
Jona Hoxhaj
1- Ministri Veliaj shfaq aktivitetin 2 vjeçar një javë para dorëheqjes.
Në ditët e para të muajit prill Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet që u konsideruan të domosdoshme dhe që parashikojnë risi pozitive në Kodin e Punës. Pas 18 muajsh pune të vazhdueshme, si për çudi pikërisht një javë para bërjes publike të kandidaturës së Ministrit Veliaj për Kryetar të bashkisë së Tiranës, puna kishte mbaruar dhe Kodi i Punës ishte i gatshëm për miratim. 11 risitë që sjell Kodi i Punës parashikojnë ndryshime pozitive, kryesisht në marrëdhëniet e punëdhënësit me punëmarrësin. Konkretisht, në Kodin e ri, çdo punëmarrës gëzon të drejtën e lejes vjetore dhe sanksionohet kompensimi financiar i ditëve të pushimit nga punëdhënësi, çdo 6 orë pune punëdhënësi është i detyruar të garantojë një periudhë pushimi për punëmarrësin, të dy prindërit gëzojnë të drejtën e lejes së përkujdesit të fëmijës së sapolindur, gjithashtu pas kthimit nga leja e lindjes pas 63 ditësh, prindërit kanë të drejtë të marrin dy orë leje në ditë të paguar. Prindërit do të kenë të drejtë të marrin dyfishin e raportit mjekësor pushim, për fëmijët deri në moshën 6-vjeçare. Gjithashtu, Kodi i ri detyron me ligj ndryshimin e kontratës së punës vetëm me shkrim, zhvillim ky i cili parashikon mbrojtjen në punë dhe në proceset gjyqësore për punëmarrësit. Risi janë dhe agjencitë e punësimit të përkohshëm të cilat do të sigurojnë mbrojtje ligjore për personat që deri sot kanë punuar të pambrojtur (hidraulikët, elekriçistët, pastrueset etj.). Për herë të parë Kodi i ri do bëjë edhe rregullimin e punës në distancë duke mundësuar më shumë mbrojtje për ta, sidomos të rinjtë që punojnë në distance me kompjuter. Risi shumë e rëndësishme është dhe ajo e arsimit profesional, nxënësit do të paguhen në kohën e praktikës së tyre. Gjithashtu, parashikohet dhe përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të “shqetësimit seksual” në mjedisin e punës. Veliaj vlerësoi nismën e MMSR-së për ndryshimet në Kodin e Punës si një ndër themelet kryesore për të krijuar konsolidim në sistemin e punësimit, më shumë garanci dhe mbrojtje për punëmarrësit dhe e quajti projektligjin e Kodit me risi “një dokument modern që ofron më shumë mbrojtje për punëmarrësit”.
2- Muaj “duartrokitjesh” për Ministrin
Ditët e muajit prill janë zyrtarisht ditët e fundit të Ministrit Veliaj në postin drejtues të kësaj Ministrie. Përkundër shumë parregullsive, premtimeve të pa përmbushura dhe programeve të pa përfunduara, edhe sukseset e kësaj Ministrie nuk kanë munguar. Takimi i fundit Z. Veliaj, si Ministër i Mirëqenies Sociale me Këshillin Kombëtar të punës filloi me përgëzimet e Z. Luan Bregasi, president i “Biznes Albania” për Veliajn, duke e quajtur bashkëpunimin e tyre shumë efikas dhe të arrirë dhe gjithashtu punën e Ministrisë e vlerësoi pozitivisht, duke i quajtur ata “dëgjues të mirë të shqetësimeve” dhe duke theksuar seriozitetin e tyre maksimal në trajtimin e problemeve. “Duartrokitjet” për punën e Ministrit në ikje vazhduan dhe nga bashkëpunëtorët e tjerë të Këshillit Kombëtar të Punës, notë pozitive u dha dhe nga Kryetari i Konfederatës së Sindikatave Z. Kol Nikolla, i cili theksoi arritjen e reformave si suksesin kryesor të Ministrisë, si dhe theksoi se këto reforma prekin realisht qytetarët dhe punëtorët. Por Z. Nikolla nuk ngurroi të theksonte se në raste të tilla është bërë traditë të flitet vetëm mirë, por e vazhdoi fjalën e tij duke u shprehur se ata ndihen të plotësuar dhe të kënaqur nga puna e Ministrisë. Z. Nikolla duke se i la ankesat për takimin e radhës për të mos “e prishur” këtë ritual urimesh dhe përshëndetjesh!
Arritje shumë e rëndësishme e MMSR-së gjatë muajit prill ishte përmbyllja e negociatave me marrëveshje me Kanadanë për përfitimin e pensioneve të më shumë se 20 mijë shqiptarëve që jetojnë në Kanada. Marrëveshje kjo që shënoi të tetën të këtij lloji. Tashmë Shqipëria ka marrëveshje për përfitimin e pensioneve me Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Çekinë, Rumaninë, Maqedoninë si dhe marrëveshja me Gjermaninë është në raundin e fundit të negociatave.
Sukses tjetër i shënuar këtë muaj ishte nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit në mes të Ministrit Veliaj dhe Drejtorit të Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) z. Granoff, marrëveshje kjo që ka për synim promovimin dhe thellimin e edukimit të rinjve me aftësi për sipërmarrje.
3- “Pse të braktisësh vendlindjen kur ke mirëqenie të garantuar nga qeveria”?
