
Megi Llubani
1- ‘’Komplekset e një shteti te vogël’’: gjashtë vjetori i anëtarësimit në NATO: sukseset vs sfidat e pa përmendura.
Shqipëria është një shtet i vogël e thuajse i papërfillshëm në atë që ndodh në arenën ndërkombëtare, megjithatë është gjithashtu vend anëtar i organizatës më të madhe të sigurisë dhe mbrojtjes, NATO. Këtë prill u shënuan gjashtë vite që prej anëtarësimit të vendit dhe me të drejtë një moment reflektimi mbi arritjet dhe sfidat që përkatësia në këtë aleancë sjell, ishte më se i nevojshëm për të kuptuar përfitimet, përgjegjësitë dhe sfidat e së ardhmes. Në ceremoninë e kremtimit të këtij përvjetori, përgjatë fjalimeve të pranishmëve, dallojnë disa fjalë kyçe që më së miri reflektojnë qasjen e vendit kundrejt vetes. Në disa raste përgjatë fjalimit të saj, Ministrja Kodheli i referohet momenteve të gëzimit të anëtarësimit, besës që është lidhur me Aleancën e Atlantikut të Veriut etj. Për ta konfirmuar edhe më tej këtë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Z. Donald Lu, i referohet Shqipërisë si vendi më entuziast i NATOs edhe pse më i vogli në këtë grup. Ajo që nuk përmendet e nuk bie në sy janë sfidat e të tashmes dhe të ardhmes. Si shembull, vendi ynë renditet ndër ato vende që ende nuk e kanë përmbushur kërkesën për mbajtjen e 2% të buxhetit të mbrojtjes, përkundrazi nga viti në vit ky i fundit zvogëlohet gjithnjë e më shumë, duke arritur në 0.84% në vitin 2014, diçka që shkon përkundër veçanërisht angazhimit të shteteve anëtare të NATOs për parandalimin e mëtejshëm të rënies së buxhetit të mbrojtjes.
Një dimension i rëndësishëm (ndoshta i vetmi) i kremtimit të përvjetorit të gjashtë të anëtarësimit në NATO ishte zëvendësimi i kallashnikovit me karabinën M4. Kjo përkon edhe me shpenzimet e Ministrisë për muajin prill (dhe mars), ku 93.16% të shpenzimeve të saj i zënë materialet, mirëmbajtjet dhe shërbimet. Investimi tek menaxhimi i burimeve të mbrojtjes, duke përfshirë standardizimin e arsimit dhe stërvitjes nuk pasqyrohet aspak në shpenzimet e regjistruara për këtë muaj, pavarësisht se përbën një pjesë domethënëse të Direktivës së Mbrojtjes 2015.
2- Task Forca Mjekësore e Ballkanit
Në datë 17 prill Ministrja e Mbrojtjes nënshkroi marrëveshjen për ngritjen e Task Forcës Mjekësore të Ballkanit, sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Norvegjisë. Qëllimi i marrëveshjes, sipas vetë njoftimit në faqen zyrtare të ministrisë, është të forcojë dhe të mundësojë kapacitete mjekësore ushtarake, për të operuar brenda kornizës së një njësie mjekësore ushtarake shumëkombëshe rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ajo që mbetet e paqartë nga njoftimi entuziast për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me detajet e saj si dhe detyrimet dhe përgjegjësitë e Shqipërisë që rrjedhin nga nënshkrimi. Së pari, nuk jepet asnjë informacion se çfarë lloj sponsorizimi do të ofrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Norvegjia dhe nga ana tjetër cilat janë përgjegjësitë dhe kontributet e Shqipërisë si palë e kësaj marrëveshjeje rajonale.
3- Qasja ‘’e keqja më e vogël’’
Megjithëse nuk është në kompetencat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Mbrojtjes, ministrja Kodheli nuk ka heshtur mbi temën më të nxehtë të ditës: largimin e shqiptarëve nga vendi i tyre. Në konferencën “Transformimi i madh: 25 vjet përvoja shqiptare e tranzicionit dhe demokratizimit’’, ajo u shpreh: “…por më lejoni të bëhem pak kontroverse dhe të vë në dukje faktin se drejt cilit rajon synojnë instinktivisht shqiptarët? Shqiptarët që kërkojnë Perëndimin, me gjithë shqetësimin e madh që krijojnë, janë një shembull shumë më i mirë se ai grusht njerëzish që shkojnë drejt Lindjes fanatike fundamentaliste.’’ Të paktën dy probleme mund të konstatohen në këtë deklaratë. Së pari, Znj. Kodheli përpiqet të justifikojë dështimet në programet sociale dhe politikat e ndërmarra, për suksesin e të cilave po na paraqitet një panoramë e shtrembëruar dhe larg realitetit. Së dyti, kjo deklaratë ofron një qasje negative të llojit ‘’mund të ishte edhe më keq’’, përderisa po lavdëron ata që ikin për qëllime të mira drejt perëndimit (!) përkundrejt atyre që shndërrohen në fondamentalistë të lindjes (!). Sa i përket kësaj të fundit, një qasje e tillë është e gabuar jo vetëm sepse nuk lë hapësirë për përmirësim por e pranon fenomenin si të keqen më të vogël dhe nuk lejon adresimin e tij.
4- Prokurimet Publike të Ministrisë së Mbrojtjes
Në prokurimet publike te Ministrisë së Mbrojtjes për muajin prill bien në sy disa elementë të çuditshëm:
- Në dy raste kompani të ndryshme janë përjashtuar nga tenderi pasi nuk kanë paraqitur dokumentacionin për shlyerje të detyrimeve pranë OSHEE-së për periudhën e aplikimit për tender pranë APP.
- Vetëm për muajin prill tre tendera të ndryshëm janë fituar nga e njëjta kompani, e cila çuditërisht duket se ofron gjithnjë vlerën më të ulët që e bën atë fituese.
Për ta mbyllur me një notë pozitive, është për t’u përshëndetur nisma e Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen e një qendre rehabilitimi për familjet e ushtarakëve, fëmijët e të cilëve kanë probleme të spektrit autik. Ceremonia e hapjes së kësaj qendre u zhvillua ne datë 22 prill 2015. Sipas vetë fjalës së Ministres gjatë ceremonisë së hapjes të kësaj qendre “Nëse kjo qendër që hapim sot shërben për vëmendjen, trajtimin profesional dhe mbështetjen, sfida jonë finale është integrimi i plotë i këtyre fëmijëve në shoqëri. Qëllimi ynë nuk është vetëm t’ju lehtësojmë sakrificat, apo t’ju qëndrojmë pranë, por që ta bëjmë së bashku këtë rrugë derisa të garantojmë plotësisht kushte dhe pranim të barabartë në shoqëri, ky është destinacioni ynë final”.
Referenca:
1http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom/lajme