1- ‘’RIP FBI-së shqiptare’’
Në datë 1 prill, Ministri i Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri u takua me Zv. Ndihmës Drejtorin J. Chris Warrener dhe Zv. Ndihmës Drejtorin Brian McCauley të FBI-së për të diskutuar një nga idetë dhe planet kryesore për të cilat kryeministri ka insistuar prej kohësh, krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duket se ky takim dhe kjo iniciativë i kanë ‘’dalë huq’’ kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese (pak javë më pas) për ta shpallur atë të papërputhshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Byroja Kombëtare e Hetimit do të reformonte strukturat ekzistuese të hetimit dhe parandalimit të krimeve për të mos krijuar përplasje dhe hetime paralele nga institucione të ndryshme. Sipas Projektligjit të datës 18 qershor 2014, kjo strukturë e veçantë do të kryejë veprimtari gjurmuese për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe të veprimtarisë së organizuar kriminale dhe do të ketë varësi dyfishe mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo e fundit duket se ka qenë thembra e Akilit në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur atë në kundërshtim me Kushtetutën, veçanërisht në nenet 27-36. Vendimi i plotë bashkë me arsyetimin e hedhjes poshtë të kësaj pjese të projektligjit për policinë, do të shpallet i plotë ditët në vijim nga Gjykata Kushtetuese.
E konsideruar si versioni shqiptar i Byrosë Federale të Hetimeve në Shtetet e Bashkuara dhe planifikuar në bashkëpunim me ekspertë të kësaj të fundit, Byroja do të merrte ‘’super-pushtet’’ në ushtrimin e detyrave të saj. Nga mënyra se si është hartuar projektligji lindin dy pyetje:
- Cilat do të jenë mekanizmat e kontrollit për këtë organizëm, duke iu referuar këtu veprimtarisë tërësore, jo vetëm mënyrës së emërimit dhe shkarkimit të drejtuesit/drejtueses dhe punonjësve që do të përbënin këtë njësi? Neni 34 është veçanërisht shqetësues. Sipas këtij të fundit: “1. Byroja Kombëtare e Hetimit mbledh dhe administron çdo të dhënë në interes të veprimtarisë gjurmuese e hetimore. 2. Gjatë kryerjes së veprimtarisë hetimore, personat juridikë, entet publike dhe shtetasit janë të detyruar t’i japin oficerit të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit akses të pakufizuar për mbledhjen e provave për t’u përdorur në një proces penal, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.’’ Ky akses i pa limituar tek të dhënat dhe detyrimi i palëve të identifikuara për të ofruar çdo informacion të kërkuar, lë hapësira shkeljeje të kompetencave, veçanërisht në kontekstin e një vendi si Shqipëria, tejet i politizuar dhe me një sistem ende të pa konsoliduar drejtësie.
2.Si organizëm tepër i rëndësishëm në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar që lidhet me të, si do të garantohej pavarësia dhe transparenca e Byrosë nëse puna dhe organizimi i saj përcaktohet nga ministri dhe drejtuesi emërohet sërish nga Ministri i Punëve të Brendshme me propozim të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
Ideja e krijimit të një organizmi që do të bashkojë në një kompetencat e disa organizmave të tjerë është jo vetëm efikase por edhe e nxitur nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, përpara se të miratohen projektligje dhe të ndërmerren nisma të tilla, ka nevojë për mekanizma konsultimi me të gjithë aktorët e interesuar brenda dhe jashtë sistemit të qeverisjes. Nuk është hera e parë që ndërmarrim politika apo reforma duke kopjuar një model, shpesh të keq e të padëgjuar më parë, ndaj duhet më tepër reflektim dhe përshtatje me kontekstin dhe mjedisin që ofron një vend si Shqipëria.
