me implikime të tjera, si përshembull: sa shtresa nëntokësore janë dëmtuar?
Kujtojmë, fusha e Patos-Marinzës, funksionon si burim nafte që prej vitit 1994 dhe do të ishtë shumë interesante nëse Ministria e Shëndetësisë do të na ofronte disa të dhëna në lidhje me shëndetin e 21 vjeçarëve që banojnë aty, apo në lidhje me llojin e sëmundjeve që ndeshen rëndom në atë zonë. Cila është mosha mesatare e vdekjeve e banorëve në zonën e Patos-Marinzës?? A kanë ato lidhje me puset e naftës apo me efektet anësore që shkaktohen nga mosfunksionimi brenda paramentrave të teknologjisë që përdoret për të nxjerrë këtë naftë??
Do të dëshironim shumë të kishim nga Ministria e Shëndetësisë apo nga çfarëdolloj institucioni tjetër përgjegjës të gjitha të dhënat e sipërkërkuara për të konstatur nëse vërtet i gjithë aktiviteti 21-vjeçar i nxjerrjes së naftës është realizuar në kushtet e duhura dhe shëndeti i banorëve nuk është cënuar në asnjë moment të vetëm. Por, fatkeqësisht, të gjitha sipmtomat që ata shfaqin sot lidhen drejtpërdrejtë me të gjitha shenjat e një helmimi të mundshëm. Është e papranueshëme të mendosh se Ministria e Shëndetësisë jo vetëm nuk ka mbajtur asnjë lloj përgjegjësie për rastin flagrant, por nuk ka dhënë asnjë herë të vetme udhëzime për banorët që jetojnë në një zonë të tillë.
Nëse ministria në fjalë e ka marrë të mirëqënë se në 21 vite aty është punuar në kushtet maksimale të sigursë, atëherë përse pas 1 Prillit nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për të ndërgjegjësuar çdokënd që ka shtrirë apo mendon të shtrijë aktivitetin e tij në Patos-Marinzë dhe sëbashku me to dhe banorët? Duhet të jetë detyrë dhe përgjegjësi e kësaj ministrie të kujdeset për shëndetin e shtetasëve të saj, madje t’i detyrojë për kontrolle periodike, në mënyrë që të garantojë mirëqënien e tyre, të paktën mirëqënien shëndetësore duke qenë se e ka të pamunduar të merret me ta në kushtet e tmerrëshme spitalore.
Duke i hedhur një sy aktivitetit ministror gjatë këtij muaji, u konstatua se ministri, më datë 25 të këtij muaji ka bërë 2 vizita “shumë” të rëndësishme në Vlabonë dhe Bajram Curri, ku në të parën ka premtuar pajisje “moderne”, ndërsa në të dytën, rritjen e numrit të mjekëve. Ndërkohë që një ditë më parë, pra më datë 24 ka qenë në Kukës për të bërë të njëjtat premtime, më datë 22 në Elbasan, më datë 10 në Koplik. Fjalë, fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Duke shkuar më tej konstatohet së në Marinzë ka qënë vetëm më datë 7 Prill, plot 6 ditë pas shpërthimit për të parë kushtet e qendrës shëndetësore dhe për të vënë në dispozicion 2 njësi lëvizëse. Banorët janë helmuar, kanë nevoja emergjentë dhe kujdes special. Janë të sëmurë edhe për fajin e mungesës së monitorimit shëndetësor, në venat e tyre kalon gjak i helmuar, i cili do të lërë pasoja dhe në pasardhësit e tyre, pasardhës që do të jenë jeta e këtij kombi. Nuk kuptohet përse ministria hesht kur i di fare mirë këto gjëra. Në këtë moment nuk na interesojnë kontrantat aspak transparente, por shëndeti publik i njerëzve, njerëz si unë, si ti dhe si ministri i Shëndetësisë.
Referenca:
http://www.panorama.com.al/bankers-rrjedhje-e-pakontrolluar-gazi-eshte-gaz-i-embel-dhe-i-pademshem/
http://en.wikipedia.org/ëiki/Patos-Marinza_Oil_Field
http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme