![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
1- Integrim në BE apo në SHBA?
Një ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij muaji ka qenë vizita zyrtare e ministrit Ditmir Bushati në Shtetet e Bashkuara, ku më 18 prill çeli dyert pas rikonstruksionit ambasada e Shqipërisë në Uashington, ndërsa më datë 20 u nënshkrua deklarata e përbashkët e Partneritetit Strategjik midis dy vendeve.
Inaugurimin e ambasadës, me më tepër se përulje ministri Bushati e konsideroi si “…një dëshmi konkrete e angazhimit tonë ndaj aleatit strategjik”.
Pra sipas ministrit, meremetimi i fasadave dhe mjediseve të brendshme të një godine është shenjë besnikërie.
Sipas kësaj logjike, ambasadat shqiptare në të cilat ka vite, për të mos thënë dekada, pa u vënë dorë nga shteti ynë, duhet të përbënin një shenjë “armiqësie”.
Gjatë deklaratës së përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit Xhon Kerri, ministri Bushati përdori fjalë edhe më të forta për të vlerësuar Shtetet e Bashkuara, kur tha se “Kriza e fundit në Evropë ka demonstruar rëndësinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, dhe arsyeja që rajoni ynë është në paqe sot, është falë angazhimit konstant të SHBA-së….”. Pra të SHBA-ve dhe jo të BE-së.
Jo të BE-së që i ka dhënë mbështetje ekonomike të pakushtëzuar dhe do të japë mbështetje buxhetore falas 2 mld lekë në vit deri më 2018 dhe që strehon me vendbanim dhe punë qindëramijëra shqiptarë. Jo BE që vazhdon të mbajë trupa paqeruajtëse në Bosnje dhe Kosovë dhe që ka nisur Procesin e Berlinit për të paqtuar dhe afruar më shumë Ballkanin, por Amerika, një vend i largët, edhe pse aleat i rëndësishëm, nga e cila kemi akumuluar vetëm borxhe, sikurse janë 1 mld USD që qeveria ka marrë vitin e fundit nëpërmjet FMN dhe BB, që janë kryesisht me kapital amerikan. Borxhe që thellojnë krizën ekonomike dhe i çojnë drejt eksodit shqiptarët. Po ku? Në SHBA, apo në BE?
Ndërkohë më herët gjatë muajit, ministri ka zhvilluar dy vizita të rëndësishme zyrtare në Republikën Çeke dhe në Spanjë, kurse më 31 mars ai qe në një vizitë pune në Holandë.
Retorika në këto vizita ka qenë krejt e kundërta e përunjësisë dhe besnikërisë së shprehur ndaj aleatit të përtej Atlantikut.
Ndërkohë që amerikanëve në çdo rast iu përmendet dhe lavdërohet kontributi i dhënë për vendin tonë apo rajonin, europianëve përveçse në nivel deklarativ nuk iu njihet ndonjë meritë e madhe, përkundrazi qasja e re e diplomacisë shqiptare është në limitet e agresivitetit, çka duhet konsideruar me vëmendje nëse është konstruktive apo e dëmshme për proceset integruese të Shqipërisë në BE.
Në takimet me personalitetet e larta politike në Çeki dhe Spanjë, ministri Bushati pasi iu parashtroi atyre reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, iu kërkoi mbështetjen për çeljen e negociatave përfundimtare për anëtarësim në BE. Te cila BE, ajo që nuk kontribuon për paqen në rajon?!
MPJ bën shumë mirë që i shfrytëzon vizitat zyrtare për të reklamuar arritjet e vendit dhe për të ushtruar trysni për përshpejtimet e procesit të aderimit në familjen europiane. Por të shfaqësh një “dizafeksion” deklarativ karshi familjes ku synon të ripërfshihesh, madje deri me komente të njohura tashmë të kryeministrit që marrin nuanca fodullëku, të tipit se Europa paska po aq nevojë për ne, saç kemi ne për Europën, kjo nuk është diplomaci por mendjemadhësi.
Për çfarë ka nevojë Europa nga Shqipëria, për azilkërkues?
Sigurisht në krahasim me një periudhë kur Shqipëria ka patur një qasje përuljeje dhe nënshtrimi të plotë ndaj faktorit ndërkombëtar, ky rizgjim krenarie vlen deri diku, por jo të kalojë nga ekstremi në ekstrem, pra nga nënshtrimi total, në arrogancë. Mesi i artë është gjithnjë i vlefshëm.
Është njësoj sikurse një i ri që varet thuajse tërësisht ekonomikisht dhe i garantohet edhe strehimi nga familja e tij, e cila ndërkohë që ai të japë prova pjekurie e ka çuar me studime në kolegj, të revoltohet ndaj familjes së tij dhe të shprehë dashuri për një familje tjetër, vetëm sepse kjo e fundit është më e fortë. Edhe pse kjo e fundit mund të mbetet gjithsesi një familje mike, ajo është ama më e largët dhe me kontribut më të vogël direkt në rritjen e fëmijës.
Ta quajmë mosmirënjohje? Mbase.
Disa media janë munduar të aludojnë edhe një qejfmbetje personale të ministrit Bushati ndaj ambasadores së re të Brukselit në Tiranë, por refuzojmë t’i marrim si të mirëqena hamendësime të tilla.
Sigurisht një Think Tank apo OJQ nuk mund të pretendojë që t’i japë mend apo t’i sugjerojë axhendën deklarative një qeverie apo ministri, por nga ana tjetër të bie në sy dhe të vë paksa në siklet krenaria e rizgjuar shqiptare me prirje mburravece.
Në Holandë për shembull, linja pothuajse zyrtare e kërcënimit me destabilizim ndaj “miqve” europianë vijonte me fjalë të tipit se “Nëse Ballkani Perëndimor është në paqe tani, kjo paqe nuk duhet të merret si e mirëqenë… rreziqet për destabilitet në Ballkanin Perëndimor janë serioze, si për rajonin gjithashtu edhe për Evropën.” – thotë ministri Bushati.
Po kush mund ta destabilizojë për momentin rajonin? BE-ja e granteve falas dhe e Procesit të Berlinit, apo këshilltarët e kryeministrit që bëjnë thirrje për rrëzimin e qeverisë në Maqedoni? Apo vetë “bashkimi kombëtar” i dalë në mënyrë të përsëritur nga goja e kryeministrit?
Është e drejta e qeverisë që të përdorë këtë ton prej baritonësh ndaj BE-së, por ajo çka është e sigurt është se kjo gjuhë e tejkalon diplomacinë.
Kur këtë e konstatojmë ne në Shqipëri, sigurisht që këto deklarata mbahen shënim edhe nga diplomatët e BE-së nëpër vendet përkatëse.
Se me çfarë guximi mund të shkosh e t’iu kërkosh më pas llogari europianëve, madje edhe t’i kritikosh për problemet e tyre të brendshme, a thua se duan të integrohen këta te ne dhe ne në Amerikë, vetëm kursi i ri diplomatik i qeverisë mund ta shpjegojë.
2- Po me rusët ç’patëm?
“Kur të gjithë e kanë me ty, problemi nuk janë të tjetër, por je ti”. Kështu do të shprehej Rexhep Qosja, një mbështetës i fortë i kryeministrit Rama, lidhur me deklaratat e Sali Berishës për sa i takon aludimit se paskërka “albanofobi”.
Por çuditërisht një gjë e tillë i është kthyer në bumerang qeverisë Rama. Deklaratat e përsëritura për bashkim me Kosovën, pavarësisht kontekstit në të cilin janë thënë, janë qortuar si nga BE-ja, ashtu edhe nga vendet e rajonit, SHBA-të dhe Rusia. Pra nga thuajse i gjithë faktori ndërkombëtar i interesuar.
Megjithatë vetëm Rusisë, MPJ e Shqipërisë e ka parë të arsyeshme t’i kërkojë sqarime lidhur me shqetësimet e shprehura nga MPJ e Moskës, duke thërritur ambasadorin rus në Tiranë në një mbledhje. Ose të paktën këtë pretendon MPJ, sepse ambasadori rus pretendon krejt të kundërtën. Gjithsesi në deklaratën e MPJ ka vijuar prijra paternalisto-nacionaliste ndaj Kosovës, a thua se ky vend nuk është sovran dhe nuk ka institucionet e veta që mund të mbanin qëndrimet përkatëse.
Mediat britanike shkruanin se SHBA-të janë të shqetësuara se Greqia po devijon drejt një projekti alternativ gazsjellësi me Rusinë. Ndoshta shqetësimi se një devijim i tillë mund të prekë edhe Shqipërinë, duke i larguar dy aleatë në rajon SHBA-ve, mund ta ketë çuar deri në Uashington ministrin Bushati.
Por pas refuzimit të vajtjes në paradën ushtarake të Moskës dhe kërkesës së llogarive për deklaratat e Kremlinit të shqetësuar për “Shqipërinë e Madhe”, me sa duket besnikëria u riafirmua. Pa harruar edhe meremetimin e ambasadës tonë në Uashington padyshim.
Referenca:
http://www.zeri.info/aktuale/27182/rama-evropa-ka-nevoje-per-shqiptaret/
http://www.gazetaidea.com/qeveria-merr-1-mln-usd-borxh-arrihet-marreveshja-me-fmn-ne-dhe-bb-ne/
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=297770
http://www.mapo.al/2015/04/keshilltari-i-edi-rames-thirrje-per-rrezimin-qeverise-ne-maqedoni
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme
http://www.monitor.al/ke-mbeshtetje-buxhetore-nga-2-miliarde-leke-ne-vit-deri-me-2018/
http://www.mapo.al/2015/04/shqiperia-eshte-karta-e-shba-ne-luften-ndaj-ruseve
http://www.mapo.al/2015/04/arsyeja-e-konfliktit-te-heshtur-te-bushatit-me-ambasadoren-e-be-se
http://www.albaniapress.com/lajme/17255/Rexhep-Qosja-flet-ne-Shqip-.html