2- Uniformat e reja si fasadë për dështimet
Një prej lajtmotiveve të kësaj qeverie në fushën e sigurisë dhe rendit është rikthimi i besimit të qytetarëve te policia e shtetit, ndryshimin e imazhit të kësaj të fundit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet të dy palëve për të arritur suksesshëm policimin në komunitet. Ndërsa qëllimi është fisnik, mënyra e përzgjedhur lë për të dëshiruar pasi nuk adreson rrënjët e problemit që policia e shtetit ka me imazhin e saj dhe mënyrën si perceptohet puna e saj nga qytetarët shqiptarë. Që prej fillimit të mandatit të tij si ministër i brendshëm Z. Tahiri ka ndjekur një sërë politikash që janë përpjekur të na ofrojnë një panoramë ndryshe për një prej profesioneve më të nderuara në një shtet. Një prej hapave të parë ishte promovimi i grave në forcat blu (prania e të cilave do të vihej re edhe në vijën e parë të protestave të ndryshme organizuar gjatë viteve të fundit), restaurimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për të krijuar hapësira më të aksesueshme për vetë qytetarët si dhe investimi në zyrat e shërbimit ndaj komunitetit. Në vazhdën e këtyre iniciativave dekoruese, Ministria e Brendshme do të kushtojë ca më shumë energji edhe para konkursit ndërkombëtar për uniformën e re të policisë. Në fjalimin e mbajtur nga Ministri me rastin e shpalljes së konkursit, vijon e njëjta qasje e fajësimit të paraardhësve për gjendjen e policisë së shtetit, për mungesën e respektit të qytetarëve ndaj uniformave blu, madje edhe për faktin që për shkak të keqmenaxhimit të qeverisë së kaluar fëmijët nuk ëndërrojnë më të bëhen policë kur të rriten. Vendosja e uniformave të reja, sado estetike këto të fundit, nuk do të ketë asnjë ndikim në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të ardhurave ekonomike për këtë kategori të shoqërisë shqiptare. Nuk mund të themi se korrupsioni është i pranishëm pasi forcat policore nuk kanë uniforma të reja.
Për të adresuar problemin e korrupsionit endemik në radhët e forcave të policisë, ndoshta do të ishte efikase për ministrin Tahiri të reflektojë mbi shembuj të suksesshëm të reformimit të policisë, me rastin e Gjeorgjisë si një ndër më të diskutuarit dhe në prag të një qasjeje revolucionare. Megjithëse metoda e ndjekur në Gjeorgji pothuajse një dekadë më parë ka ngritur pikëpyetje dhe ka krijuar një ndarje opinionesh dhe vlerësimesh, është me vlerë të analizohet dhe përshtatet në kontekstin shqiptar. Shkurtimisht, menjëherë pas revolucionit rozë të vitit 2004, presidenti i porsazgjedhur në Gjeorgji shkarkoi të gjithë forcën policore të vendit dhe vendosi policë të rinj rrugorë. E gjitha kjo ndodhi brenda pak javësh, pasuar nga rindërtimi i të gjithë forcës policore nga fillimi. Në një sondazh të pak viteve më parë, besimi tek forcat policore në Gjeorgji qëndronte në 89%, një ndryshim radikal nga perceptimi i mëparshëm i kësaj kategorie si të kalbur në themele. Megjithëse qasja është e pazakontë dhe në kontekstin shqiptar politizimi i saj do të ishte një proces i pashmangshëm, shembulli jep një mësim të vlefshëm që duket se politikbërësit në Shqipëri nuk duan ta pranojnë: ‘’Aty ku ka gatishmëri dhe vullnet për të arritur një qëllim dhe qeverisje të mirë, ka edhe mjete që e bëjnë të mundur realizimin e këtij qëllimi’’. Në vend që të përsërisim ad infinitum shprehjet që janë bërë bashkëshoqëruese të ditës e të cilat vështirë t’i besosh, mund të fillohet të veprohet.
Referenca:
Ministria e Punëve të Brendshme: http://www.punetebrendshme.gov.al/
TV Klan: http://tvklan.al/kushtetuesja-rrezon-byrone-kombetare-te-hetimit/
Qendra e Botimeve Zyrtare:
An unusual experience of police reform: The Republic of Georgia https://improvingpolice.wordpress.com/2012/09/12/an-unusual-experience-of-police-reform-the-republic-of-georgia/