Raporti i Lumturisë në Botë (World Happiness Report 2015) rendit Shqipërinë të 95-tën në listën e 158 vendeve në botë, publikuar me 23 Prill 2015 nga sondazhet botërore Gallup (nga Organizata e Kombeve të Bashkuara). Kosova (69-ta), Serbia (85-ta), Maqedonia (93-ta), Mali i Zi (83-ti) janë disa nga vendet e rajonit që renditen para Shqipërisë në këtë raport, i cili vlerëson si indikatorët kryesor në matjen e lumturisë së popullsisë mirëqenien, suportin social dhe ekonomik si dhe PBB-në. Arsye këto që u bënë dhe shkas i ikjeve masive të popullsisë në muajt e fundit. Gjithashtu për t’iu shtuar dhe një më shumë listës së zhgënjimeve, vjen raporti i Eurostat duke cilësuar Shqipërinë si vendin me pagën më të ulët minimale në mes të shteteve anëtare dhe kandidate për BE. Me vetëm 157 euro në muaj pagë minimale si mund të pritet mirëqenie nga një popullsi me të ardhura që nuk mjaftojnë as për të ushqyer një banor të vetëm në Shqipëri?
Në kontradiktë me këtë raport qeveritarët kundërshtojnë se emigrimin dhe kërkesat për azil të qytetarëve në vendet perëndimore të kenë ardhur nga keqmenaxhimi i të ardhurave buxhetore, nga mos ndihma ekonomike dhe nga papunësia. Veliaj në një deklaratë të tijën, e ndau Shqipërinë në zonat “e PD-së” dhe të “PS-së”. Ministri “harroi” se ishte ende pjesë e qeverisë dhe përgjegjës për mirëqenien e veriorëve dhe jugorëve, duke deklaruar se emigrimi rezulton të jetë më i lartë nga zonat veriore të cilat drejtohen nga PD dhe se ata duhet të reflektojnë për 8 vitet e kaluara të qeverisjes, të cilat kanë sjellë mjerimin në gjithë Shqipërinë sipas tij. Nga ajo që na është servirur në televizionet dhe në media, ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se Pogradeci, Vlora e shumë vende jugore mbushën gomonet në portin e Vlorës deri në fillimin e viteve 2000, por Ministri vlerësoi në mënyrën e tij duke fajësuar qeverinë e kaluar, edhe pse ai është drejtues i mirëqenies sociale tashmë prej dy vitesh. Nuk e morri mundimin as Ministri në fjalë e as Kryeministri, të bënin një thirrje unike për gjithë popullin e Shqipërisë që të mos e braktisi vendin dhe apo të premtonin që shumë shpejtë do i realizojnë premtimet elektorale të vitit 2013, por vazhduan duke e çliruar veten nga faji. Përveç qeverisë së kaluar, pak nga faji iu nda dhe qeveritarëve europianë, të cilët nxiskan njerëzit e vendeve në zhvillim të emigrojnë drejt perëndimit, që këto vende të zhvilluara të përmbushin nevojat e tregut të tyre të punës.
MMSR-ja vazhdon të këmbëngulë në arritjen e objektivave për rritjen e punësimit, për ndihmën ndaj pensionistëve dhe për reformën e ndihmës sociale të dixhitalizuar duke i konsideruar të gjitha objektivat të përmbushura dhe dy vitet e qeverisjes si histori suksesi dhe duke hedhur poshtë çdo akuzë që ju bëhet për mospërmbushjen e programeve. Një rast tjetër që të bën të dyshosh nëse Veliaj në rrjetet sociale, në deklarata dhe në Uebfaqen zyrtare të Ministrisë shfrytëzon eventet e institucioneve të ndryshme duke shprehur se punojnë për punësimin. Kjo ndodhi në datën 22 Prill, kur ai ishte i ftuar të mbante një fjalë rasti në një Panair Pune të organizuar në një nga Universitetet në Tiranë dhe të nesërmen në rrjetet sociale doli me një album fotosh dhe shkrepjesh të tijat me studentë e kompani me mbishkrimin, “Faleminderit studentëve dhe 51 kompanive për panairin e punës; Ne besojmë te puna, jo te fjalët. Në 2015 trefishuam Fondin e Nxitjes së Punësimit duke krijuar mundësi reale për punësimin e të rinjve dhe të sapodiplomuarve.” Duke mos pasur asnjë lidhje me organizimin dhe duke mos qenë bashkëfinancues i eventit, si paska kontribuar Ministria në punësimin e këtyre studentëve ngelet pikëpyetje dhe ngre dyshimin e ekzistimit të rasteve të tjera të ngjashme me këtë, duke qene se edhe vitin e kaluar ka ndodhur e njëjta ngjarje në po të njëjtin vend.
Referenca:
Ndryshimet ne Kodin e Punës
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=239580
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=239323
http://www.mapo.al/2015/04/kodi-i-punes-ndryshimet-mbi-pagat-kontraten-dhe-lejen-e-punemarresit
Arritjet e Ministrisë për muajin Prill
http://www.monitor.al/edukimi-per-sipermarrjen-veliaj-nenshkruan-marreveshje-me-granoff/
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=297420
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=297576
Mirëqenia Sociale
http://historia-ime.com/2015/04/24/raporti-i-lumturise-shqiperia-zbret-33-vende-ne-klasifikim/
http://ëëë.monitor.al/indeksi-i-lumturise-shqiperia-e-95-a-e-parafundit-ne-rajon/
http://scan-tv.com/v/index.php/lajme/nga-bota/12735.html
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=297430
http://vizionplus.al/pazare-me-romet-per-azilin/
http://www.mapo.al/2015/04/veliaj-shqiptaret-po-ikin-nga-veriu-i-keqmenaxhuar-nga-pd
http://www.mapo.al/2015/04/ben-blushi-leter-nje-socialisti
https://www.facebook.com/media/set/?set=a.10153256790151926.1073742191.38316716925&type=3
http://www.monitor.al/eurostat-shqiperia-me-paga-minimale-me-te-uleta-ne-evrope/